poetry, essays and narrativas (copyright ©)

welser-möst

Welser-Möst

...unë nuk e kam marrë vesh akoma se cilat ishin shkaqet e mërzitjes që çuan Franz Welser-Möst të dorëhiqej nga posti i dirigjentit dhe drejtorit artistik të filarmonisë së vjenës por, një mendje m'a do që duhet të kenë qënë arsye të forta se, mbas gjithë asaj kohe aty dhe aq e kaq sukseseve, nuk mundet robi të largohet vetëm e vetëm se nuk i pëlqen më njëri prej instrumentistëve.

Sidoqoftë, interesi më shoqëroi për një kohë të gjatë sado që dhe koncertet e vitit të ri, pa të në krye të orkestrës, sesi më dukeshin. Nuk dua të them se dirigjentët e tjerë që erdhën pas tij nuk ishin të duhurit por, seç më ishte krijuar një farë afeksioni për të. Për atë elegancën që i ishte qëndisur fytyrës. Për atë pamjen aristokrate që më jepte përshtypjen se ishte dërguar posaçërisht nga Johann Strauß, mbas bisedave me Aloisia'n, stërgjyshen e Franz'it dhe miken e tij për të n'a treguar neve, të sotmëve se, kështu ishte dhe atëhere, kaq e qëndisur, kaq e stolisur e kaq e florinjtë koha kur ai vjenezi Johann Strauß kompozonte “Danubin blu” dhe, përpara se t'a shfaqte në publik, ja u paraqiste miqve të tij, aty te kafehaus “Dommayer”, lokali i saj, në të 13in distrikt të Vjenës.

Mua më kujtohet akoma mirë viti 2011 kur, me rastin e 20 vjetorit të ardhjes sime në Austri, familja më dhuroi bileta për sinfoninë nr.9, të Antonin Dvořák, atë me titull "From the new world” dhe aty në holl, përpara se të fillonte shfaqja, e pashë, të zhytur nëpër thellësinë e njerëzve të shumtë dhe kjo ishte dhe hera e fundit.

Nuk do të zgjaste shumë dhe unë rifillova  udhëtimet e mia të pafundme ndërsa ai, mbas pak, do të largohej për të vazhduar rrugën e tij, drejtimin e një filarmonie po aq të famshme, atje në "Botën e Re", në USA.

Ngjarjet do t'a sillnin që një ditë të fund tetorit, të asaj vjeshte të thatë të vitit 2014, kur gjethet prej kohësh kishin filluar të binin dhe njerëzit sapo kishin veshur rrobat e trasha të dimrit e nga sobat e ndezura nëpër çatitë dilte ndonjë fjollë tymi i avullt gri, një ftesë e ardhur nga Ohio e largët për të hapur një ekspo me fotografi në "Cleveland City Hall", do më gëzonte shumë jo vetëm për faktin se do paraqisja fotografitë e mia në një vend ku arti i fotografisë, dhe në veçanti, i fotografie që qëndron më shumë pranë meje është i ulur këmbëkryq në shiltenë pranë sobës por, se do më jepej edhe mundësia të shihja e dëgjoja nga afër orkestrën sinfonike të Clevelandit, e njërës prej "The big five" e më të famshmëve të amerikës, dirigjent dhe drejtor artistik i së cilës ishte, Franz Welser-Möst.

Të parën gjë që bëra përpara se të nisesha, lajmërova në bashki se dëshiroja me patjetër të takohem me Franz Welser-Möst dhe j'u luta të hynin në kontakt me zyrën e tij për të më lënë një takim me të.

Të nesërmen e mbëritjes në Cleveland, nga bashkia u lajmërova se ai, ato ditë nuk ndodhej në USA dhe me keqardhjen e pamundësisë së takimit, ashtu elegant dhe gentleman siç ishte, më kishte rezervuar dy bileta për në koncertin e së nesërmes, një perle të muzikës sinfonike amerikane, për “Harmonium-in” e John Adams ku mbi të cilat kishte lënë mbishkrimin:

“për Faten nga Vjena”.

 

Cleveland, Ohio - 8 Nëntor 2014