poetry, essays and narrativas (copyright ©)

motel džep

...sapo e kisha paguar pjesën e fundit të autostradës ose siç quhet në serbisht "Putarina" dhe vazhdova përsëri rrugëtimin. Dija se diku më tutje ndodhej qyteti Leskovac. Fillova të mendoja se ndoshta do ishte më mirë ta kalonim aty natën.

Jo, - po më  thoshte një zë i brendshëm. Do humbasësh më shumë kohë.

Vendosa të ndaloja tek Motel Džep, pak më shumë se 30km më tutje.

Tashmë, unë mund ta quaj veten klient i vjetër i tij mbasi aty, sa herë që rrugëtimi do ta sjellë të ndodhem mbasdite këtyre anëve do të ndaloj për kafe të cilën ma sjellë vetë Vlada, pronari.

Ai, kur më sheh të ulur tek veranda, vjenë e më ulet pranë dhe si gjithmonë, fillon të më pyes nga kisha qenë e së fundmi për Erwin-nin, shokun tim piktor nga Salzburgu.

Ma kujton gjithmonë Vlada atë natë të bardhë dëbore kur të porsakthyher nga ekspozita që kishim pasur në Ohër, në një plevit e në një tufan të pa përjetuar më pare, gati sa nuk n'a luajtën nga mendtë e kokës punonjësit serb të doganës në Preshevë të cilët, bënin sikur kontrollonin dokumentat tona duke n'a lanë me orë të tëra jashtë në pritje deri sa, më në fund, pasi u bëmë "esëll", e kuptuam se mbas sharjeve tyre të herëpashershme "jebemti majku u pičku i sestru u guzu" nuk qëndronte ndonjë moskuptim për ndonjë paqartësi në dokumentacion por thjeshtë tërbimi i tyre mbi "trashësinë" tonë që s'po e kuptonim akoma që duhet tu jepnim ndonjë Euro apo Dinar.
Kishte shkuar ora tre e mëngjesit dhe me dëborën që na përplasej xhamave të makinës vendosëm të flinim gjëkundi. Udhëtimi për në Vjenën e largët në atë bardhësi që sa vinte na dukej se zbardhej akoma, ishte gati e pamundur. 
Sapo ishte duke ardhur drita e ditës së re kur, një tabelë anës rrugës informonte se mbas 5km, ndodhej Motel Džep.

I rashë ziles aq e kaq herë dhe kur vumë re se asnjë nuk po e hapte derën, shkuam tek makina dhe filluam t'i binim borisë deri sa, tek dritarja e katit të dytë, lëvizi perdja. Nuk do të zgjaste shumë kur degjuam kërcitjen e derës dhe përpara nesh u shfaq një burrë aty te 50-at të cilit, akoma pa i thënë "dobro jutro", e pyeta "imate li slobodnhi soba"?

Ai i hodhi një shikim rrugës së mbushur si dhe tavaneve të makinave plotë dëborë, na i bëri me dorë të hynim brenda dhe bashkë me të, u ngjitëm në një papafingo në katin e tretë për të hyrë brenda në një dhomë që ishte aq e ulët saqë fillimisht menduam se duhet të ishte dhomë fëmijësh por që nuk i bëmë naze sepse e kuptuam që vetëm ajo duhet të ishte e lirë.

I thashë të zotit "hvala", mbylla derën dhe u futëm shpejt nëpër krevatë...
Edhe kësaj here, Vlada, sa më pa që isha ulur në verandë, u afrua dhe mbasi i hodhi një sy djalit tim duke e shoqëruar atë nga këmba te koka, e lëvizi kokën sa majtas-djathtas, si të donte të thoshte "sa qënka rritur".

Pas pak ai u çua përsësri,  u fut brenda dhe nuk zgjati shumë kur më solli filxhanin e kafesë në pjatën e së cilës, kishte vënë dhe një llokum.
Ndejtëm dhe pak aty nën hijen e pemëve dhe vazhduam rrugën për Pogradec.

Po e ndjeja se nuk e kisha më atë dëshirën time të përhershme për të udhëtuar. Dielli i gushtit që na kishte shoqëruar gjatë gjithë ditës dhe pritjet e gjata nëpër „putarina“ e kishin bërë të tyren .

Vendosëm të ndalonim në Vranjska Banja, një stacion termal pa hyrë në qytetin Vranje.

Akoma pa pyetur nëse në hotelin “Zelezničar” kishte dhomë bosh apo jo, i thashë kamarierit të më sillte nje "Jelen Pivo".
U ula në terrasë dhe me sytë humbur në pyllin e dendur e parkun plotë lule që e rethonte godinën, prita sa erdhi kamarieri me tabakanë me shishen e birrës. Shpejt do të ndjeja se kisha pirë gati gjithë shishen. Nga etja fillova të përforcoja idenë se "Jelen Pivo", është birra më e mirë në serbi.

Kamarieri kthehu kokën nga unë dhe atë moment, me gishtin tregues të dorës së djathtë, i lashë të kuptohej se duhej të më sillte dhe një shishe tjetër.

 

Vranjska Banja, e premte, 2 Gusht 2012