poetry, essays and narrativas (copyright ©)

17 prill

 17 Prill

...nëse sot, ky mëngjes, do të ishte i njejtë me ato të 25 viteve radhazi, të parën gjë që do të bëja, do të merrja telefonin dhe, do të formoja numrin +35533224227

Por, edhe sot, këtë mëngjes, unë e formova përsëri numrin...

Zilja binte, por asnje nuk e ngrite.. 

Nëna ime që çdo 17 prill, qysh orët e para të mëngjesit priste këtë zile, nuk mundet më t'a ngrejë...dhe unë, sado që e dija,

...prisja.

Ndoshta të dilte operatori telefonik e të më thoshte: prisni në linjë ju lutem, jemi duke ju lidhur...me varrezat e qytetit.

…nese sot, ky mëngjes do të më gjente në Vlorë, të parën gjë që do bëja, ishte ajo që, sa të zgjohesha, do shkoja tek nëna ime që pinte kafen pranë telefonit duke pritur telefonatat e fëmijve, nipërve e mbesave, do e puthja duke i thënë: „gëzuar ditelindjen Afro“...dhe ajo,

do çohej e do më bënte kafenë. 

Dhe, si gjithmonë, nëse në këtë 17 prill do të isha në Vlorë, do e merrja nënën time e do shkonim për drekë, në Radhimë, aty ku dhe ajo ndihej qetë e ku, të gjithë e sajdisnin, e shoqëronin, e dëgjonin.

Dhe, kur flinim andej, qysh në orët e para të mëngjesit, sa pinte kafen, avash avash, dilte te bregu dhe ulej tek një nga gurët buzë detit duke pare qetesine dhe thellesine blu të tij, përballë anijes së Baçit që, siç dukej, priste t‘i sillte diçka…nga larg…

diçka që prej kohësh i mungonte ose, atë vetë, t'a merrte e diku...

t'a çonte.

 

Vjenë, e mërkurë, 17 prill 2014