poetry, essays and narrativas (copyright ©)

SEKTOR - ADRIATIK 2

SEKTOR-ADRIATIK 2

Për herë të parë atë fshat e pashë përpara katër vitesh, kur fundjavën vendosa ta kaloja në Divjakë. Paraditen e së dielës, pasi piva kafenë me Ruvin, erdha në idenë se dielli që më rrinte sipër do m’i mundësonte disa fotografi të ndriçuara. Mora makinën dhe u nisa për nga pylli i dendur aty pranë dhe as vetë nuk po e kuptoja se ku po më çonin rrotat, pasi mendjen e kisha të fiksuar te pamjet mahnitëse që më shfaqeshin për herë të parë. 
Pas gati 30 minutash nëpër rrugën pa rrugë, dola nga pylli dhe përpara meje u shfaq laguna e Karavastasë dhe një fushë e madhe gati e pafundë. Vazhdova udhëtimin duke ndaluar herë pas here e dalë jashtë për të fotografuar dhe, një moment, duke vëzhguar fushën në ngjyrë këllire e lëtyre, sytë, si nën një efekt mirazhi, ku rezet e diellit mbyteshin nga ajri që nxirrte toka e fushës me pak shkurre e gjeshtra, diku larg, ndoshta më larg imagjinatës sime të shfrenuar e matanë çdolloj krijimtarie informale, më kapën konturet e disa godinave gri, gri më e zbehtë se ajo e azbestit vdekjeprurës.
U mundova t’i afroja me objektivin e aparatit, por, si pa mendje, ndeza përsëri makinën dhe, duke i ndjekur me sy e pa kuptuar se ç’ishin, iu drejtova rrugës që të shpinte për atje mes dy kanaleve të thellë, anash fushave të kafta, akoma dhe më të shpifura se çdolloj kafeje tjetër.
Pas gati 10 minutash rruga mbaroi. Dola nga makina, mora aparatet fotografikë në duar dhe iu drejtova atyre katër godinave të grijta ndërtuar mbi kënetë, duke i lëvizur sytë majtas-djathtas me ndjesinë e fiksuar thellë në mendje se diku tjetër isha.
Qëndrova për një kohë pa dëgjuar pipëtimë në mes të atij sheshi të braktisur dhe ngrita sytë nga dritaret me xhama e pa xhama, kur nga njëra prej tyre, diku në katin e tretë, pashë tufën e flokëve si prej gjeshtre të një gruaje, e cila, sa vuri re shikimin tim drejt saj, u fut brenda duke e mbyllur dritaren aq fort, sa u dëgjua një e kërcitur e çjerrë, si çjerrja që po përjetonin nervat e mia nga ajo pamje meite.
Fillova të lëvizja sa nga njëri pallat tek tjetri dhe “klick, klick, klick” shkrepja aparatin duke fiksuar bidonë, bolierë, shapka e këpucë gjysmë të mbuluara nga lluca e balta dhe pak më tutje, një biçikletë me një rrotë. Kërkova me sy rrotën tjetër dhe ma zunë ngecur diku mes baltës dhe plehrave shpërndarë sheshit.
“Po fëmijët ku janë”, thashë atë moment me vete kur, duke hedhur sytë nëpër korridoret e godinave, pashë dy plaka veshur me të zeza, ulur shkallëve, që pinin kafe me xhezven akoma nëpër duar.
Isha duke iu afruar godinës së katërt, kur veshët më kapën disa zëra fëmijësh që vinin nga e djathta. Lëviza t’i shihja sa më shpejt, por ngrysja që më pësuan sytë ishte aq e thellë, saqë u transmetua në thellësi të shpirtit e u artikulua nga një “aber bitte, nein” e dalë prej buzëve të thara nga trishtimi që më kapi duke ndjekur lojërat e atyre fëmijëve që, mes baltës, hekurishteve dhe hedhurinave, qeshnin e luanin aq të çliruar duke më luajtur mua nga mendtë e kokës, kur i shihja duke u hedhur nga një hekur në tjetrin e nga një tavolinë me tre këmbë te një divan pa susta, nga gëzimi që dikush po i begeniste me klick-klick-un e një aparati gjerman, në një atmosferë e pamje që as gjermanët nuk do të mund ta linin ashtu, thërrisnin si të dalldisur: “O xhaxhi, o xhaxhi, o xhaxhiiiii! Fotografomë dhe mua, dhe mua, dhe mua...”.


Fate Velaj, 25 dhjetor 2017

 

Fshati Sektor-Adriatik u ndërtua në sistemin komunist si kamp internimi. Që nga rruga kombëtare deri aty janë gati 25 km dhe ato katër godina me parafabrikate janë ndërtuar në mes të kënetës e fushave kripore. Siç më thanë, njerëzit punonin në mes të diellit përvëlonjës behareve, shiut e ngricave dimrit, nëpër fushat pa bimësi, plot baltë e mushkonja, në shkripëzimin e fushave. Dikur, aty pranë ka qenë një fshat me emrin Bedat që, qysh nga emri më la shijen e diçkaje të shëmtuar, gjysmake, ashtu siç u thuhet rëndom atyre që as turqit nuk do u jepnin përgjigje, por do thoshin “musibet ne demek”. Dikur, nga vitet 1975-1976, toka aty uturinte aq shumë sa dëgjohej deri në Divjakë dhe, s’do kalonte kohë kur u dërguan inxhinierët e naftës me idenë mos gjenin gjë, por mbas aq e kaq kërkimesh u rikthyen përsëri nga u nisën, me veshët që u oshtinin nga uturimat e tokës që me dënesë vajtonte ata që mbante sipër vetes...