opinions, analysis and interviews

telegraf - (al)


interviste e fate velaj dhene albert zholi-t per gazeten telegraf, tirane 12.02.2008


energjik, i vëmendshëm, praktik, i etur për dije, këto ishin impresionet e mia pas takimit me piktorin e njohur fate velaj. dhe pse larg atdheut, ai në çdo moment është pranë tij, duke folur me nostalgji për vitet e fëmijërisë, sidomos për vlorën e kaltër, që ai nuk  rresht ta cilësojë si një nga qytetet më të bukura në botë. i lidhur me familjen, tip i shoqërueshëm, ai njëkohësisht gjen kohë të lexojë, por, duke mos lënë asnjë moment penelin t'i ikë nga dora, atë penel, që i dha famën në austri dhe më vonë në gjithë europën, duke e bërë kështu një ndër piktorët shqiptarë më në zë në kontinentin plak.


si ka filluar jeta juaj jashtë atdheut?
unë dua të them një thënie të mathias claudius, i cili thotë: "kush bën një rrugëtim ka edhe çfarë të tregojë". kështu që edhe rrugëtimi im ka qenë shumë i gjatë. ka shumë mënyra për të rrugëtuar. ke udhëtim ne vetvete që është më i bukuri. kur ti je mbyllur në vetveten tënde dhe udhëton në një rrugë zgjedh atë që ka më shumë  perspektivë. unë zgjodha atë me veprat e artit. unë jam duke punuar tashti me pikturë, profesioni im që më lumturon. gjatë kohës që jam  në vjenë, madje, miqtë dhe nusja gjithmonë më thoshin sepse unë humbisja në vetvete dhe kur më pyesnin unë ju thoja: "po pikturoj". dhe realizimi i disa veprave të artit si fillim  ishte si rrjedhojë e qetësisë në momentet kur rrija në dhomën e gjumit "e kuqja ne dhomen e gjumit" në kryeqytetin e çuditshëm.

pse stacioni juaj i parë dhe kryesor ka qenë vjena?
të jetosh në vjenë e para e punës është privilegj. dhe vetë austriakët kanë një shprehje shumë të bukur që është një deklaratë dashurie që i është drejtuar qytetit të tyre, pra vjenës.  "në win, win edhe vdekja merr një kuptim" (e lashë vetë win, wien dhe jo vjenë, sepse kështu merr edhe rimë në përkthimin tim në shqip). të jetosh pra në vjenë është privilegj dhe duke qenë edhe artist pastaj është edhe më mrekulli. dihet kush është vjena, çfarë i ka dhënë artit dhe kulturës botërore (flasim në 1600-1700-1800). kompozitorët, poetët, piktorët kanë qenë të subvencionuar nga vetë perandori, flasim për gjigandët e austrisë siç janë: mozart, strauss etj... këtij të fundit, perandori i tha që do të kompozosh për mua në oborrin tim dhe e ke 4 mijë golden rrogën, pra më i paguari. pra vjena ta krijon mundësinë e kënaqësisë së të realizuarit, të të krijuarit të veprave të artit.

mos do të thotë kjo se që vitin e parë në vjenë e keni ndjerë veten shumë mirë?
jo!viti i parë në perëndim asnjëherë nuk shkon i qetë. por nuk duhet të bësh plane se çfarë do të bësh pas dhjetë vjetëve, sepse nëse flasim për  shembull për papën e sotshëm tregon që, kur ka qenë i vogël ka parë kardinalin e parë dhe ka thënë që do të bëhem si puna e këtij dhe u bë papë. ose kryeministri i sotshëm i austrisë, flitet që kur ka qenë në klasën e parë fillore ka thënë që unë do të bëhem kryeministër dhe u bë kryeministër. kështu që, kur unë kur vajta ditën e parë në austri dhe thashë që unë do të bëhem velaj që jam sot, s'ma ha mendja ta kem thënë sepse nuk e kam menduar që do të bëhem ky.

cili është momenti që ju kujtoni më shumë në momentin që ju mbërritët në vjenë?
do t'i përgjigjem me një shprehje të lasgush poradecit ku thotë: "pastërti, bukuri, austri"! pra me tre fjalë lasgushi i ka përmbledhur të tëra. s'kam ç'them më shumë seç ka thënë ai, sepse ajo që të binte në sy në këtë vend ishte bukuria, rregulli, pastërtia. pastaj nëse ti i ke vënë synim vetes që të realizosh diçka dhe që të mos jesh ai që ke qenë, por të jesh në një stad tjetër të lartë, gjermanët kanë një shprehje: "ku është dëshira është edhe rruga". kështu që po të kesh dëshirën për ta arritur diçka, e gjen dhe rrugën për ta arritur edhe atë.

dhe cila është rruga që gjetët ju?
rruga që gjeta unë ishte rruga e artit, rruga e kulturës, rruga e identifikimit e vlerave më të mira të asaj pjese të shoqërisë nga erdha, të asaj pjese të civilizimit të asaj kohe nga erdha dhe nga familja nga unë rrodha. unë vij nga një familje intelektuale vlonjate. nënën e kam nga përmeti, edhe ata intelektualë, kështu që kërkova rrënjët dhe vazhdova rrugën.

