poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Nga Ötscher deri te porti i Vlorës

Nga Ötscher deri te porti i Vlorës

Fragment nga romani Kreuztanne

 

Ishte fundi i majit dhe m’u kujtua katalogu i madh me materiale pikturash që më kishte dhënë Richard Braun, piktori nga Scheibbs-i. Natyra përreth kishte lulëzuar aq shumë, sa nuk të bëhej t’i hiqje sytë nga ndriçimi që i jepte dielli. Mbas gjithë atyre shëtitjeve në këmbë ose me makinë nga një vend në tjetrin, kishte kohë që nuk kisha zënë bojëra me duar dhe po e ndieja që isha mbingjyrosur në brendësinë time e diçka më mungonte. Mora katalogun në duar dhe shikoja faqe më faqe e foto më foto. Materiale pa fund. Një fabrikë e tërë brenda.

Fillova të përzgjidhja disa bojëra, penela e telajo të markave e fabrikateve të ndryshme dhe në fund, thashë se edhe një kavaletë do më duhej. Mora letrën e porosive dhe vajta te posta ta nisja me faks.

Nuk do të kalonte java dhe te pallati u duk postieri me makinën që, normalisht, përdorte në dimër, mbasi në verë lëvizte në këmbë ose me biçikletë dhe herë pas here, kur kishte shumë postë, lëvizte me motor.

E pashë nga dritarja që erdhi makina e postës. Nuk do zgjaste shumë kur ndaloi pranë derës sime dhe trokiti. Hapa derën dhe pashë që pranë kishte dy kuti të mëdha kartoni.

- Postë për ty, - më tha duke qeshur.

- Për mua? Gjithë këto? Çfarë kanë brenda?

- Ku ta di unë çfarë kanë brenda. Nga Gjermania kanë ardhur, - më tha dhe pastaj nxori nga çanta një letër, të cilën e firmosa dhe i futa kutitë brenda. U habita mbasi gjithë ato kuti vetëm të mbusheshin donin kohën e tyre dhe jo t’i nisje për Austri, akoma më shumë për Kienberg.

Hapa kutitë dhe ç’të shihja. Bojëra pa fund, penela, letra akuareli, pasteli dhe lapsa pa fund.

I lashë ashtu në dysheme dhe duke parë se ç’mund të bëja me to dhe me cilat do e filloja më parë, mora në telefon Richard Braun-in për ta falënderuar dhe lajmëruar për ardhjen nga Gjermania të mjeteve të pikturës.

E pyeta se kur mundesha të hapja ekspozitën të cilën e kishim biseduar qysh në mars dhe më tha se do më kthente përgjigje sa të pyeste personin që merrej me to. Nuk zgjati shumë dhe më tha se nëse jam gati, mundej edhe për dy javë. Pasi biseduam, e lamë për në fund të qershorit.

U futa vërtet në mendime, sepse të hapja një ekspozitë nuk ishte e thjeshtë dhe përgjegjësia ishte e madhe. Unë nuk kisha studiuar pikturë dhe në fëmijëri shkoja nga Uji i Ftohtë me Yllin, shokun tim, ku, gur më gur e shkëmb më shkëmb, pikturonim. Më vonë, së bashku me të filluam një kurs pikture te Shtëpia e Pionierit, por e lashë shumë shpejt, mbasi topi i futbollit dhe ndeshjet me lagje te fusha e shkollës më merrnin një kohë të gjatë.

Ditët e ardhshme do të isha në ethe, ato të pikturës. Sa vija nga puna, të parën gjë që bëja mbasi hanim drekën, merrja letrat e akuarelit dhe dilja nëpër Kienberg, si atëherë në Vlorë, ku nuk lija gjë pa pikturuar.

Vazhdoja të pikturoja në temperaturën e lartë, nën ethet që më jepnin ngjyrat e reja, forca e të cilave ishte e madhe, ndryshe nga ato që përdorja ato momente që, normalisht, kishte kohë që s’i kisha përdorur dhe se duhet të ishin afër skadimit, se ishin bërë gati 3 vjet që kur xhaxhai m’i kishte nisur nga Amerika.

