opinions, analysis and interviews

Neli Naço - Kreuztanne

Neli Naço

 

 

RRETH ROMANIT “KREUZTANNE” NGA FATE VELAJ

 

 

Romani “Kreuztanne” nga Fate Velaj erdhi si një befasi për publikun shqiptar. I njohur për aktet e tij artistike të mbështetura mbi të papriturën, i njohur kryesisht për pikturën e tij, por edhe për fotografinë artistike dhe dokumentare, i njohur për kurimin e ekspozitave të hapura në galeritë dhe muzetë e njohura në disa vende europiane ku koncepti kurativ nuk është aspak tradicional dhe i përsëritur, me nuancime që fillojnë nga një modernizëm i spikatur deri në një postmodernizëm, Fate vjen këtë herë me një roman. Një roman i cili vlerësohet prej tij dallueshëm si “roman autobiografik” duke më krijuar mua në kokë idenë e një tipari postmodern të letërsisë, e një diskursi të ri romanesk që heq dorë nga fshehja dhe synon paraqitjen pa kompleks të ngjarjeve që i kanë ndodhur autorit.

            Fakti i parë që të bën përshtypje është që akti i të shkruarit të romanit, akti romanesk, po e quaj kështu, është një akt artistik i cili synon një vijueshmëri logjike të akteve të tjera krijuese të Fates, ai është i natyrshëm në këtë akt sikundër në veprimtaritë e tjera që bën autori.

            Romani “Udhëkryq” është një roman që nuk ndërtohet mbi një temë dhe ide artistike të krijuara më parë, apo temë dhe ide të krijuara nga një epokë e caktuar, apo të krijuara nga një rrymë e caktuar, e të tjera si këto. Ai është një roman që nëpërmjet rrëfimit i ndërton këto tema dhe ide, motive e minimotive, sepse rrëfimi i Fates buron nga e vërteta dhe kjo është një e vërtetë fotografike. Rrëfimi është bërë që të zbulojë të vërteta të sakta dhe të verifikueshme. Është shumë e vështirë që të fiksohen ngjarjet kohore që i ndodhin një autori, vetëm nëse ndodh që të ketë ndonjë memorie të universit siç sugjerojnë teozofët, por ngjarjet kohore bëhen të besueshme për lexuesin, kur hapësira reale është e lexueshme, kur qytezat e përshkruara në roman janë të lexueshme, kur shtëpitë dhe rrugët e qytezave janë të lexueshme, kur luginat, lumenjtë, malet përmbi to janë të lexueshme, kur hapësira urbane dhe hapësira jourbane është e lexueshme dhe e verifikueshme prej kujtdo lexuesi të interesuar që mund të ndjekë rrugëtimin e Fates dhe ekzilin e tij. Ndaj lexuesi ndërton besimin ndaj ngjarjes së rrëfyer më fort them nga ky rrëfim i kombinuar sinqerisht i kohë – hapësirës sesa nga fakti që romani është i cilësuar si autobiografik. Në rastin tonë kemi një përkim të dy artikulimeve atij, paratekstor me artikulimin e tekstit romanor.

            Si për të përforcuar këtë ide një kujtesë fotografike e shoqëron romanin. Në shumë raste kjo memorie fotografike është gati një pasion, për autorin fakti që ka ecur nëpër rrugët e qytezave austriake, në hotelin mikpritës, në shtëpinë e ofruar pa qera për punëtorët e fabrikës e kështu me rradhë, është i një rëndësie të madhe, ajo ngjarje po i ndodh atij, unit autorial dhe ai nuk do ta harrojë atë, për t’u siguruar se nuk do ta harrojë ja ku po e rrëfen në roman atë që truri njerëzor nuk mund ta ruajë përjetësisht. Ja pse vërej një përkim të rrugës artistike të Fates me rrugën shkrimore (dhe kjo jo më pak artistike) ja pse më duket e natyrshme që të fotografojë detajin me rrëfim dhe me aparatin fotografik që nuk e ndan prej vetes.

