poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Nga Dover në Calais

Nga Dover në Calais

Fragment nga romani ITAKA

 

Mëngjesin e së dielës së 21 nëntorit të vitit 2004, trageti i linjës Dover-Callais u nis në orarin e caktuar nga porti. Pas një kohe të gjatë qëndrimi në tarracë duke parë siluetat e kështjellës si dhe dritat e qytetit që njëra pas tjetrës filluan të ndizeshin, hodha përsëri shikimin nga qielli, ku vura re se mbi të ishin shtrirë dhe flinin të qeta shtresa të trasha resh ngjyrë gri.

Ishte ora gjashtë e mëngjesit. Në qiell ndriçoi diçka. M’u duk si të ishte vetëtimë dhe pas pak ndjeva pikat e para që më ranë mbi kokë.

- As bluja ime nuk e solli në terezi ishullin, - i thashë Petritit, burrit të Xhinës, që erdhi me mua në Birmingham për hapjen e ekspozitës.

Siç duket, retë, së bashku me qytetin, ishin duke u zgjuar. U futëm brenda dhe u ulëm në një nga vendet bosh pranë dritares.

Nëpërmjet xhamave mbi të cilët ishin krijuar rrëketë e para të shiut, mes grisë së mjegullt të mëngjesit britanik, shihja dritat e qytetit që njëra pas tjetrës vazhdonin të ndizeshin. Nuk e kuptova përse, por atë moment filloi të më krijohej përshtypja se ato dhe njerëzit brenda tyre sapo i kishin informuar për ikjen time dhe me ngashërim, si rrëketë e shiut pas xhamave, po më thoshin: “Po ku shkon, o njeri? Ku ke ndër mend të na lësh mes këtij qielli astmatik? Ik nga të duash, por lëre këtu atë blunë dhe të verdhën tënde të rapsodisë së Jugut. Mos e merr me vete, të lutem.”

Dhe me të vërtetë, gjatë gjithë ditëve të ekspozitës qiellit mbi Birmingham nuk iu nda dielli. Kur më shumë e kur më pak, ai qëndroi gati gjatë gjithë atyre dy javëve aty. Por, sapo mora rrugën e kthimit, pashë se disa re të nevrikosura po vinin shpejt e shpejt mbi qytet, si të donin të më ndëshkonin për ato tablotë e mia mbushur plot marifete me blu e të verdha që i kishin detyruar ato të largoheshin diku, mes Anglisë dhe Francës, në mes të kanalit “La Manche”.

Ktheva kokën nga salla dhe vura re se ishte e mbushur plot. Në krahasim me tragetin e linjës Patras-Trieste, ky ishte më i vogël. Nuk kishte as dhoma fjetjeje e as restorant. Madje, as muzikantë që këndonin. Ndoshta edhe nga fakti që udhëtimi zgjaste diçka më shumë se një orë. Shihja dikë me flokë ngjyrë ndryshku e të paorientuar ulur me shishe në dorë te banaku dhe dikush tjetër pranë dritares duke lexuar. Madje, nuk e di pse më shkoi mendja se krehri në Angli nuk kishte ardhur akoma si shpikje. Ose ata nuk e kishin pranuar atë dhe përdornin ndonjë krehër tjetër që ua bënte flokët ashtu, si pyll pas furtune.

I shihja një për një dhe m’u krijua përshtypja se anglezët janë ndryshe nga pjesa tjetër e kontinentit.

“Cilit kontinent?” - pyeta veten. - “Atij europian apo atij amerikan?” Francis Godwin më tha se ata janë British Empire. Pra, kontinent më vete e s’kanë lidhje me asnjë. Janë vetëm për veten e tyre. Prandaj kanë edhe masat e tyre, shenjat e tyre, mendjen e tyre, krehrin e tyre.

Në hapje të ekspozitës ai tha se për të kishte qenë një kënaqësi e veçantë të prezantonte përpara publikut një artist të njohur, të ardhur nga kontinenti europian. Më çuditi kur e tha. Mirë që kisha ardhur tek ata nga kontinenti europian, po ku kisha shkuar? Ku ndodheshin ata?

- Me sa po shoh, këtu nuk paska kamerier. Shkojmë te banaku marrim diçka për të pirë, - tha Petriti.

- Nuk është ide e keqe, - iu përgjigja dhe mendja më shkoi te kamerieri i tragetit Patras-Trieste, tek ai hundëmadhi, me të cilin gjatë udhëtimit gati dyditor hyra shpeshherë në bisedë.

Ndenjëm aty. Nuk u kthyem më te dritarja. Ktheva përsëri kokën nga salla, me idenë se mos vallë shihja atë çiftin anglez me të cilët ndenja gjatë udhëtimit nëpër detin Adriatik, por jo. Trageti ishte i mbushur plot burra e gra e diku tutje, shihje ndonjë djalë që me shishe në dorë, ndiqte shiun e dendur pas xhamave.

Pas një ore, mbërritëm në portin e Callais-it, në Francë. Në port nuk kishte kontrolle, siç kishte kur hymë në Dover, në Angli. Morëm autostradën dhe ndoqëm të njëjtën rrugë të ardhjes. Pasi lamë pas Francën, Belgjikën, Gjermaninë, hymë në Austri dhe pas gati 4 orësh, makina hyri në rrugicën e shtëpisë sime dhe sytë më panë përsëri perden e dritares që ishte e mbledhur dhe pas xhamave, nënën time dhe Klarën që më prisnin.

Ishte ora 23:52