Në fakt, kur vajta në “Kreuztanne” ishte fillimi i gushtit. Më pas filloi vjeshta dhe akuarelet e krijuara atë kohë mbizotëroheshin nga të verdhat dhe okrat në portokalli, por tashmë, sado që ishte fundi i pranverës dhe së shpejti vinte i nxehti i korrikut, gjeja motivacione mes jeshileve të virgjëra që kishin pushtuar natyrën përreth dhe fusja mes tyre edhe disa nuanca të verdhash. Kisha vënë re se e verdha ishte e pandashme në pikturat e mia. E donte apo s’e donte peizazhi, e pranonte apo s’e pranonte piktura që realizoja, ishte pranverë ose dimër, e gjeja vendin ku e verdha mund të futej dhe të flinte e qetë mes ngjyrave të tjera dhe në pavetëdijen time më ishte bërë gati-gati e pashmangshme. Ngaqë ekspozita do të hapej në Scheibbs, nisesha pasditeve dhe fotografoja vende të veçanta të qytetit: sheshin e bashkisë, kishën e madhe, urën e hekurt dhe atë të romakëve mbi lumin Erlauf. Filmin e çoja me vrap për ta larë dhe filloja përsëri nga bojërat. Doja me patjetër të paraqitesha mirë në këtë ekspozitë.

Ishte e para, e madhe dhe fakti që do shpërndaheshin edhe ftesa dhe mund të vinin edhe vizitorë të shumtë e media, më bënte të mos ndihesha i qetë dhe kushedi sa herë në ditë i vendosja punët që kisha realizuar pranë murit ose jashtë te hyrja e pallatit dhe prisja sa të kalonte Rudolf-i, burri i zonjës Schuller, dhe fillonim të bisedonim gjatë rreth tyre. Gëzohesha shumë kur ai e njihte vendin të cilin unë e kisha sjellë në letër.

Fillimi i qershorit erdhi dhe unë tashmë isha bërë gati të hapja një ekspozitë të vërtetë. Mënjanë kisha hequr 45 akuarele të cilat mendoja se ishin të mira. I thashë Richard Braun-it të vinte të m’i seleksiononte, por më tha se ishte më mirë t’i përzgjidhja vetë.

Atë bëra. Vajta në Gaming, bleva korniza dhe letër të bardhë dhe fillova t’i prisja vetë sipas madhësisë së pikturës dhe të bëja pasportura. I montoja shpejt e shpejt dhe mbas disa ditësh, bëra çdo gjë gati dhe u nisëm për në Scheibbs për të montuar ekspozitën.

Hapësira ku do t’i paraqisja ishte e madhe dhe i takonte bankës “Raiffeisen”. Ata ishin bërë gati dhe po më prisnin. Fillova të vendosja pikturat dhe atë kohë erdhi Erich, një djalë që punonte aty, të cilin e kisha njohur edhe më parë, mbasi ishte një fans i grupit “Dire Straits” dhe një ditë më kishte treguar se kishte vajtur deri në qytetin e Linz-it për të parë koncertin e tyre.

Erich më pyeti se çfarë titulli kishte ekspozita ime, pasi i duhej ta vendoste nëpër ftesa. S’dija gjë dhe fillova të mendohesha.

Duhet patjetër, më tha, se kështu bëjnë të gjithë. Aty për aty, shpejt e shpejt, iu përgjigja: “Nga Ötscher deri te porti i Vlorës.” Në mendje më vajti se nuk kisha marrë me vete asnjë nga akuarelet e realizuara sipas kujtimeve nga Vlora.

Erich më tha se titulli tingëllonte intrigues dhe se shpresonte të vinin sa më shumë vizitorë.

Më 25 qershor, në orën 19.00 u hap ekspozita. Vajta gati një orë përpara me merakun për ta kontrolluar edhe një herë çdo gjë, nëse e kisha lënë vërtet në rregull dhe sipas asaj që do të më paraqiste më mirë. Ora erdhi. Qëndroja në hyrje dhe u jepja dorën duke i falënderuar njerëzit që vinin. Herë pas here ktheja kokën dhe shihja sallën që po mbushej. Erdhën edhe zoti dhe zonja Reitlinger, prefekti i Scheibbs-it, shumë miq e kolegë të punës, si dhe vizitorë nga Scheibbs-i e Gaming-u.

