poetry, essays and narrativas (copyright ©)

mackanga

 

...ai ishte një "vlonjat" që këndonte me kitarë këngët e dashurisë. ai ishte një "shqiptar" që recitonte plotë ndjenjë vjershat e naimit. ai ishte vlonjati më i përvëluar nga dielli i korrikut dhe shqiptari më i ngjyrosur nga ai i gushtit, por, mbi të gjitha, ai ishte djaloshi më i buzëqeshur që mbaj mend akoma nga fëmijëria ime e paqeshur.

mua më kujtohen si tani kur, mbasditeve, mbas shkollës, venim te dhoma e tyre, aty te konvikti i mjeksores dhe ai, merrte kitaren në dorë dhe fillonte të këndonte këngët që as ne vetë nuk jua u dinim fjalët dhe, me të, bashkoheshin dhe ata që si ai, ishin bërë vlonjat e shqiptar dhe me zërin e tyre, të dalë si nga oazet e fjetura të  shkretëtirave të errëta, si dielli që j'u kishte  dhënë ngjyrën, këndonin për vajzat e bukura të bulevardeve të vlorës e atyre të kinshasa-s që j'u mungonte aq shumë...

një ditë të viteve '90, në qytetin ybbs an der donau, diku më larg vendit ku banoja në austri, më kapi një dhimbje e madhe dhëmballe dhe, duke kërkuar një dentist, pashë një tabelë që tregonte emrin e dr. jacques charles man-eng dhe duke menduar se duhet të ishte ndonjë doktor i huaj që, si shumë të tillë kishin ngelur nëpër austri mbas studimeve dhe hyra brenda ku pashë një burrë që më la përshtypjen e dikujt të ardhur nga afrika, pa e specifikuar nga.

filloi të më mjekonte dhe një moment, më pyeti se nga isha me origjinë, dhe unë, me gojën plotë pambuk, me nje zë të përgjakur e aromë arseniku, thashë "shqipëria"...

nuk do të zgjaste sekondi kur ai do më thoshte "...dmth flisni shqip" e ku sytë e mi të hapur deri në fund e me shikimin e humbur te llamba sipër aparatit, mes dhimbjes që po më shqyente kokën gati sa s'më dolën nga vendi.

më tregonte charly, sic e mbaja mend, kur fundjavave kthehej nga tirana ku studionte për të takuar miqtë e tij më të vegjël në moshë dhe që e shihja shëtitje bulevardit vlorë-skelë, ashtu elegant si zebra me kostumin me vija apo atë me kuadrata të vogla ngjyrë bezhë e ku netëve, do këndonin deri vonë e të nesërmen, do luanin paraditeve basketboll te fusha e shkollës mjeksore, ku, mes gëzimit të topit që hynte brenda rrjetës, llamburisnin dhëmbët e tyre të bardha si drita në errësirën e fushës së qymyrtë...

e pyeta doktorin për jozef mackanga, djalin me kitarë dhe më tha që është në belgjikë ose më saktë ishte, sepse sot, mësova se vlonjati i mirë nga kongo e largët, ai që i këndonte vlonjateve të bukura e recitonte naimin si të ishte diku në qetësinë e avullt të oazeve të shkretëriave të verdha, la amanetin e fundit, arkivolin e tij ta mbulonin me flamurin shqiptar dhe, ndërroi jetë.

 

fate velaj - 28.09.'15