poetry, essays and narrativas (copyright ©)

kecskemet

Kecskemet

...më ka rastisur shpeshherë  që lindjen e diellit, t'a përjetoj autostradave të hungarisë. E kam parë atë të lind mbi kodrat e Tatabánya's, apo dhe më tutje, horizonteve  të Albertirsa‘s por, në të shumtën e rasteve e kam përjetuar të ngrihet si në një balet klasik, fushave të Kecskemet-it kur, nga Vienna për Vlorë, nisem mëngjeseve pa u gdhirë mirë.

E kam parë dhe e kam shoqëruar nga dritarja e makinës të ngrihet i bardhë mbi dëborën e janarit në dimër. Mbi ajrin e lagësht mëngjeseve të pranverës duke zgjuar lopët fushave të cilat nga dëndësia e mjegullës kërkonin njëra tjetrën.

E kam parë të verdhë behareve, më të verdhë se taksitë e Budapestit, të ngrihet mbi lulet e harlisura të diellit, më të verdha se ai vetë, apo duke u kacafitur mes leshrave të kallinjve të misrave nëpër fushat e pafundme, por, se kisha parë kurrë të ngrihej kaq të ngrysur e kaq të drobitur si këtë paravjeshtë, pa make-up e me fytyrë mehiti, mbi po të njëjtat fusha në të cilat, lulet e diellit, i ishin përshtatur si vëtë ai, ngjyrës së fytyrave të drobitura nga lodhja, bashkuar me lotet e djerset e pathara nga vuajtjet e një jete të lënë pas, e rruge shumë të gjatë të refugjatëve sirian që grumbuj grumbuj, i shihja nga dritarja e makinës të përshkonin në këmbë, autostradën Szeged-Kecskemet për të shkuar në Budapest e vazhduar akoma më tutje…

 

Autostrada Szeged – Kesckemet, 10 Korrik 2015