Ishte ekspozita e parë e vërtetë që hapja dhe mendimet se si do priteshin punimet e mia ishin vendimtare për të ardhmen time në pikturë, mbasi një dush i ftohtë aty, ose mosblerje e asnjërës prej tyre, do të më deprimonte aq shumë, sa do të më bënte të mos zija më bojëra me dorë. Nëse vërtet do të ishte e tillë, s’do më shkonte më mendja për pikturë dhe nëse një ditë do më shkonte mendja përsëri, do të ishte një zë i brendshëm që do thoshte: “Po çfarë humbet kohën kot me shkarravinat e tua. E pe vetë se s’ta fërshëlleu njeri në ekspozitë e s’ua hodhi njeri sytë punëve të tua. Ik, gjej ndonjë hoby tjetër dhe mos u bëj më komedi me ngjyra e bojëra.”

Qëndroja në mes të njerëzve dhe nën tingujt e një muzike që po interpretonin një vajzë e një djalë me violinë e flaut, shihja njerëzit e shumtë në sallë që afroheshin e diskutonin mbi punimet dhe shpeshherë i fotografonin ato. S’kaloi shumë dhe erdhi Erich, organizatori, i cili më dha disa letra të kuqe në formë rrethi dhe më tha se është një çift atje tutje që do të blejë atë peizazhin atje, atë me “urën e romakëve”.

Vajta dhe ata filluan të më tregonin se ishin dashuruar pas atij peizazhi dhe se për ta, ajo urë nuk bashkonte dy pjesë të qytetit të Scheibbs-it. Ajo urë i kishte bashkuar edhe ata vetë para 7 vjetësh, mbasi ai banonte në njërën anë të urës, ndërsa ajo në tjetrën. Më thanë se donin ta blinin dhe ta merrnin me vete. Vendosa një letër të kuqe pranë pikturës. Njerëzit filluan të vinin tek ajo dhe shikonin çmimin që ishte edhe më i larti në të gjithë ekspozitën. Pashë që zonja dhe zoti Reitlinger ma bënë me dorë dhe më thanë të vendosja tri letra të kuqe te pikturat që atyre u kishin pëlqyer. Më vonë erdhi dhe dr. Kladnig, i cili gjatë gjithë kohës qëndronte me një gotë verë të kuqe në dorë, me sytë që s’ua ndante pikturave dhe më tha të vendosja dy pulla të kuqe tek ato që atij i kishin pëlqyer dhe që s’i kishte parë atë natë kur kishte qenë te shtëpia ime. Aty nga ora 20.00 e mbrëmjes pashë që në sallë hynë dr. Gobara me të shoqen, Traudi, të cilët m’u afruan duke më thënë se u vinte keq që erdhën me kaq vonesë, por atë e kishin thirrur diku për të vizituar një të sëmurë në Gaming. Mbas njëfarë kohe, pashë Traudi-n që m’u afrua duke më thënë se atë pikturën atje tutje, atë me pamje nga Gaming-u, do ta blinte. Vajtëm së bashku dhe i vendosa edhe asaj një pullë të kuqe. Nga vendi ku isha, shihja se pullat e kuqe pranë pikturave ishin bërë shumë dhe se vetëm tri copë nuk kishin nga një të tillë pranë.

Isha vërtet i lumtur. Shikoja sallën që po zbrazej dhe nga larg fillova të rinumëroja përsëri letrat e kuqe pranë pikturave. Pashë të më afrohej Richard Braun që duke buzëqeshur më tha “urime” dhe se ndihej mirë që kisha pasur kaq shumë sukses.

Salla ishte boshatisur dhe vazhdoja të qëndroja akoma në mes të saj, vetëm me Klarën, dhe nuk do të lëvizja nga vendi nëse nuk do të ndieja dorën e Erich-ut që shtrëngoi fort timen. Duke më uruar suksesin, më tha të largoheshim, mbasi çdo gjë tashmë ishte arkivuar.

