opinions, analysis and interviews

Gerta Bandilli - NILKON, si shkarkimi i një kamioni me plaçka

 

 

"NILKON, si shkarkimi i një kamioni me plaçka"

Gerta Bandilli

Kur njeriu lë pas udhëkryqin dhe gjen drejtimin e duhur, merr me vete kujtimet ose udhëton brenda tyre. Ndonjëherë, ndodh të kthehet për pak momente tek ato, si të thuash, sa për të kujtuar se nëpër cilin lumë rrodhi jeta e tij që më vonë ta tregoj kalvarin e vuajtjeve, çastet e gëzimit, sukseset e profesionit dhe krejt ato kujtime që i ka mbyllur brenda kujtesës së vet. “NILKON” i Fate Velaj është rruga ku ka ecur suksesi i një njeriu që tregon për veten, që tregon se si kapërcen vështirësitë dhe se si idetë marrin jetë prej këmbënguljes.
Bota nis aty ku nis rrjedha e një lumi (sepse njerëzit vendbanimet e para i ngrinin pranë lumenjve), kurse në roman botët bashkohen përmes ujërave të këtyre lumenjve dëshmimtarë të historive njerëzore, rënieve të perandorive, ringritjeve, luftrave, dashurive, dhimbjeve, mbijetesave e pse jo edhe dëshmimtarë të artit dhe ekspozitave ku pasqyrohet jeta. 
Po, a nuk është jeta e njeriut një tabllo e madhe pa përmasa kësaj here, në të cilën ndodhen rrathë të çrregullt e me ngjyra të çrregullta? Këtë tabllo të madhe nuk ka arkë druri, (si ato që autori përdorte për të transportuar pikturat nga njëra ekspozitë në tjetrën), që ta nxërë për ta transportuar nga njëra anë e botës në tjetrën. Ajo hynë dhe qendron brenda një kujtesë njerëzore që fotografon pamje jetësore, gjendet gjithashtu në një cep të qenies njerëzore që merr me vete çdo grimcë jete të jetuar për ta kthyer pastaj në Itakën e tij, që na pret e shkujdesur dhe indiferente e që i ka dhembur largimi ynë.
Po, a nuk është e vërtetë ajo që thotë Kavafis, se, teksa nisesh për në Itakë, duhet të urosh që udha të jetë e gjatë, plot aventura e të kthehesh plotë kujtime? E tillë është edhe rruga që Fate Velaj përshkruan në romanin e tij “NILKON - kur Danubi takoi Nilin”, pjesë e dytë e një triologjie mbresëlënëse. E gjatë që nga Vjena në Vlorë e më gjatë bëhet kur kalon nëpër Ballkan. Akoma më tej zgjatet kjo rrugë kur itinerari në vazhdim do të jetë Egjipti. Rruga që autori përshkruan është plot ndalesa, me përjetime positive dhe negative, që nga ndihma modeste për refugjatët sirianë e deri tek sjelljet tipike ballkanase të policëve serbë. Rruga e tij është plot dije mbledhur nga takime të rëndësishme të jetës së tij me njerëz që duket se ia kanë ndryshuar ditën dhe kur them ditën pse jo edhe rrjedhën e jetës. Është ky rasti për të besuar në rëndësinë e kontakteve njerëzore e mbi të gjitha në dashamirësinë e njerëzve që besojnë se arti përmirëson kohën, se arti është respekt, është ndjenjë, është bashkim idesh të përbashkëta. Se arti ka fuqinë të ndryshojë botën!
Ndonëse janë kujtime vetjake romani nuk merr formën e një autobiografie, sepse autori e ka vëzhguar me vëmendje jetën e ambientit që e rrethon duke e vënë veten personazh të ketij sfondi të mbushur me qytetarime të ndryshme. Ka fotografuar brenda "objektivit kujtesë" çaste të jetës së thjeshtë vjeneze që të kujton se sa e ngjashme është me tonën kur i kërkojmë fqinjit sheqerin, vajin apo televizorin, që të kujton se sa e ndryshme është ajo me tonën në botëkuptimin mbi perceptimin e realitetit dhe kënaqësive që duhet t’i marrim jetës apo në mentalitete të ngurosura prej kohësh. “NILKON” është romani që shkrin realitetin me kufijtë e fiksionit, që të bën të përpiqesh të gjesh se ku mbaron e vërteta dhe ku fillon trilli artistik, është romani ku ndërthurren tri botë; ajo vjeneze, ballkanase dhe egjiptiane të cilat lidhen përmes një ngjyre, asaj të ujërave të Danubit dhe Nilit. “Danubi- thotë shkrimtari - nuk përbëhet vetëm nga uji. Ai është gjithashtu shpirti i vendeve ku kalon”. Është e vështirë ndonjëherë të perceptosh ngjyrën e ujërave të një lumi e aq më tepër kur bëhët fjalë për lumenje si Danubi e Nili, sepse atyre u ndryshon ngjyra e ujit sipas rrjedhës ku kalojnë dhe stinëve që koha zbraz mbi ta. “NILKON" është udhëtimi i një njeriu që tashmë ka prekur famën dhe kush bën një rrugëtim ka ç’të tregojë. Është udhëtimi i njeriut që na tregon se jeta duhet të rrjedhë gjithnjë si ujërat e lumit. Uji që rrjedh nuk qelbet kurrë!