            Çastet kohore që ka zgjedhur për të përshkruar në romanin “Udhëkryq” janë nga më domethënëset. Starti një jete në ekzil. Ky është një roman që pasqyron një moment të vështirë për psikikën e kujtdo që e ka provuar ekzilin. Fillimi i një jete të re dhe dyshimi për rrugën e cila në fillimet e saj duket gjithmonë sikur është pa krye. Ç’do të ndodhë me fatin e njeriut që është në udhëkryq. Çfarë do të vijë për të? Cila do të jetë e ardhmja? Momentet që rrëfimtari kalon në hotelin ku janë strehuar emigrantët në fillim të romanit janë të rënda dhe çastet me ngadalë ecin. Rrëfimi kërkon të zbulojë në rutinën e ditëve çastet më domethënëse për t’u treguar. Ato që meritojnë të tregohen. Një sfidë e vështirë për një rrëfimtar. Zbulimi i jetës së ekzilantit, të vështirësive dhe të papriturave të saj, të enigmave jetësore që zgjon kjo jetë, është një sfidë që duhet rrëfyer. Në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër jeta fsheh fiksionin e vet burimor e të qenësishëm i cili buron vetvetiu prej saj, i cili shpeshherë është aq tronditës sa duket sikur ia kalon vetë fantazisë trilluese të mendjes njerëzore. Zbulime të këtij lloji e bëjnë veprën “Udhëkryq” që të jetë tronditëse kur parashtron fakte të tilla jetësore, por edhe kur mendon se çfarë duhet të ketë ndodhur në mijëra fate emigrantësh që u turrën drejt së panjohurës. Në mënyrë surreale do të thoja janë me mijëra romane të pashkruara në të cilat nuk gjenden dy fate njerëzore, apo dy romane që t’i përngjajnë njëri – tjetrit.

            Në një tekst të mbushur me njohje, njerëz, personazhe që gjallojnë nga fillimi deri në fund të romanit, me personazhe që përmenden dhe zhduken shpejt e shpejt nëpër kapituj, të bie në sy vetmia e rrëfimtarit, një “vetmi e mbushur me njerëz” po të përdor një metaforë të krijuar nga një poet korçar. Çastet e rrëfimit të ngjarjeve janë të ndërthurura me çastet e rrëfimit të mendimeve gjë që e bën situatën dramatike dhe alternativat jetësore të personazhit të pasigurta.

            Pak nga pak, alternativë pas alternative, personazhi drejtohet drejt një drame jetësore, drejt një drame ku humbja e fëmijës që pritej të vinte në jetë e rrit vetminë e personazhit gati – gati në një vetmi ekzistenciale. Sa nga bota e Ernest Hemingway-it, por edhe sa nga vetmia e ndonjë tregimi të Markez-it ka aty. A nuk na kujtojnë momentet e endjes së personazhit tregimet “Në një vend tjetër” apo “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë”, a nuk të kujton heroi i vetmuar dhe jetërsuar e alienizuar heroin e romanit “Lamtumirë armë”.

            Zhvillimi i një psikike origjinale në ekzil është rruga rrëfimtare e autorit. Ai zgjedh të rrëfejë një rrugë se si zhvillon atë që mbart nën presionin e asaj që ndesh dhe farkëton një psike të re të personazhit. Ai është mesdhetari që nuk harron origjinën, por që shndërrohet nën përplasjen kulturore pa zhdukur vlerat e pastra gjenetike të origjinës. Ai është ballkaniku që po rrëfen rrugën e tij jo si rrugë e ekzilit, por si një ekzil në kërkim, si një ekzil drejt vlerave intelektuale dhe për më tepër drejt dinjitetit të qenësishëm të njeriut ballkanas. Shumë shpesh mendimet e tij kthehen në kohën e vjetër, rrëshqasin persekutimit komunist, përmallohen viseve me diell të vendlindjes, përmallohen gjithashtu drejt njerëzve dhe familjes së lënë atje në vendlindje, por jo të braktisur mentalisht.

            Tragjika e ekzilantit në përgjithësi është fshehur përmes një karakteri të fortë që i duron vuajtjet e përpiqet me cdo kusht të ripërtërijë mendimet jetësore për të ardhmen. Meditimi, vëzhgimi dhe rrëfimi janë të ndërthurur me njëri – tjetrin në një harmoni brenda tekstit letrar.

            Shpesh brenda tekstit gjallojnë kultura origjinare personazhesh, si ajo e mikpritësve gjermanë apo si ajo e emigrantëve rumunë, serbë, shqiptarë, boshnjakë apo turq që janë realitete që formësojnë botën narrative të personazhit narrator. Zhvillimi i personazhit sjell edhe një ndryshim në jetën e tij. Ai është gjermaniku në sjellje dhe kulturë, njeriu mesdhetar në gjenetikë dhe ndryshueshmëri.