Dolëm që aty dhe shkuam në një bar pranë për të qëndruar një kohë të gjatë përpara gotave me birrë dhe u çuam kur vumë re se të gjithë ishin larguar.

U nisëm për Kienberg. Atë natë gati nuk fjetëm fare. Me sytë nga llambadari dhe duke shoqëruar lëvizjet e dritave të makinave që depërtonin në dhomën e gjumit, sillja nëpër mendje atë ngjarje që nga momenti kur erdhën vizitorët e parë dhe derisa u mbyll, duke i shoqëruar lëvizjet e syve te luspat e llambadarit me një dialog me vetveten. Kur Richard Braun më tha që mund të hapja një ekspozitë të mirëfilltë e të paraqitesha si artistët e tjerë, më tronditi atë qetësinë që prej kohësh e kisha fituar dhe me të cilën isha ambientuar e rehatuar. Por tashmë unë e kisha kapërcyer atë dhe me zemrën që më gufonte akoma, nuk dija nëse mundesha ta quaja veten artist ose jo.  

- Nuk ma ke thënë asnjëherë si të lindi ideja e pikturës, - dëgjova të më thoshte Klara, e cila edhe ajo nuk flinte.

Në fakt, unë gjithmonë kam vrarë mendjen se nga rridhte dashuria ime e madhe për ngjyrat dhe në kërkim e sipër të burimeve të saj, mendimet më drejtonin vetëm te babai im, Melo, i cili në vogëli, sa herë që shtriheshim bashkë në gjumin e drekës ose kur shëtisnim bregut të detit, kur dallgët përplaseshin shkëmbinjve dhe kripa së bashku me leshterikët shpërndahej andej-këndej, më tregonte për piktorin e madh rus Ivan Konstantinovich Aivazovsky dhe tablotë e tij të mëdha me detin, dallgët dhe anijet gati në të mbytur deteve e oqeaneve, si dhe marinarët duke luftuar dhëmb për dhëmb me stuhinë. I mahnitur, e dëgjoja babanë kur më tregonte se si do të mundej Aivazovsky ta paraqiste atë stuhi detare në bregun e Vlorës dhe me sytë e qepur dallgëve filloja edhe unë të përfytyroja ato tablo që im atë i kishte parë aq e kaq herë në Moskë, gjatë kohës që kishte qenë për studime në universitetin “Gubkin”.

Im atë më tregonte gjithmonë për Moskën e tij të dashur për të cilën e kishte marrë aq shumë malli të vente qoftë edhe një herë të vetme, tek ato sheshe e ato rrugica, veçanërisht në muzeun “Pushkin”, të shihte nga afër ato tablo mahnitëse me dete e oqeane, tablotë shumë të mëdha me pyjet e pafundme stepave siberiane, si dhe peizazhet dimërore të cilat m’i tregonte netëve kur nga jugu vinte një erë e fortë që përplaste kanatat e dritareve të paizoluara mirë.

Ai më thoshte se ishte i bindur që Alexej Sawrassow këtë stuhi do ta pasqyronte kështu e ashtu, për të më treguar kohë më vonë, gjithmonë nën zë, për një tablo që atë e kishte goditur aq shumë shpirtërisht e ku para saj kishte qëndruar me orë të tëra në muzeun e mbushur plot vizitorë të ardhur enkas për të parë nga afër atë pikturë, “Ivan Grosny vret të birin” të Ilya Repin-it, duke ma shpjeguar detaj më detaj si ta kishte akoma përpara syve atë tablo makabre ku tregohej se si Car Ivan, ose siç quhej ndryshe “Ivani i tmerrshëm”, i ulur në dysheme, me vështrimin e me sytë gati të shqyer e pa orientim, humbur diku, mbante në duar djalin e tij të përgjakur që sapo e kishte vrarë.

