poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Tommaso

"Tommaso"
Requiem për Tommaso Giaracuni

Tommaso’n unë nuk e njihja. Madje, as që e dija nëse ai ekszistonte. Giusy, kuratorja e ekspozitës sime, nuk më kishte folur për të. Në fakt, as unë nuk e kisha pyetur ndonjëherë atë se ku jetonte e me kë jetonte.
Të enjten e 28 dhjetorit 2017, e pashë Giusy’n të hynte me kokën ulur në portën e madhe të Castello Aragonese në Otranto dhe, fillimisht, mendova se ishte duke lexuar diçka ne telefon. 
Mbasi mbarrova së piri kafen në lokalin përballë, u ngjita dhe unë sipër.
Hyra brenda sallës së madhe dhe vura re se kishin ngelur dhe pak fotografi pa u vendosur. Të nesërmen do të inaugurohej ekspozita ime “Face – beyond the identity”.
Lëvizja nga një sallë në tjetrën duke shikuar fotografitë e montuara mureve dhe u bëra gati ta pyesja por, kur ktheva kokën nga ajo, e pashë duke mbajtur nëpër duar një portret të cilit nuk po ja ndante sytë.
Vazhdova lëvizjen nëpër sallat e tjera ku montimi i fotografive kishte mbarruar dhe u ktheva prapë tek Giusy. 
E gjeta përsëri me portretin gjysmë të ngritur në duar. 
Ndejta pak larg dhe po e vëzhgoja. Kishin kaluar disa minuta që ajo e mbante në duar atë portret, pa e vendosur në murë.
Kthehu kokën nga une.
Vura re se ishte duke qarë. 
Pa zë. 
Pa gjeste. 
Shikonte portretin dhe lotët i binin çurk nëpër faqe. S’po kuptoja gjë. Pa i folur, pashë personin në fotografi. Ishte dikush që e kisha fotografuar disa muaj më parë por që, siç më kishin thënë, kishte vdekur pak pasi e kisha fotografuar. Hodha sytë nëpër sallën e gurtë dhe fillova të hulumtoja portretet e vendosura. Kërkoja se mos kishte ndonjë lidhje mes tyre dhe personit që Giusy mbante akoma në duar, pa e vendosur.
Nuk po kuptoja gjë. Nuk kisha as forcë ta pyesja. Ja mora fotografinë nga dora dh e vendosa tek gozhda që Paolo kishte ngulur qysh në mëngjes.
U kthyhe nga unë. 
Sytë i ishin skuqur flakërimë. Lotët, të thara e të freskëta ndriçonin në fytyrën e saj me një ngjyrë bezhë të pa ngjyrë. Vendosi kokën tek kraharori im dhe filloi të qante me një zë si i dalë nga dhomat e nëndheshme të kështjellës Aragonese ku, siç më kishin thënë, gjendeshin dhe eshtrat e shumë ushtarëve, madje, dhe të shumë banorëve të qytetit, shumë prej atyre 800 burrave që nuk kishin pranuar të ndëronin fenë kur qytetin e pushtuan turqit të cilët, ja u prenë kokën.
Vazhdone Giusy të qante me kokën mbështetur tek unë dhe, pas pak, e ngriti.
Më pa në sy me sytë e saj nga ku shikimi gjysmë i squllur nga egrasia e lotëve i ishte turbulluar dhe, pasi i hodhi dhe një shikim fotografisë, me zërin e mekur, më tha se, para tre orëve, Tommaso, vëllai i saj 40 vjeçar, ishte hedhur nga ballkoni dhe, kishte vdekur.

Otranto, 28.12.2017