poetry, essays and narrativas (copyright ©)

kartolina

...nga Lecco u nisa aty nga paraditja dhe ato 60 km deri në Bergamo vendosa mos t‘i përshkoja nga autostrada, por nga strada-lia, sado që zgjaste më shumë si udhëtim por që është një zakon i vjetër imi ky mbasi më jep më shumë mundësi për të soditur dhe veçanërisht për të ndaluar e fotografuar...

Më në fund u bëra mbarë dhe gjeta kohën të vizitoja qendrën historike në Bergamo të cilën në fakt kisha dëshiruar prej kohesh ta vizitoja por, sa herë që rruga do të më kalonte atyre anëve, do të ishte ose natën vonë, ose tejmase i lodhur nëpër autostradat e pafundme nga Vjena e kështu, vazhdoja udhëtimin për në liqenin e Lecco-s.

Atë ditë udhëtimi kishte qenë i qetë dhe përveç zbritjes së ngadaltë nga Rancio Superiore, lagjes së bukur në faqe të malit ku nga vila në të cilën banonin miqtë e mi, si në pëllëmbë të dorës shtrihej i gjithë qyteti buzë liqenit nuk e pata problem daljen nga qyteti dhe mora "strada statale" ku mbas disa ndalesave për fotografi u ula në një bar anës rrugës, pa hyrë në San Salvatore, një qytezë pak përpara se të hyjë në Bergamo.

Koha ishte me diell dhe ndenja në një tavolinë jashtë dhe mbasi i dhashë kamerierit porosinë, në pritje të ardhjes së tij hapa aparatin fotografik dhe fillova të shikoj ato që kisha realizuar gjatë rrugës.

Kamerieri erdhi dhe në qetësinë e natyrës përballë pija kafen dhe i hodha një shikim tabelave që orientonin rrugët ku njëra tregonte për djathtas "Bergamo 12 km" dhe tjetra për majtas "S.Omobono - Valle Imagna 11km“.

Me filxhanin e kafesë akoma në dorë e sytë e qepura te tabela e dytë fillova t‘u thërras kujtimeve se ku e kisha lexuar më parë këtë emër dhe me shikimin akoma thellë te tabela i hodha një sy luginës që ishte në atë drejtim...

Kërkoja të orientohesha nëpër kohë dhe me sytë e zhytur në thellësitë e pa ndriçuara nga dielli që se kishte kapërcyer malin përballë, mu kujtua ajo kartolinë aq e dashur që mbajta për një kohë të gjatë në bufe...

Ne fakt ajo kartolinë nuk më kishte ardhur mua, por Xhelës, burrit të Nafit, tezes sime nga një shok i tij mjek që bënte një specializim në Itali dhe për vitin e ri 1980, i dërgon atë kartolinë me urime. Për herë të parë unë atë e pashë kur vajta për të parë gjyshen në pushimet mbas vitit të ri. Atë pasdite thashë të shkoja nga tezja dhe sa hyra brenda, akoma pa u rehatuar mirë më ra në sy, aty te xhami i bufesë, vendosur mbi disa filxhanë, një kartoline e huaj me gjashtë pamje. U çova në këmbë dhe vajta te bufeja ku hapa kanatat dhe e mora në dorë për të parë se nga kishte ardhur ajo copë karton që me shkëlqimin dhe lustrën e saj e nxirrte gati jashtë loje llakun e zverdhur prej kohesh te asaj bufeje 11.000 lekëshe.

