poetry, essays and narrativas (copyright ©)

profeti që nderohet në vendin e tij

 

…rruga e kthimit nga mistelbach-u nuk po më dukej dhe aq e gjatë sa ajo në vajtje. sado që nga vienna e deri aty nuk janë më shumë se 40km prapëseprapë vajtja mu duk e pafund…

…kisha qënë në inaugurimin e hermann nitsch muzeum…qëndroja aty dhe gjatë gjithë kohës sytë i’a kisha ngulur masës së madhe të njerëzve që kishin ardhur t’a nderonte nitsch-in. mund të ishin më shumë se 3000 veta. i shikoja ashtu në heshtje dhe mendoja se si e ku mund të ishin njohur me gjeniun…patjetër qe sejcili prej tyre kishte kujtimet e tija. ndoshta jo të gjthë por, prapë kishin ardhur  edhe për të vetmin qëllim ngaqë donin të ishin deshmitarë të kësaj ngjarjeje.
…ashtu duke ndejtur filluan dhe tek unë të riktheheshin kujtimet e takimeve të mia me gjeniun…

m’u kujtua takimi ynë i parë aty në prinzendorf, në kështjellen e tij. bisedonim për expon që do organizoja në athinë…m’u kujtua kur vajta në aeroportin e athinës dhe e prita…e cova në hotel…e solla në hapjen e expos e më vonë shëtitëm nëpër athinë…
m’u kujtua edhe ajo ditë e bukur e 15 marsit 2006 në tiranë kur ai erdhi ashtu qetë-qetë. nuk kërkoi as honorar as salltanete…çdokush e kujton atë mbrëmje në akademinë e arteve në tiranë ku ai dha një leksion mbi të famshmin "teatër i mistereve dhe orgjive". erdhi pa fjalë e zhurmë, u mjaftua vetëm me një ftesë të mikut dhe admiruesit të tij të madh, fate velaj. miqtë e tij te rinj, profesorët e akademisë së arteve gaz leka e najada hamza, ad isufi e edi hila, ali oseku e tan peqini, krenar zejno apo njerëzit e letrave visar zhiti e luan topçiu e shumë të tjerë kujtojnë atë mbrëmje të bukur tek restorant "tre furrat" ku kaluam tërë natën e festuan me gjeniun. sigurisht m’u kujtuan edhe gjithë ato gazeta e tv stacione që i bënë jehonë ardhjes së tij. m’u kujtua gjithashtu edhe ndonjë letër anonime dërguar e botuar në ndonjë gazetë, apo shkrimi i ndonjë psikologu a filologu që hidhte munxa kundër gjeniut dhe veprës së tij. edhe mail-et e disa të tjerëve që shkruanin se në shqipëri nuk ka drita e ujë, shumë veta nuk kanë as të hanë ndërsa fate velaj sjell hermann nistch që ther lopë e iu fut femrave zorrë e melçi brenda...
m’u kujtua edhe...
të gjitha m’u kujtuan, në hapjen e muzeut të gjeniut.
 
qeshi çiltërsisht si një fëmijë, kur më pa aty pranë tij në mes të më shumë se 3000 vetave të ardhur nga gjithë austria, italia, franca e gjermania, suedia, zvicra e çekia, brazili e australia, usa e kanadaja e deri më larg. shume të ftuar nuk gjenin vend në sallë dhe ju desh të shikonin hapjen në ekranet e vendusura jashtë...duartokiti salla kur kryetari i bashkisë tha: „…kanë ardhur edhe miq nga shqipëria“. shqipëria që diti ta nderojë gjeniun. akademia e arteve e beri "anëtar nderi" të saj e që diploma tashmë është në muzeum. gëzoi gjeniu kur më pa, qeshi e ma bëri me dorë. edhe e shoqja e tij rita nitsch gëzoi. qeshën me romel-in, djalin tim. ishte i vetmi fëmijë në sallë. e njoh prej vitesh gjeniun…e shihja ashtu dhe ndjehesha i lumtur që kisha hyrë aq thellë në jetën e tij.
...ishin kambanat e qytetit që ranë për 3 minuta pa ndërprerje e që sinjalizonin lajmin e inaugurimit të nitsch muzeum. më vonë do të ishte kryetari i bashkisë që do prezantonte orkestrën e qytetit e cila interpretoi uverturën " zur weihe des hauses" kompozuar për këtë rast nga vetë gjeniu, hermann nistch.

fjalën solemne e mbajti guvernatori i landit i cili nuk e fshihte dot gëzimin e madh që ndjente. ai foli për gjeniun, për artistë të tjerë të krahinës së tij…ai do te citonte se hermann nitsch muzeum është me i madhi muze për një artist të gjallë ndërtuar në botë. mbas guvernatorit do te ishte vete gjeniu që do të ngrihej në podium. i shoqëruar me ovacione ngjiti shkallet e podiumit. u përlot gjeniu. fjalët e tija të para ashtu me zë të dridhur nga emocionet. falënderoi te gjithë ata që i janë gjendur pranë në kohët më të vështira. "...unë nuk jam gjeni tha. unë punova shumë, vuajta shumë, u gëzova shumë, rezistova shumë dhe ndoqa rrugën time...." ishin fjalët e gjeniut.
…më vonë do të ishin prifti i katedrales se herzogenburgut, ai i mistelbachut dhe ai i kishës evangjeliste të krahinës të cilët do të bekonin këtë ndërtesë dhe muzeun hermann nitsch…ata folën për rëndësinë e veprës së nitsch-it si një frymëzim mes modernes dhe  besimit.                       
"arti i mirë është besim i mirë" thanë ata…

fate velaj – rruga mistelbach-vjenë, qershor 2007

më shumë informacion mund të gjeni tek views of activities http://velaj.com/?cid=1,103,181