a ndjetë në fillim si shqiptar ndonjë shenjë rracizmi në austri?
kufijtë dhe barrierat fillojnë jo tek ai që ke përballë, por në vetveten tënde. nëse ti kërkon të  mësosh për vendin që je, ku jeton, nëse ti kërkon që të identifikohesh dhe të ballafaqohesh me realitetin në të cilën   ndodhesh, me të njëjtën mënyrë si është gjendja, (si e shikon dhe si e koncepton), këtu besoj se tjetri fillon të të krijojë ty paragjykime. nëse ti e di me kë ke të bësh përballë, nëse ti e di kush je, çfarë je në gjendje të thuash dhe të mendosh, nuk ka problem për mendimin tim. unë nuk i kam patur këto paragjykime për vetveten apo komplekse. barrierat nuk i kam ndërtuar kurrë në kokë, përndryshe nuk do të arrija kurrë këtu ku jam, sepse do të kisha frikën gjithmonë që ai ose ajo po më paragjykon.

prezantimi juaj i parë në austri me artin tuaj?
që unë nuk ika si një artist i mirëfilltë, kjo është e vërtetë dhe realitet. unë kam ikur thjesht si një amator, sepse nuk kam studiuar për art. atje ishte thjesht një dëshirë, sepse edhe kur kam qenë i vogël me shokët e mi duke u mrekulluar nga bukuritë e detit, kam punuar në akuarel, fare spontanisht. kur vajta për herë të parë në austri atje ishte thjesht një dëshirë e imja për të bërë piktura, pasi kisha marrë me vete edhe dy-tri kuti me bojëra dhe kështu fillova. miqtë e mi panë intensitetin e ngjyrave dhe çuditeshin me krrabët e thara me atë fuqinë e bojërave që lëshoja unë, sepse duke jetuar pranë detit ke thithur në mënyrë të pavetëdijshme "blu-në". ekspozitën e parë fare të vogël e kam hapur në ambjentet e një banke në austri (dhe është diçka normale që të hapësh një ekspozitë brenda një banke), ndërsa po ta hapësh brenda një banke në shqipëri të shohin shtrembër. atje është diçka normale dhe unë pata një jehonë të madhe. pastaj hapa ekspozitën e dytë, por me një fjalim të artë, nga  kryetari i bashkisë, ku ishte dhe prefekti etj. shkruajtën nëpër gazeta, revista dhe erdhën gati 200 veta në hapje. ishte një sukses shumë i madh dhe aty unë mora ngacmimin e parë. pastaj ekspozitat kanë qenë të njëpasnjëshme duke filluar me europën me një ekspozitë tjetër në qendër të vjenës, në gjermani, në angli dy herë, në itali disa herë, në belgjikë angli, rumani, egjypt, maqedoni, shqiperi, kosove, dhe shumë të tjera që nuk po më kujtohen për momentin.

si i mbani lidhjet me atdheun?
në vlorë jeton motra ime, nëna ime dhe kjo është lëvizja ime mes vjenës dhe shqipërisë.

cilat janë hobet e tua?
hobi im është të dëgjoj shumë muzike dhe të lexoj gjithashtu. pastaj një hob tjetër është edhe të takoj shoqërinë time, artistë internacionalë kur jam në vjenë dhe kur jam në shqipëri artistët shqiptarë. pastaj  lexoj shumë libra që miqtë e mi më bëjnë dhurata, siç ishte p.sh libri yt, i fidel kastros. disa nga këto libra i lë në vjenë dhe disa të tjerë në makinë dhe them në makinë sepse kur rri nëpër hotele gjatë udhëtimeve rri dhe i lexoj.

piktori juaj më i preferuar në botë?
janë të shumtë në fakt piktorët që unë preferoj. gjermanët bashkohorë p.sh si gerhard richter apo imendorf, mikun tim të madh hermann nitsch, të cilin e paraqita edhe në tiranë, adolf frohner apo robert kabas. unë kam një miqësi të madhe me artistë internacionalë. ndërsa për artistët shqiptarë është e vështirë të thuhet, sepse ka shumë emra të tillë mjaft të talentuar.

mendoni që një ditë do të ktheheni në shqipëri?
kjo puna ime është gjithmonë në lëvizje...tani jam i ftuar në pogradec. kam konceptuar një pjesë të bulevardit të një rrugice të qytetit të pogradecit me vizionet e mia me vizionet e europës dhe e kam quajtur "europa bulevard" 100 hapa drejt europës, një dëshirë kjo e kryetarit të bashkisë së pogradecit, artan shkëmbit, i cili erdhi me idenë që t'i japë një imazh tjetër qytetit, pra diçka ndryshe nga rrugicat tipike shqiptare me kalldrëm etj.. unë konceptova 250 m rrugë me vizionet europiane.

pas vlorës jeni shumë i lidhur edhe me pogradecin, mos vallë është vetëm ngjyra blu që ju lidh me këtë qytet?
unë kam një mik të madh që është në pogradec, por që tashmë është në bukuresht luan topçiu, i cili ka analizuar të gjitha veprat e artit. nëpërmjet topçiut kam njohur një tjetër mik që është ardian fezollari fotograf. topçiun e kam paraqitur me një libër, ndërsa fezollahun e kam paraqitur dy-tre herë. kjo është një ndër arsyet që e dua pogradecin, sepse ne mblidhemi në hotel apo ku flemë dhe kalojmë momente të bukura aty.

ç'është dashuria për ju?
dashuria është "piktura" më e bukur e jetës.

mendimi juaj për familjen?
familja është shenjtëria e shenjtërisë. eshtë harmonia më perfekte e frymës së  zotit dhe dorës së natyrës në interes të vazhdimësisë së jetës.