Takimet me botën myslimane të krijojnë një imazh të plotë të saj, nganjëherë të ndryshëm nga ajo që kemi perceptuar ne apo nga ajo që kemi ngulitur në botëkuptimin tonë, madje të ndryshon edhe pikëpamjet që me sa duket i kishim krijuar gabim deri në momentin kur lexojmë romanin. 
Fate Velaj ka aftësinë për të rrëfyer shkurt çdo gjë që ka jetuar, por edhe të stërhollojë ato çaste që i duken të rëndësishme, sidomos çastet e punës para hapjeve të ekspozitave tek të cilat ai shpalos shpirtin e piktorit. E rëndësishme në këtë rrëfim është fakti se tregohet bukur jeta e vëzhguar me sy të mrehtë, perceptimi i gabuar i mentaliteteve që ka prekur nga afër dhe forca që ka arti për të kapërcyer kufinj dhe për të bashkuar njerëzit.
Kjo triologji që Fate Velaj na ofron, bëhet dukuri në letërsinë shqipe, pasi nuk është se ne në letërsinë tonë kemi modele të shumta të këtij zhanri, madje ky është rrëfimi me qëllim, për të sjellë të tjera vlera në letërsinë shqipe. Dikur për pjesën e parë të romanit kam thënë se: “Nëse një ditë do të më duhet të shkruaj anjë roman, ai do të ishte pikërisht si ky” dhe jo për ngjarjet që trajton, por për lehtësinë me të cilën ky autor e shkruan frazën, e ngjiz mendimin dhe e përcjell në mënyrë të thjeshtë, por tepër solide tek lexuesi. I gjithë ky mendim i shprehur përshkruhet pastaj nga një fije e hollë humori, një ironi e lehtë e pranueshme kur vjen puna për të kritikuar veten dhe pa e kaluar cakun për t’u kthyer në sarkazmën që nganjëherë na lë dhe një shije jo të mirë. Në fakt një nga pjesët më të bukura në roman është edhe rrëfimi për udhëtimet, përgatitja shpirtërore për t’u nisur diku, për t’u rikthyer diku, për të zbuluar vende të reja, jo vetëm sepse këto përbëjnë emocion, por sepse përshkrimi i natyrës nuk rrjedh prej fjalëve të një shkrimtari, por prej penelit të një piktori. Duke lexuar për udhëtimit kupton se ato janë një filozofi më vete e njeriut që u rrit përmes tyre, në fillim ëndrrës për të udhëtuar e më pas konkretes për t’i prekur nga afër ato. 
Romani është emocionues sidomos në përshkrimin e ditëve të parafinalizimit të punës konkrete; hapjes së ekspozitave dh eti si lexues përjeton ankthin e protagonistit të romanit, i cili shqetësimet e tij na i përcjell si të ligjshme e të domosdoshme para finalizimeve të mëdha e që në roman janë pikërisht tri të tilla të përshkruara deri në detaje. Suksesi i këtyre ekspozitave kalon nga ankthi se si do të pritet tek konkretizimi i një pjesëmarrjeje të madhe për të treguar se puna e suksesshme e një artisti është e përbotshme dhe se kur puna është serioze ajo fiton besimin e të gjithëve. 
Zakonisht, në romane ne i kërkojmë heronjtë gjysmë realë ose gjysmë të rremë, sepse duke qenë gjysmë të rremë ne përfytyrimet tona i ndërtojmë me hamendje dhe sepse kështu nuk njehsojmë jetën e heroit me atë të autorit ama ne gjithnjë kërkojmë fakte reale, jetësore të prekshme sepse kështu shuajmë kuriozitete dhe fakte reale në roman ka shumë ashtu siç ka edhe fakte joreale, të cilat duke u treguar me mjeshtëri fine nuk është se i dallon lehtësisht. 
Rrëfimi i ngjarjeve në roman që nga shkarkimi i një kamioni me plaçka, dy qen e dy mace e deri tek rrëzimi i kullave binjake nuk merr përsipër të na tregojë se ç’është e drejtë dhe jo e drejtë, por në fund ti e kupton se ajo që është e mirë dhe e drejtë arrihet me vullnet dhe këmbëngulje. Romani ka episode të veçantë që nga humbja e një aparati fotografik e deri në rrënimin e ndërgjegjes të një babai të zhgënjyer prej të birit terrorist. Për t’i përmendur të gjitha detajet apo episode që e bëjnë romanin unik duhet mjaft kohë, por ama “të verdhën” që dikur ishte pjesë e vjeshtës dhe e tabllove tani e gjen të shtrirë në një sipërfaqe tejet të madhe siç është shkretëtira e Saharës dhe në një kollare funksionari.
Për të folur për romanin nuk mund të ndalesh dot, por unë i kam huazuar një shprehje Çurçillit kur thoshte se: “ Një fjalë e mirë duhet të jetë si fustani i një gruaje, mjaftueshëm i gjatë për të mbuluar subjektin dhe mjaftueshëm i shkurtër për të zgjuar interes”…

Korçë, 23.4.2019