opinions, analysis and interviews

BEDROS HORASANGIAN - KREUZTANNE

 

Shkrimtari i njohur dhe ish drejtor i institutit rumun të kulturës në New York, në një shkrim kushtuar romanit tim “Kreuztanne”, botuar para dy muajsh në rumanisht dhe prezantuar në panairin e librit në Bukuresht, në një artikull me titull “Një roman i shkruar me një stil amerikan”
midis të tjerash, shkruan:

“...fatkeqësisht, nëpër Europë, por edhe nëpër botë, për Ballkanin flitet në mënyrë (ende) përçmuese, me klishe të vjetra, paragjykime e stereotipie. Sigurisht që Danilo Kiś, Ismail Kadare, Emil Cioran, Orhan Pamuk, Mircea Eliade, Tzvetan Todorov apo dhe Kastoriadis u bënë emra me prestigj ndërkombëtar, por diçka nga paragjykimet e vjetra mbetet. 
Dhe është vërtetë mëkat.
Por, këtë herë kemi në dorë romanin “Kreuztanne” të shqiptarit Fate Velaj. Emrin nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. 
Befasi e madhe. 

Një prozë e gjallë, me njerëz të sotëm, personazhe të konturuar saktë, teknikë shkrimi amerikane, ndodhi aktuale, pa qenë sensacionale apo zhurmë e bujë. 
Vëllimi “Kreuztanne” (Shtëpia Botuese Corint, 2017), ngjizet një përvojë jetësore që jo pak ballkanas e kanë pasur në dhjetëvjeçarët e fundit. 
Syrgjyni.
Emigrimi, 
largimi nga mëmëdheu. Tek popujt sedentarë. 
Largimi nga një shtet /qytet/fshat/familje drejt diçkaje të pasigurt dhe të pavendosur për ta filluar gjithçka nga fillimi. 
Jetën, si dhe vdekjen. 
Rrëfimi i një shqiptari, në pjesën më të madhe heroi kryesor është një alter-ego i autorit, që mbërrin në Austri. Krijon një familje, ka një vend pune, një vatër – një banesë të ofruar nga shteti, atë shtëpi nga Kryqëzimi /Kreuztanne, pastaj një shtëpi vetjake, integrohet, natyrshëm, gjithçka duket se zgjidhet vetvetishëm. 
Madje dhe vdiset, por jetohet dhe në mënyrë intensive. 
Autori bëhet shtetas austriak, dhe dinjitar i një rangu të lartë në Tiranë. Nënshtetësia dyfishe i ofron një statut të posaçëm. Për të bërë gjëra të bukura e të mira. Në dobi të vendit të tij. 
Kujt? Shqipërisë? Austrisë? Europës, në mënyrë evidente. Në këtë proces integrimi të një shqiptari të çfarëdoshëm në një Europë që konfrontohet me probleme të mëdha në lidhje me emigracionin është pasqyruar në mënyrë të shkëlqyer në libër. 
Një histori suksesi. Ashtu ishte e shkruar për atë. Jo të gjitha janë njësoj dhe jo të gjitha përfundojnë mirë. Shqiptari ynë jo vetëm punon në një fabrikë, por dhe pikturon. Simpatike dhe plot ngjyra momentet e ndodhive në shtëpi. Në një familje që ka jetuar në komunizëm–babai, Melo, kishte studiuar 5 vjet në Moskë, si dhe Kadare, pranë një komuniteti që kalon nga pallavrat dhe privacionet e komunizmit në pallavrat, mëkatet dhe kënaqësitë e kapitalizmit. Peizazh njerëzor i larmishëm, i natyrshëm në një farë mënyre familjar për ne rumunët. Të shkëlqyera portretet e austriakëve, turqve e rumunëve, apo doganierësh dhe policësh, emocionuese e drithëruese skenat lidhur me familjen e tij. 
Tejet bukur përshkruar. 

Ballkanikët janë si dhe evropianët e tjerë. 
Njerëz. 
Të mirë dhe të këqij gjithashtu. 
Ndoshta më gojëmëdhenj dhe më ekspansivë. Në shumësinë e medaljeve dhe çmimeve që ka marrë Fate Velaj, si ndërtues urash midis popujve, si piktor, fotograf dhe kurator, i shtohet dhe ky roman, i cili mund të klasifikohet si shumë i mirë. Nuk e di në se do t’i shërbejë për diçka, por ky libër, i parë, shënon një sukses të madh.