poetry, essays and narrativas (copyright ©)

srebrenica

Srebrenica

Atë mëngjes të 10 korrikut 2009 isha nisur qysh herët nga Vjena dhe kisha marrë rrugën e gjatë për Vlorë. Me vete kisha edhe djalin 11-vjeçar, i cili sapo kishte mbaruar shkollën. Mbasi kishim lënë pas qytetin e Graz-it dhe kishim hyrë në Slloveni, bëra edhe pushimin e parë sa për të pirë një kafe dhe për të vazhduar më pas rrugën për Kroaci. Në autoradio, me ato njohuri që kam nga gjuha e tyre, dëgjoja të flitej për Srebrenica-n dhe për vitin e katërmbëdhjetë të masakrës që do përkujtohej të nesërmen.

Ndalesën e dytë e bëra diku në një autogrill përpara se të shkoja në Zagreb dhe në TV pashë sekuenca nga ngjarja e asaj kohe, e trishtë dhe e dhimbshme sa s’ka më. Hapa hartën dhe fillova të shikoja se nga kalonte rruga për në Srebrenica dhe vura re që ishte komplet në anën tjetër të asaj që kisha ndër mend të përshkoja për të ardhur në Shqipëri, për të cilën do më duhej të ndryshoja kursin e udhëtimit si dhe të bëja gati 500 km më shumë.

Vazhdova rrugës duke dëgjuar radion që fliste akoma për të dhe në hyrje të Zagrebit, aty ku ndaheshin edhe rrugët, u paraqitën tabelat me drejtimet e ndryshme: Rijeka-Split-Dubrovnik, Slavonski Brod... Shikoja tabelat dhe nuk e di pse dora ma kthehu timonin për nga kjo e dyta. Instinktivisht, vazhdova rrugën duke sqaruar djalin për këtë devijim të kursit dhe duke i treguar për atë që kishte ndodhur katërmbëdhjetë vjet më parë.

Lamë pas Slavonski Brod dhe po i afroheshim Županja-s. Dola nga autostrada dhe mbas disa kilometrash hymë në Bosnjë. Pamjet filluan të ndryshonin, po kalonim mespërmes qytetit të Tuzla-s dhe rrugëve të ngushta mes qytezash e fshatrash për të mbërritur pasdite vonë në Srebrenica.

Rrugët deri në qendër të qytetit ishin plot me njerëz dhe makina të ndaluara majtas e djathtas, sa na u desh disa herë të ktheheshim pas për të gjetur ndonjë tjetër. Nga dritarja e makinës, në krah të djathtë, shihja varrezat dhe njerëz që hapnin gropa të reja. Kuptova se të nesërmen do të varroseshin të tjerë, të gjetur në ndonjë varrë masiv ditët e fundit.

Më tutje, në ngjyrë blu të shpëlarë e ndryshku, dukej ish-fabrika e famshme e baterive që ato ditë të korrikut të vitit 1995 mbajti të ngujuar mbi tetë mijë burra, në pritje të së nesërmes e së pasnesërmes, për t’u vrarë buzë kanaleve e gropave të mëdha. Vazhdova rrugën për në qendër të qytetit. Gjendja aty ishte akoma më e mjerë. U ula në një nga kafenetë dhe pasi piva një kafe, fillova të fotografoja godinat që nëpër fasada kishin akoma vrima plumbash e predhash, si dhe portrete burrash që pinin kafe me shikimin e humbur thellë nëpër errësirën e kujtesës.

Po errësohej. Pyeta për ndonjë hotel, por m’u bë e qartë se në Srebrenica kishte vetëm dy të vegjël. Më treguan me dorë se nga i binte rruga për te njëri prej tyre dhe pas pak u gjenda te porta e një ndërtesë të vogël, nga tarraca e së cilës vinin zëra në gjuhë të ndryshme.

