opinions, analysis and interviews

Arian Kallço - NILKON

Arian Kallço, poet

 

“Unë, brenda kostumit të Fate Velaj”

 

Disa mendime rreth romanin “NILKON”

 

Fate Velaj është artisti që krijoi gjithë emrin e tij duke u nisur nga një vit, ndoshta i mbrapshtë për atë që detyrohet të braktisë vendlindjen dhe qytetin e tij të dashur, por fatlumë pasi udhetimi i tij i parë në eksodin e madh bilik të shqiptarëve në kohet moderne, rezultoi i duhuri dhe vendimtari në formimin e tij si artist përtej kufijve të vendit tonë. Kur nisesh për një udhëtim të panjohur dhe pa destinacion të saktë, gjeja e parë që të vjenë në mendje, është t’a lesh veten në dorën e rastësise, aty ku fati të të hedhë. Të panjohurat e botës së madhe, por që për autorin tonë është tepër e madhe, sepse vinte nga një vend i vogël që në vite kishte mbetur i izoluar dhe i mbyllur. Hapja është liri dhe çlirim, por është dhe një padije para se cilës duhet shumë kujdes dhe pak kohë për t’u ambjentuar. Të nisesh, është njëlloj sikur të vdesësh pak – thotë proverbi.

Gjithë aventurën dhe sakrificat e autorit i mësuam në librin e tij të parë, “UDHËKRYQ”, ku, në mënyrë simbolike, janë ato udhë që kryqëzohen në një të vetme por, pa ditur se ku të shkosh dhe të orientohesh. 

Në librin e dytë autori gjendet përsëri në një udhëtim që tashmë nuk ka më dhimbjen e të parit, lotët dhe trishtimin, por një udhëtim që tashmë merrte një kuptim tjetër, një funksion tjetër, me të lartë e më fisnik, atë të artit pa kufij që përpiqet që qytetarët e botës, artistët e saj, t’i bashkojë në hapësira të ndryshme. Njeriu që niset për një udhëtim nuk është i njëjtë kur kthehet, dhe qysh në librin e parë autori duket qartë se nuk është i njëjti. Aty kishim një artist që po lind mes vështiresive të jetës në tokën austriake, në përpjekjet e tij që të krijonte personalitetin dhe dinjitetin e vet artistik, ndërsa, në të dytin, një artist të formuar dhe me emër të respektuar që pas këtij udhëtimi të dytë, përsëri nuk është më ai. Tashnë është artisti që jeton dhe lejon të shikohet, por udhëtimi e vendos atë në kushte të tilla që të shikojë e ta shikojnë edhe më shumë. Një udhëtim fillon dhe nuk mbaron kurrë, meqë shiriti i kujtimeve vazhdon të rrotullohet brenda edhe kur jemi ndalur – shkruan një shkrimtar i shquar. 

Në këtë udhëtim, autori jo vetëm njeh vende, njerëz, artistë, personalitete, shtetare, por në këto njohje ai mëson dhe thellohet më shumë në njohjen e vetes. Vetëm në marrëdhënie të tilla shumëdimensionale dhe multihapësinore, autori Velaj pak e nga pak zbulon të fshehtat e skutave të tij që kurrë më parë nuk kishte patur mundësi t’i njihte. Udhëtimi i tij siç lexojmë në faqet e librit është i mbushur plotë me kontakte, pritje, takime, realizime, kënaqësi dhe përfitime por, mbi të gjitha, miqësi multikulturore dhe gjendesh para marrëdhëniesh që kërkojnë me çdo kusht të përballesh me të tjerët dhe me veten. Nga Vjena në Shkup e përsëri në Vjenë, aty ku lundron dhe përshkon shumë vende Danubi ynë europian, e më pas në Egjiptin e lashtë, aty ku buron dhe jeton jetën e vet lumi Nil.

