poetry, essays and narrativas (copyright ©)

igra bez granica

…isha duke u kthyher nga një takim, kur, duke pritur të hapej semafori, do më kalonte një makinë që i kishte lenë dritaret hapur nga ku dilnin tingujt e një kënge që m'u duk e njohur...
semafori u hap dhe nuk kisha kaluar akoma në trotuarin tjetër dhe m'u kujtua që ishte "igra bez granica" (lojë pa kufi) e këngetarit më të famshëm maqedonas, toše proeski.
duke vazhduar rrugën për shtëpi, filloi të m'ë kujtohej ai tetor i vitit 2007 kur, me ftesë të aleksandar petreski-t, kryetarit të bashkisë së ohrit, në galerinë kombëtare të maqedonisë në ohër, së bashku me erwin-in, shokun tim piktor nga salzburgu do të hapja expon internacionale "good morning, balkan". 
nga vienna isha nisur qysh në orët e para të mëngjesit dhe, mbasi kisha lënë pas austrinë, hungarinë dhe serbinë po i afrohesha shkupit, ku më duhej të ndaloja në ministrinë e kulturës ngaqë, kisha lënë një takim me betin, ministren elizabeta kancevska-milevska.
përpara se t'i afrohesha qytetit, kërkova të flisja në   telefon me të e t'i thoshja që për pak jam aty por, zilja binte dhe...beti, nuk e ngrinte.
vendosa të mos hyja në qytet por të vazhdoja rrugën për ohër kur, sapo i afrohesha tetovës, dëgjova zilen e telefonit dhe në display lexova të ishte beti e cila më tha se sekretaria e saj kishte tentuar të më kontaktonte e se i vinte keq që nuk mundej dot të takoheshim ngaqë asaj i duhej të ishte në një varrim në kruševo, një qytet shumë larg shkupit mbasi, në një aksident automobilistik në kroaci, në moshën 26 vjecare, kishte vdekur toše proeski.

hapa radion dhe mundohesha të kuptoja diçka, ndërsa të tjerat m'i merrte mendja.
ndalova diku në një restaurant anës rrugës për të ngrënë drekë dhe shihja në tv një ceremoni mortore ku shihej një popull i madh dhe gati të gjithë, që nga presidenti si dhe e gjithë qeveria...
në mbasdite vonë mbërrita në ohër.
zura dhomën e hotelit që më kishin rezervuar dhe nga darka vendosa të dalë shëtitje në promenaden buzë liqenit...
po i afrohesha sheshit të qytetit ku nga larg, fillova të vija re se aty, te monumenti i shën kliment ohridskit, ishte ngritur nje mal i madh me lule ngjyra e të cilave herë dukej e herë zhdukej sa herë që era e lehtë që vinte nga liqeni përplasej me flakët e qirinjve të ndezur, pranë të cilave, djem e vajza qanin për tošen, ose më mirë për jetën e tij, ashtu siç ai vete e dëshironte, si "igra bez granica", si një lojë pa kufij...

 

fate velaj - 5 nëntor 2015