Me kartolinën në dore u ula përsëri te divani dhe s‘ja ndaja sytë atyre gjashtë pamjeve të stampuara në të duke kërkuar më kot të gjeja diçka të njohur apo mos vallë i kisha parë gjatë netëve të gjata përpara televizorit. Me të akoma në dorë mora filxhanin e çajit që tezja më solli dhe pa ia ndarë akoma sytë e pyeta se kush ishte ai që e kishte nisur atë kartoline. Tezja, një grua shumë e pashme e me modën e flokëve si në filmat Hollywood-ian, si të thuash partnere e Humphrey Bogart, në të tilla raste ta shtonte adrenalinën e pritjes duke marrë pamje e poza sikur ta kishte dërguar Papa i Romës atë kartolinë dhe, mbasi bëri sikur se dëgjoi pyetjen, si për të më detyruar mua që duhet ta formuloja ndryshe, me reverenca atë pyetje, kur pa që unë nuk e lëviza kokën dhe i kisha akoma sytë të qepura kartolinës, bëri sikur u ul te cepi i divanit, si për të lënë të kuptohej që pak do rri se kam gjithë ato punë nëpër duar me tha se një shok i ngushtë i Xhelës që kishte vajtur në Itali, ia kishte nisur përpara një muaji dhe kur kishte ardhur që andej, i kishte sjellë një kuti letrash bixhozi dhe një sapun “Camay”. Pa e ngritur kokën nga kartolina, me sytë akoma te pamjet e saj i thashë tezes të më tregonte sapunin dhe ajo sikur atë pyetje të priste u çua dhe vajtëm te dhoma e gjumit ku te komoja hapi një sirtar në të cilën mbante çarçafë e këllëfë jastëkësh ku flegrave të hundës mu përplas një fllad arome i çuditshëm dhe mbasi lëvizi disa nxori nga mesi i tyre një sapun mbështjellë me një karton ngjyrë lejla. E mora në dorë sapunin dhe e vendosa të hundët dhe me aromën që më depërtoi deri në qelizën e fundit të shpirtit, i hodha një sy çarçafëve që siç dukej tezja, e kishte vendosur jo për ta fshehur mes tyre, por më shumë për t'u dhuruar aromën e atij sapuni aq të bukur mbështjellë me atë letrën kapaku i së cilës ishte hapur qëllimisht për të dalë që andej kundërmimi i nektarit të luleve pasqyruar në kartonin mbështjellës qe duhej ishte përdorur për të bërë sapunin.

I mora dhe një herë erë sapunit dhe e futa në mes të çarçafëve dhe mbylla sirtarin dhe akoma me kartolinën në dorë vajta përsëri në dhomën e ndenjes dhe i thashë tezes të ma jepte mua atë.

Ajo u vu në pozitë dhe ngaqë s'dinte ç'të më thoshte mbasi i hodhi një sy bufesë që pa atë ngjante akoma dhe më e vjetër, më tha se Xhela nuk do t'ia ngacmojë njeri sendet e tija.

E vendosa kartolinën përsëri te filxhani ku ishte më parë dhe u ula përsëri te divani deri sa erdhi Xhela nga puna dhe prita momentin kur ai të vinte në qejf dhe, në momentin kur ai qeshi, që shpeshherë ishte pa arsye pse duhej qeshur, i thashë të ma jepte mua atë kartolinën në bufe. Xhela kthehu kokën nga bufeja si për tu kujtuar se për çfarë bëhej fjalë dhe në vend të më thoshte po apo jo filloi të më tregonte kush ia kishte nisur dhe gati gjithë historinë e miqësisë se tij me atë burrin. E pashë që ai u harrua nëpër kujtime dhe mbas pak u çova dhe u ktheva te gjyshja...

Rasti do të ma sillte që në pushimet e beharit unë të shkoja përsëri në Tiranë dhe si gjithmonë do të shkoja nga tezja kur kësaj radhe, në bufe, aty brenda saj, te filxhanët, pashë përsëri një kartoline, por që nuk ishte e para por tjetër e ku nga divani kuptova se duhet të ishte ardhur nga Franca mbasi në ato tetë pamje, vura re Kullën Eifel.

U çova përsëri nga vendi dhe hapa kanatat e bufesë dhe mora në dorë kartolinën dhe u ula te divani pranë derës dhe shikoja pamjet e saj që siç kuptova ishin të teta nga Parisi.

Nuk zgjati shumë dhe erdhi Xhela me gazetën dhe një bukë në dorë dhe mbasi filloi përsëri të më tregonte historinë e personit që nga Parisi i kishte dërguar kartolinën, prita rastin dhe e pyeta se ku e kishte atë të vjetrën, me pamje nga Valle Imagna e Italisë.