Largesitë janë të paimagjinueshme, të paarritshme, të ngatërruara, pasi secili prej tyre ka kapriçot e veta dhe derdhet në dy kahe të kundërt. Do të duhej kohë e gjatë që nga një grykëderdhje të arrije tek tjetra, kohë e gjatë dhe e rrezikshme t’a përshkosh në muajt mes diellit dhe furtunave që edhe mund të ta mohojnë kënaqësinë e pikave të takimit. Odiseu lundroi në vite e mes vështirësish të mëdha, e ku ndoshta ekzistenca e tij u vu shumë herë në rrezik, por ai ishte lodër në duar e perëndive që nuk ngurruan t’a vinin në prova. Çdo njeri, nuk u shpëton dot provave dhe për më tepër vetë Velaj, por këto janë të tjera prova, pasi në kohën e sotme nuk diskutohet më pamundesia e kthimit në Itaken tonë të dashur, pasi të gjithë e kemi nga një të tillë. 

Kujtojmë vitin 2001, kur Nju Jorku u gjend i tradhëtuar dhe i goditur atë mëngjes shtatori dhe ndonjë zë i gabuar nxitoi të shpallte veten si profet, se kishim të bënim me përplasje qytetërimesh. Natyrisht, pasuan reagimet e një bote të tërë për këto lajthitje. Ndarja po bëhej gjithnjë edhe më e largët, e që e thellonin më tepër  pamundësinë e komunikimit mes vendeve dhe kulturave. Nëse kultura është krijuar që të njihet dhe të shkëmbehet me kulturat e tjera, atëhere nuk ka kuptim që në një botë kaq të ndryshme dhe të larmishme kulturore, njerëzit në vend të dashurisë dhe respektit të ushqejnë urrejte dhe luftë. Por arti del mbi disa interesa të ngushta dhe e çliron ndërgjegjen dhe vetëdijen nga paragjykimi. Në vend të largësisë dhe armëve, vë në mes kulturën që edhe pse dy lumenjtë janë larg, arrin me përpjekje të krijojë lidhje të tjera, me të shkurtra dhe që u shërben pupojve. Fjala magjike është hidh dhe krijo urat që mbi to të kalojë drita e kulturës, e paqes dhe e harmonisë.

Këtë kishte në mendje autori Velaj kur ndërmori ndoshta një prej nismave më të mëdha dhe të bukura të jetës së vet, në një mision dhe udhëtim që do ta shihte të shfaqte virtytin e tij paqedashës, të afrimit dhe bashkëpunimit. Egjipti ishte aty tek priste Mesitë e veta ku secili të shpallte dhe të deklaronte se luftrat nuk pjellin vellazërim, por vetëm ndarje. Në këtë mision të lartë kulturor nuk munguan të japin kontributin e vet miq, piktorë, drejtues, diplomatë, shtetarë që panë sesi Fate Velaj të realizohente një prej urave më të pamundura të ngritura ndonjëherë, atë të njohjes dhe promovimit të kulturave, jo vetëm midis dy kontinenteve dhe lumenjve, por edhe me gjerë. Bashkëpunimit i duhet dhënë një shtysë që të fitoj mbi stanjacionin dhe ndarjen kulturore e të kryej rolin e vet në botë. Këtë mesazh të qartë autori e nisi dhe e realizoi në udhëtimet e veta që i dhanë mundësinë të kapërcente kufijtë dhe të mbërrinte në vendin që shqiptarët e njihnin shumë mirë, pasi kishin kontribuar jo vetëm për çeshtjen e tyre kombëtare, por edhe atë të vetë Egjiptit. Autori nuk ngopet së udhëtuari. I detyruar nga misioni që të realizoj ëndrrën e vet, por edhe të njohë e kundrojë natyra të ndryshme nëpër kontinente, motive të bukura që e detyrojnë të marrë penën dhe të shkruaj, të hedhë në letër gjithçka që i bën përshtypje: histori, kujtimet, natyra, qyteterime, qytete, rrugë e rrugica, madhështinë e një kohe që është dëshmimtarja më e mirë se kultura, mbetet gjithmonë ambasadorja më e mirë e një vendi, shenjë e respektit për gjithçka që të parët tanë ndërtuan dhe na lanë trashëgim. E këtë magji dhe magjepsje deri në trullosje shpirtërore Fate Velaj vendosi të na i risillte në faqet e librit të vtij, me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e një artisti në pamundësi ta sjellë gjithçka me anën e penelin e tij. Çdo gjë na e dhuron në kundrimin tonë me origjinalitetin e vet në një “ditar” që nuk të le të flesh gjumë rehat, derisa ta përfundosh. E ndoshta, ta rifillosh përsëri që të përjetosh deri në pafundësi ngjarje, njerëz dhe përshkrime që kanë ngjyrime të tilla që duken se i kë piktura të cilat do deshe t’i kishe gjithmonë në dhomën tënde të punës. Ngjyrime emocionale të larta  dhe të thella që çdo natë, në qetësinë e shtëpisë, nëpër stinët e vitit, do deshe t’i përjetoje: dimrin e largësisë dhe të ndarjes por që rizgjohet dhe rilind në pranverë e që bëhet një mirazh i kapërcyeshëm dhe i arritshëm ashtu si dhe verën e ngrohtë. Të gjitha këto në misione të tjera humane dhe kulturore kur dashur padashur, bëhemi vizitorë zbulues të kulturave deri dje thjesht synime që prisnin aty sytë tanë që t’i shijonin, pasi nuk jam unë që i zgjedh ato, por ekzistenca e tyre që e tundon qënien dhe që e çon përdore sa aty këtu, si një të verbër.