Kujtimet e tregimeve të babait më kishin rrëmbyer aq shumë gjatë asaj kohe, saqë kur në Vlorë hapeshin ekspozita te Galeria e Arteve që ishte aty afër gastronomit, shkonim bashkë dhe ai fillonte të më tregonte si e qysh do të ishte paraqitur kjo nga piktorët rusë, për t’u ndalur një ditë përpara një tabloje ku ishin paraqitur disa mjellma. I përhumbur për një kohë të gjatë, kur u larguam filloi të më tregonte për skenografinë e baletit “Liqeni i mjellmave” të Tschaikovsk-it, të cilën e kishte parë në Bolshoi, ku në skenë kishin vendosur një pikturë të madhe të Aivazovsky-t. Gjatë rrugës së kthimit për shtëpi, herë pas here dëgjoja të murmuriste ngadalë e ndonjëherë të fërshëllente pjesë që unë nuk i kisha dëgjuar më parë, por që sot, kur e kujtoj atë moment, mendoj se duhet të kenë qenë pjesë nga baleti i famshëm.

Në fakt, babai im nuk ka qenë rraqexhi dhe kur ishte kthyer nga Moska, ku kishte qëndruar 5 vjet rresht pa ardhur asnjëherë, mbasi rruga e gjatë me anije e bënte të pamundur udhëtimin që me avion zgjaste më pak, por që kushtonte shumë, nuk kishte sjellë ndonjë plaçkë me vete dhe me sa më linte të kuptoja, por edhe nga ato që më tregonin si nëna ime edhe xhaxhai, kursimet i bënte bileta për koncerte në Bolshoi ose muzetë e famshëm moskovitë dhe që andej, përveç një radioje të madhe, kishte sjellë libra pa fund dhe disa komplete me filxhanë, si dhe një kuti të madhe përplot fotografi të dimensioneve të ndryshme me pamje nga Moska ose vendet ku studentët kalonin pushimet, si dhe një valixhe të madhe plot relikte kujtimesh, të cilat me kalimin e kohës i kishte seleksionuar dhe disa prej tyre, aty nga vitet 1970, i kishte djegur nga frika. Herë pas here, në fëmijërinë time, unë ia merrja çelësin e çekmexhesë, siç i thoshte ai sirtarit ku mbante dokumentet e tij, dhe ulesha i shikoja të gjitha fotografitë që kishte sjellë nga Moska. Lexoja ndonjë mbishkrim nga prapa tyre për të mos i kuptuar kurrë se ç’shkruhej, por nga data kuptoja vetëm se ishte në vitin 1953 ose 1954.

Nëna ime më tregonte se mbas ardhjes nga Moska im atë ishte shumë i pasionuar mbas operave dhe të shtunave, kur sapo ishin fejuar, vinte te shtëpia e tyre te Rruga e Durrësit dhe mbasi qëndronte për një kohë të gjatë duke biseduar me babanë e saj, aty në oborr, kur lulet sapo kishin çelur dhe pema e madhe e fikut e mbulonte atë me hijen e saj të thellë, duke pritur muzgun e merrte për shëtitje dhe e çonte në opera.

Më vonë, aty nga mesi i viteve 1970, im atë, sa herë që shkonim në Tiranë, më merrte me vete dhe më çonte te Galeria e Arteve. Ndalonte për një kohë të gjatë atje përballë pikturave monumentale të Guri Madhit që, siç dukej, e sillnin në kujtimet e atyre që kishte parë atje, në Moskën e largët.

Sillja në mendje e tregoja kujtimet nga tregimet e babait dhe përpiqesha të strukturoja nëse ato ishin shkaqet e dashurisë që kisha për ngjyrat. Ktheva kokën nga Klara për të parë nëse e kishte zënë gjumi ose jo.

