poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Kush ja prishi qetësinë “Lepurit”

Kush ja prishi qetësinë “Lepurit” të Albrecht Dürer
Elegji për Vjenën e djeshme
...mbrëmë, kur vjenezët ishin lokaleve dhe mes tyre lexonin Stefan Zweig a Karl Kraus, kur salloneve me shandanë e perde hijerënda tingëllonte “Moonlight Sonata” në 250 vjetorin e atij që jo më kotë e përzgjodhi Vjenën për muzikën e tij, kur pak me tutje, në Belvedere, Gustav Klimt vazhdonte të puthte ethshëm dhe në Albertina “Lepuri” i Albrecht Dürer po bëhej gati të flinte, disa krisma si përplasje llamarinash të ndryshkura e prishën qetësinë në një kohë që valët e Danubit aty pranë, nuk pranuan më ritmin e Valsit të Strauß por u ngritën aq lartë, sa vërshuan rrugicave pranë Schwedenplatz për të shpëlarë gjakun që po derdhej e po skuqte qytetin.
Beethoven e la sonatën në mes dhe nisi të pestën sinfoni. “Eroica”. Klimt e la puthjen përgjysëm dhe doli në dritare të shihte ç’kish ndodhur ndërsa lepuri u tremb aq shumë, saqë dhe lëvizjet nisi t’i bënte të pa kontrolluara.
Ç’ishin ato krisma që e prishën ritmin e qytetit. Ç’ishin ato armë që e penguan puthjen. Ç’ishin ato gëzhoja që e trembën lepurin dhe mbi të gjitha, ç’ishte gjithë ai gjak që skuqi hënën.
Ndoshta kishte qenë gjithë kjo harmoni ngjyrash dhe notash, ritmesh dhe puthjesh që ja u kishte vjedhur qetësinë atyre që hënën e shohin si ujku kur ulëret natën. Që puthjen e shohin si gjest e jo si ndjenjë. Që lepurin e vrasin ta hanë e jo ta risin plotë dashuri për fëmijët. Që lumin nuk e shohin si mjet komunkimi vlerash por si magje për të larë këmbët dhe, me valët blu të tij nuk vallëzojnë por nëpër thellësitë e errësirës së zezë brenda dhe jashtë tyre, kërkojnë të nuhasin erën e gjakut.
Vjenës time të dashur ja vodhën qetësinë.
Unë jam i triushtuar sepse nuk jam atje të rinis edhe njëherë si atëhere pas 11 shtatorit 2001 nismën “Arti përmirëson kohën”.
Do dëshiroja shumë të mblidhja miqtë e mij piktorë nga Gjermania, nga Franca e Anglia, nga Italia e Rumania, nga Greqia e deri nga Irani, Iraku e Egjipti e akoma më tutje, nga Azia të ngjyrosim së bashku sheshet dhe rrugicat e përgjakura e qytetit me bojrat tona.
Fate Velaj
Vlorë, 3 Nëntor 2020