I tillë është romani NILKON në gjithë staturën e vet treguese dhe shijuese, sepse i tillë është perceptuar dhe krijuar nga autori Velaj i cili, ka zgjedhur ashtu si në librin e pare, Kreuzanne, të jetë vetë protagonist dhe narrator në vetën e parë. Në faqet e librit janë sytë e tij, mendimet dhe veprimet e tij që më pas perçohen plot elegancë tek lexuesi, i cili duke u kredhur në faqet e librit nuk e kupton se cili është narrator i vërtetë, autori apo ai vetë.  

Pra, lexuesi, jeton edhe pse i kaluar pak në kohë, drejtperdrejt, të gjitha ndjesitë e bukura të përshkruara në faqet e librit. Autori është ai, po po, vetë ai, i cili me imagjinatën e vet, prek e ecën në të gjitha tregimet e autorit. I përjeton të gjitha çastet e çdo çasti që autori sjell dhe në mendjen e vet lundron në historinë që miku ynë, autori Fate Velaj i ka përjetuar realisht dhe që e ndërtoi qëllimisht në këtë libër. Ashtu si vetë autori që është qendra e historisë së tij, edhe ne futemi në botën e tij dhe ndihemi se këtë copë historie e jetuam bashkë me të, e nëse kjo na pëlqen, atëhere themi se autori ia ka arritur qëllimit që të na zhysë në atë histori që na la shije aq të bukura në mendje dhe në shpirt.

Përmbushja shpirtërore e njeriut është thellësisht i realizueshëme në libra, e në këtë rast, në të dy librat e vlonjatit Velaj, pasi në të dy udhëtimet e tij, kam qenë pranë, aq sa mendoja se në çdo hap të tij, i veshur me kostumin e tij, isha vetë unë.

Ishtë një ëndërr e bukur nga e cila nuk kisha deshirë të zgjohesha.

Siç dihet, libri është magjia e parë dhe e fundit e fjalës e që depërton tek ne edhe sikur qindra kufij t’i vendosesh dhe ta ndalosh me inkuizicione.

Faleminderit Fate Velaj!

Urime dhe suksese në pjesën e tretë të kësaj trilogjie, në ITAKA.