poetry, essays and narrativas (copyright ©)

DUNFRIES and GALLOWAY

 

Dumfries and Galloway

 

Më kujtohet një shi i imët. Aq i imët sa, kur më binte mbi kokë e trup, më dukej si gjilpëra e parë që më bënte mjeku nga pickimi i së cilës, ia bëja "ohhh".

Më kujtohet një mjegull gri e cila sa rrallohej aq edhe dendësohej, si të donte të më thoshte: “Ti do t’i shijosh këto peizazhe vetëm nëse unë do të të lejoj dhe do të ta mundësoj atë.”

Më kujtohen delet mes lëndinave, të cilat i pashë nga larg të kullosnin të qeta, por sa ndalova makinën dhe me aparatin fotografik fillova t’i fotografoj, u mblodhën grumbull pranë njëra-tjetrës dhe të habitura, shihnin aparatin tim Leica. Më kujtohen kuajt dhe lopët që s’e prishën terezinë nga aparati im gjerman. Nuk kam për t’i harruar kurrë tonalitetet e jeshiles që një herë më shfaqeshin të freskëta, të lagështa e të mërdhitura, dhe herën tjetër, kur dielli dilte pas perdeve të mjegullës, ashtu siç dilte në dritare nëna ime pas një kohe të gjatë pritjeje pas perdes kur kthehesha nga larg, shtynte grinë sa andej-këndej dhe dilte i plotë, për pak minuta, sa për të më lejuar të fotografoja ç’të më dilte përpara, kur shihte që unë pas një rruge të gjatë nëpër mjegull e shi kërkoja të gjelbrën dhe të verdhën e gushtit, dhe zhdukej përsëri thellë shtresave të hirta të qiellit të Dumfries-it and Galloway-t, maleve të Skocisë...

 

Trageti Dover-Dunkirk,

e diel, 1 shtator 2018