            Nuk po i quaj paragjykime, por ngjarje me një fantastikë të dallueshmeme, me një fantastkë që buron nga natyra paranormale e ndërtimit të botës shqiptare e bën autorin që të paraqisë njëkohësisht edhe ndjenjat dhe ndjeshmëritë e tij ballkanike. Tronditës është fakti që një person i vdekur, paralajmëron ngjarjen fatale. Rrëfimi është në një zonë që është pjesë e paranormales dhe fantastikes që ajo mbart. Këto fenomene paranormale janë pjesë e rëndësishme në ndërtimin e një tradite fantastike prej origjinës që autori e mbart me vete. Ëndrra e personazhit që parandjell të keqen ka një karakter të një magjikeje me plot nuanca të fenomenit paranormal. Në shtjellën romanore ndodh që kemi harruar në fakt botën origjinare të rrëfimtarit, kemi rënë në endjen e personazhit dhe kërkimin e tij për t’u integruar në një shoqëri perëndimore, me përshtatjen e tij ndaj mentaliteteve të reja të perëndimorëve dhe me përplasjet kulturore të njerëzve të tjerë nga Lindja që enden po ashtu në këtë botë perëndimore, harrojmë për një çast tragjikën që mbart njeriu ballkanas, përjetimin e tij, atë që e ka mishëruar në gjenetikën e tij dhe e shfaq në momentet e tragjikës jetësore. Gjyshja e rrëfimtarit parathotë dramën. Si në rrëfime të Markezit ajo e artikulon atë në dy vende në qytezën austriake ia thotë të nipit dhe në Vlorën bregdetare të birit. Kur rrëfimtari ballafaqohet me atin ngjarjet përkojnë dhe tragjizmi i rrëfimit zmadhohet.

            Po aq tragjizëm ndeshim në rrëfimin autorial kur kthehet në vendlindje për të përcjellë atin me të cilin mijëra fije të padukshme e lidhin dhe që nëpër tekstin romanor shfaqen si kujtime që e mundojnë pafundësisht. Bota jugore e vendlindjes me traditat e saj krejt të ndryshme shfaqet në roman duke i dhënë asaj dimensione të ndryshme. Kuptojmë që ekzilanti vetë i përket dy botëve shpeshherë asaj që ka lënë pas dhe për të cilën e mundon malli dhe asaj bote të re e cila e tërheq me pasurinë e vet dhe në të cilën përpiqet të integrohet. Atje ku ndodh harresa me sa duket kjo tragjikë nuk ndodh, por në romanin tonë nuk ndodh kështu rrëfimtari është i përfshirë mes dy botëve.

            Prej një kohe të qetë në hotelin mikpritës mbushur me ngjarje të vogla ku ka minidetaje humori, grimca humori drejt formimit të sakrales të jetës, të shenjtës që përfaqëson familja e re që po ndërtohet dhe sakrales së familjes prindërore kjo është me sa duket shtytja për të rrëfyer ngjarjen jetësore dhe për ta kufizuar atë brenda këtyre kufijve rrëfimtarë. “Vuajtja është një moment shumë i gjatë” thotë pak a  shumë në rrëfimin e tij të famshëm të titulluar De Profundis Oscar Wilde. Ajo që kufizon fillimi dhe fundi i romanit të Fate Velajt është ky moment i gjatë që quhet vuajtje e ekzilantit dhe që për autorin merr vlerën e sakrales ndaj ai i kushton asaj romanin. Ajo nuk mund tw përkufizohet si e madhe apo si e vogël krahasuar me jetët e ekzilantëve të tjerë, ajo është vuajtja e tij, brenga e  tij, është më e madhja dhe më e rëndësishmja ndaj ai i kushton asaj rrëfimin e tij.

            I gjithë romani është një artikulim që ka kthjelltësinë e fotografisë dhe na ndihmon ta quajmë atë një lloj stili fotografik ku ne shohim që pamjet autori i synon sa më autentike me origjinalin dhe i paraqet sipas këndvështrimit të vet emocional.

            Në një fragment, kur rrëfimtari kthehet në vendet prej nga ka nisur jetën e re, zbulon vende të ndryshuara, banesa që ekzistonin janë shembur prej kompanisë amerikane dhe personazhe që e kanë bashkëshoqëruar në fillimet e jetës ekzilante janë larguar nga kjo jetë. Ajo që është shkruar si autobiografike fillon e shpërbëhet me një shpejtësi të madhe, ajo që ishte fakt bëhet trillim dhe nga marrëdhënia jetëgjatë me kohën bëhet pak nga pak fiksion.

 

Fate Velaj, sa shkrimtar autobiografik pra, nën një këndvështrim tjetër, është shkrimtar fiksioni.