opinions, analysis and interviews

luan topciu-analist und diplomat - (al)

  • luani

Bucharest, 29 Mai 2009

Një udhë për në Europë-Europa e filozofëve dhe artistëve

Përpos perandorive, përpjekjeve ushtarake për të bashkuar Europën, me dhunë e forcë, qoftë Perandoria Romake, Napoloni, Gjermania Naziste, etj, kanë ekzistuar filozofë, mendimtarë ëndërrimtarë dhe artistë vizionarë, që kanë projektuar një Europë të bashkuar vërtet, por në ndryshim nga perandorët, e kanë bërë dhe e kanë kërkuar këtë gjë në paqe.

Europa është projektuar gjithherë në dy përfytyrime të mëdha, nga njëra anë nga ana e politikanëve vizionarë që tejkalojnë kufijtë nacionalë dhe nga ana tjetër nga ana e artistëve dhe filozofëve, që kapërcejnë kufijtë e kulturës dhe traditës nacionale. Në qoftë se për politikanët që projektuan Europën e sotme flitet gjithmonë, me mirënjohje, për artistët dhe filozofët që e kanë parë Europën si shtëpinë e përbashkët flitet më pak. Por akëcili nga ne e di shprehjen e mirënjohur të Jean Monnet se “...nëse do t’i jepej mundësia - atij të ndërtonte edhe njëherë BE-në, do ta niste atë nga kultura”

Zanafilla e ëndrrës europiane fillon qysh në krye të erës, kësisoj Platoni, ishte mendimtari i parë që mbronte idenë e paqes përmes një organizimi të konfederatave të qytet-shteteve greke.  Poeti i madh italian Dante Aligherii, në „De monarhia”, punimi i vitit 1303, sugjeronte një zgjidhje të tipit federalist për Europën, një paqe universale përmes varësisë së monarkive nga një udhëheqës suprem, një autoritet legjitim dhe unik.

Voltaire e konceptonte unitetin e kontinentit si të realizueshëm nëpërmjet Frederic të II-të, mbretit të Prusisë. J. J. Rousseau shikonte një „republikë europiane” vetëm në qoftë se mbretërit do të braktisin natyrën e tyre „lakmitare dhe luftënxitëse” ndërsa popujt do të emancipohen dhe si pasojë do të bëhen më të mençur.

Në shekullin e XIX, një ekzaltim i idesë europiane do të niste me Madam de Staäel kur do të shkruante: „Qysh tash e tutje, lipset të jetë i nevojshëm dhe të kemi një shpirt europian”. Shekulli  XIX njihet si shekulli i propozimeve federaliste. Në Kongresin pacifist të Paris të 1849, Victor Hugo do të shprehej: „Do të vijë dita kur armët do të bien nga duart dhe bombat dhe topat do të zëvendësohen me të drejtën e votës universale të popujve .... . .do të vijë koha kur do të shohim dy grupe të mëdha: Shtetet e Bashkuara të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dhënë duart miqësisht përtej oqeanit...”.

Dhe shumë artistë të tjerë filozofë e kanë parë Europën si shtëpinë e tyre të përbashkët, si pjesë identitare dhe si një krijim të përbashkët të evropianëve që duan të jetojnë në paqe.

Mendimtarët ëndërrimtarë shqiptarë, duke jetuar në Shqipëri apo jashtë saj, kanë qenë dhe kanë ushqyer me vetëdijen europiane bashkëkombësit e tyre. Europa ka mbetur një destinacion i kahershëm dhe një gjakim për shqiptarët, le të kujtojmë: Naim Frashëri-n, Faik Konica-n, Ismail Kadare-në etj.