U ngjita sipër dhe pyeta se mos kishte ndonjë dhomë të lirë. Duke dëgjuar vajzën e recepsionit që më sqaronte se për datën 11 korrik të gjitha dhomat në Srebrenica rezervohen qysh një vit më parë, shihja njerëzit në tarracë me aparatet e tyre fotografike e kamerat mbi tavolina, për të m’u bërë e qartë se ishin media nga e gjithë bota.

Fillova të bëhesha merak se ku do e kalonim natën. Rruga deri aty kishte qenë e mundimshme. Fakti që me vete kisha edhe djalin, tek i cili lodhja ishte stampuar në ngjyrën e fytyrës, e shtonte akoma më shumë merakun.

U ula në një tavolinë dhe porosita diçka për të ngrënë. Duke u hedhur sytë fotografive në mure, dallova shumë personalitete botërore që duhet të kishin qenë aty dhe diku më tutje, mes tyre njoha edhe Wolfgang Petritsch-in, ish-përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnjë, i vendosur aty direkt mbas marrëveshjes së Dayton-it.

Vazhdoja të qëndroja duke parë fotografitë dhe duke pritur kamerierin. Tek tavolina m’u afrua një burrë i cili më pyeti nëse vinim nga rrugë e gjatë. Pasi dëgjoi itinerarin tim, filloi të më shfajësohej që s’mund të më ndihmonte me ndonjë dhomë hoteli.

Në bisedë e sipër më tregoi për eshtrat e mbi tetëdhjetë personave që sapo ishin gjetur, varrimi i të cilëve do të zhvillohej me një ceremoni të nesërmen.

Dëgjoja akoma burrin dhe duke parë që ishte errësuar, vendosa të ngrihesha e të shkoja në ndonjë qytezë pranë, por papritur ai më tha se nëse dëshironim, mund të akomodoheshim te shtëpia e motrës së tij, te një rrugicë aty pranë, e cila jetonte vetëm me mbesën pesëmbëdhjetëvjeçare, pasi të shoqin dhe të birin ia kishin vranë atë ditë të 11 korrikut 1995.

Ashtu i trazuar nga ajo që dëgjova, i thashë faleminderit, por nuk do doja t’i shqetësoja. Do kërkoja ndonjë sobe (dhomë) tjetër, por ai këmbënguli duke më thënë se tashmë është vonë dhe në të gjithë Srebrenica-n e rrethinat e saj sot nuk ka dhoma të lira.

U nisëm për te shtëpia e motrës së tij, ku qysh në hyrje dalluam një grua të moshuar, nga buzët e së cilës doli një: Dobrodošli! (Mirë se vini!), nën shikimin e dy syve plot igrasi nga lagështia e lotëve të patharë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

Hymë brenda dhe ai, mbasi i tha motrës se jemi të huaj dhe do flemë aty atë natë, iku dhe na la vetëm.

Të nesërmen do të më zgjonte përplasja e shiut nëpër dritare. Pasi u përpoqa ta bindja plakën të paguaja fjetjen, m’u desh të shkoja në një market aty afër për të blerë diçka për vajzën e vogël dhe u nisëm për te varrezat ku sapo kishte filluar ceremonia përkujtimore e ku, çuditërisht, shikoja ca kunja të bardhë druri varresh dhe pak më tutje ca arkivole jeshile dhe ca plisa të lagur që prisnin të mbushnin gropat e thella.

Ndenjëm derisa ceremonia mbaroi dhe shkuam te makina. Morëm rrugën e gjatë të kthimit duke kaluar kufirin mbi lumin Drina me Serbinë. Shiu i pafund dhe mjegulla e dendur na shoqëroi pa ndalim. Duke lënë pas qytetet Uzhicë e Çaçak, mbas katër orësh dolëm në autostradën Beograd-Nish dhe vazhduam për në Shkup, për të mbërritur në darkë vonë në Gostivar tek hotel “Ballkan”.

 

Gostivar,

e diel, 12 korrik 2009