Ai u çua dhe hapi një sirtar të bufesë, aty poshtë televizorit dhe ma dha.

Pa e marrë mirë në dorë e pyeta nëse do të ma jepte mua atë dhe, pa më kthyer përgjigje, me lëvizjen e dorës më la të kuptoja se mund ta merrja.

Mora kartolinën dhe mbas dreke ika nga shtëpia e tezes dhe ne fund të javës mora trenin dhe u nisa për në Vlorë. Vendosa kartolinën te bufeja, aty në mes të dy xhamave të saj dhe nga kolltuku, herë pas here i hidhja nga një sy pamjeve të saj ku ishte paraqitur qyteza e San Omobono-s në Valle Imagna të cilën e dëgjoja për herë të parë dhe as që e kisha idenë se nga mund t'i binte në gjithë atë Itali të madhe, por që nga peizazhi rreth e rrotull më jepte përshtypjen se duhet të ishte diku mes maleve ku nëpër ato 6 pamje tregohej një rrugicë ku dukeshin një burrë e një grua që siç linin të kuptohej sapo kishin dalë nga psonisjet mbasi në dorë kishin nga një si zymbyl e ku nga tabela sipër një derë lexohej "Alimentari". Një pamje tjetër tregonte një urë ku në fund të saj dukej një godine 4 katëshe ngjyrë bezhë ku çuditërisht të gjitha dritaret ishin të mbyllura me qepena ngjyrë kafe e ku nëpër ballkone nuk pipëtinte gjë.

I hidhja sytë herë pas here bufesë dhe sa here që në "Intervallo" në RAI, në pritje të fillonte filmi apo dhe vetë lajmet, me sytë fiksuar te pamjet magjepsëse që jepeshin në ekran, kërkoja mos vallë mes atyre qyteteve të Italisë që paraqiteshin shoqëruar nga tingujt e muzikës si blegërima e deleve lëndinave plot lule me aromë "ashash-i" që na i dërgonte pa mendje e pa dashje RAI me anën e atyre notave te "Toccata-t" e Pietro Domenico Paradisi-t, do të dilnin dhe pamjet e kartolinës time.

Vazhdoja të shikoja kryqëzimin me filxhanin e kafesë akoma në dorë dhe nuk prita sa të vinte kamerieri por u futa brenda dhe pagova kafene dhe hipa në makinë e u nisa, jo për Bergamo, por për San Omobono duke iu ngjitur maleve nga ku shtrihej lugina, "Valle Imagna".

Mbas disa ndalesave për të fotografuar, më në fund, mbas gati gjysmë ore mbërrita te vendi i kartolinës së 25 viteve më parë. Parkova makinën dhe me aparatin në dorë dola qytetit për të kërkuar ato pamje që u bënë aq magjike për mua. Doja të hyja te ai dyqani "Alimentari" të blija dhe unë diçka si ai burri e ajo gruaja atëherë, të kaloja atë urën përballë atij pallati ngjyrë bezhë me shpresën se ndonjë nga dritaret do ishte hapur apo mos vallë në ballkon kishte dalë dikush. Të shëtisja dhe unë në atë rrugicën ku kishte parkuar një motor i kuq “Vespa” e që mua më dukej më e bukur se "Viale Mazzini" në Romë ku ndodhej vetë RAI.

Mbas një farë kohe, duke lëvizur sa andej këndej, u futa në një “Tabaccaio” dhe kërkova mos vallë gjeja atë kartolinën por, më kot.

U ula diku në një bar në Piazza dhe i thashë kamerierit të më sillte një shishe të madhe birre, të madhe që të kaloja sa më shumë kohë duke risjellë nëpër mendje kujtimet e dashura të asaj kohe me kartolinën nëpër duar dhe shikimin qepur te ato gjashtë pamje...

Fate Velaj

 

Vjenë, 29 Nëntor 2015