Të pasnesërmen, rrugëve të Scheibbs-it, atyre në Kienberg dhe në Gaming do të ndieja kërshërinë dhe përshëndetjet plot buzëqeshje të njerëzve, të cilët kishin lexuar dhe parë në gazeta mbi hapjen e ekspozitës dhe analizat për të. Vinin e më pyesnin rreth saj dhe pse s’i kisha ftuar edhe ata në hapje të saj. Ndieja njëfarë përkëdheljeje të sedrës dhe një lehtësi në ecje. Kisha filluar që edhe rrobat t’i përzgjidhja plot ngjyra, sa shpeshherë më ngjante se dukesha si fragmente të pikturave të mia dhe gëzohesha kur ata që më njihnin nga afër më thoshin se tani e kuptuan se përse vishesha ndryshe, me rroba të zgjedhura plot ngjyra si pikturat nëpër muzetë e Vjenës, mbasi aty në zonat e thella veshja plot ngjyra ishte e pakuptimtë dhe shihej vetëm në ekranet e televizorit kur jepeshin darka ose festime vjeneze.

Pasdite, kur dola, te banesa pashë Rudolf-in i cili m’u afrua me gazetën në dorë duke më treguar se kishte blerë tri të tilla, me idenë se mos nuk kisha blerë ndonjë. Në fakt, unë e dija që në numrin e ardhshëm të gazetës do botohej një intervistë imja dhe përshtypje të të ftuarve mbi ekspozitën. Qysh në mëngjes kisha vajtur të blija gazetën. Por ai më tha se kishte marrë direkt djalin në telefon, i cili punonte si polic në Vjenë, dhe i kishte thënë për gazetën dhe suksesin tim në këtë ekspozitë. Plot entuziazëm më tha se ndihej mirë që në banesën e tyre banonte edhe një njeri i famshëm, gjë që më bënte të skuqesha, mbasi vetëm një ekspozitë kisha hapur.

S’do të kalonte java dhe te dera e shtëpisë pashë të vinin shumë vizitorë, të cilët më pyesnin nëse kisha ndonjë pikturë nga zona e tyre që ta blinin. Mbasi i pyesja se ku banonin, kërkoja dhe ua jepja. Ata të cilëve nuk mundesha t’u jepja gjë, mbasi nuk kisha pikturuar ndonjë nga zona e tyre, i pyesja nëse mundeshin të prisnin derisa ta realizoja një dhe nuk zgjaste shumë, nisesha për te vendet që ata më kishin porositur. Shtëpia ishte kthyer në atelie dhe pikturat i kisha të vendosura kudo: sipër televizorit, kolltukëve, divanit, këndit ose edhe dollapëve të kuzhinës.

Ideja se pikturat e mia kishin pushtuar mendjet dhe zemrat e të tjerëve më kishte marrë në rrokullimën e saj dhe tashmë e ndieja veten dikush tjetër, më të ngjyrosur në ide, mendime dhe botëkuptime.

Porosita përsëri bojëra, letra, penela dhe telajo në Gjermani dhe s’do kalonte shumë kur postieri do të dukej përsëri me makinën e tij dhe do të më jepte pakot e mëdha. Ashtu, pa i hapur, filloja të mendoja se çfarë do realizoja me to. Doja të hapja ekspozita, ekspozita, vetëm ekspozita dhe të isha në qendër të bisedave mbi artin në qytet ose në rajon. Dhe kjo tashmë kishte ardhur.

Ftesat për aktivitete kulturore ose hapje ekspozitash në të gjithë rajonin filluan të më vinin dhe gati çdo të enjte nisesha për të marrë pjesë në to dhe bisedoja me artistë, shkrimtarë, mendimtarë e poetë. Diskutoja me ta, debatoja me ta, ulesha dhe pija me ta, duke shkëmbyer mendime e ide se si mundej të paraqitej ky ose ai peizazh atje tutje, ose se si do ta kishte paraqitur filan piktor i famshëm atë.

Tashmë fillova ta ndieja veten e të shikohesha ndryshe, jo më ai që kishte ardhur nga Shqipëria e varfër plot bunkerë për të punuar dhe për të siguruar bukën e gojës, por si artisti nga Shqipëria që po mbush gazetat, lajmet dhe sallat. Vija re se rrugëve nuk më përshëndesnin më me emrin tim, por më drejtoheshin me “Herr Künstler” - zoti artist, emërtim që në fillim se si më dukej, por me të cilin fillova të ambientohesha dhe ndieja të më rrinte mirë pas trupit.