poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Eneida

 

Për herë të parë, Eneida’n e pashë kur duke inspektuar nëpër zonën time elektorale, në oborin e një shtëpie, sytë më ngelën tek një vajzë që futi kovën tek një fuçi e madhe plastike dhe e mbushi me ujë. Me kovën që e mbante me të dyja duart dhe këmbët që i dridheshin nga pesha e saj, hyri përsëri në shtëpi.

Kureshtja më shtyu të hyja dhe unë brenda dhe, duke i hedhur një vështrim asaj pamje që mu përplas syve, ku dritaret ishin të mbuluara me plastmas, dyshemeja gati e gjitha baltë, muret e çara e gri të errët e kabllot elektrike të zeza që gjarpëronin mbi të e që më dhanë përshtypjen se ishte radiografia e dimrit, tjegulla një këtu e një atje tutje të çatisë që më lejuan ta shihje qiellin matanë tyre, tek një tavolinë, ulur mbi një karrige, pashë vajzën e vogël që po bënte mësimet e shkollës.

Kthehu vështrimin nga unë e pa më pyetur kush isha e kë kërkoja, uli kokën përsëri mbi libër.

Dola jashtë.

Pas shtëpisë, diku në bahçe, vura re një kasolle me kallama e llamarina të ndryshkura dhe pranë saj, dy qen të mëdhenj që, sa më panë, filluan të lehnin. Me sytë akoma nga pjesa e pasme e shtëpisë, vrava mendjen nëse kisha parë apo jo një banjë brenda saj por, atë moment, një zhurmë e çjerrë që më çorri veshin më detyroi të kthej kokën kur, nga kasollja, u hap dera dhe prej saj, doli një grua e cila, e habitur dhe tërë frikë syve, hyri në shtëpi.

“Duhet të jetë banja” thashë atë moment me vete tek shihja atë masë llamarinash e dy qentë që sa panë që ajo u largua, më hodhën një shikim e tundën kokën si të donin të më thoshin: “Aq ishte! Tashti mund të hysh brenda.”

U riktheva përsëri tek shtëpia dhe e pyeta vajzën sesi quhej e sa vjeçe ishte.

-        Eneida, - mu përgjigj

Dola përsëri jashtë.

Nxora telefonin nga xhepi. Kërkova dikë dhe, pas disa zileve, dëgjova zërin e tij. Nuk kaloi as një gjysmë ore, dhe ai erdhi.

E pa gjendjen.

Pas dy ditësh, punëtorët e tij filluan t’i hidhnin shtëpisë çatinë e re dhe pas tyre, filluan të tjerët të vinin. Kush filloi dyshemenë e kush muret. Kush dyert e dritaret e kush instalimet elektrike. Kush banjën e kush orendite elektro-shtëpiake për t’ja dhuruar Eneida’s shtëpinë  e re në natën e ndërrimit të viteve…

 

Panaja, 1 Janar 2019