poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Unė dhe Beethoven, nė njė ditė tė ēuditshme Tirane

  • beethoven
  • memories
  • 2
  • 3
  • 4

Unë dhe Beethoven në një ditë të çuditshme Tirane

...sapo kisha mbaruar hapjen e ekspozitës "Vlora, mon amour" e ashtu i lodhur siç isha, të nesërmen, u nisa për Tiranë.

3 gushti i vitit 2005 do të ngelet përgjithmonë në mendje time....

Atë mëngjes shkova ta pija kafenë së bashku me Angela’n. Ajo mbylli zyrën dhe u nisem te një lokal aty pranë punës së saj. Ndenjëm për një kohë të gjatë bashkë e i treguam njëri-tjetrit të rejat e secilit, si dhe ato të Tiranës e Vjenës.

Në kohën që u bëmë gati për t'u çuar, me ra zilja e telefonit ku në display lexova emrin e Sandër Çipa‘s, një gazetar i cili erdhi dhe në hapjen e ekspos në Vlorë. Ngrita telefonin dhe dëgjova zërin e tij, tek më thoshte se donte të bisedonte për intervistën që do zhvillonim së bashku atë mbrëmje në emisionin e tij në një nga televizionet e kryeqyteti. I tregova Sandrit se ku ndodhesha, dhe shoqërova Angela‘n deri tek porta e u ktheva përsëri te vendi ku isha më parë në pritje e ardhjes së  tij.

Nuk zgjati shumë dhe Sandri erdhi.

Biseduam hollësisht se si ai e kishte konceptuar programin që jepej live të mërkurave e që siç më kishin thënë, kishte një rezonancë të madhe në qarqet elitare të Tiranës. Biseda u fokusua mbi ekspozitat që kisha në plan të realizoja në vijim kur, në momentin që do çoheshim, u dëgjua zilja e telefonit të tij. Ai e ngriti atë dhe filloi të bisedonte me dikë që sipas asaj që dëgjova, kuptova se ishte një bisedë për një shkrim në gazetën ku ai ishte edhe kryeredaktor. Dëgjova Sandrin t'i thoshte atij se ndoshta do ishte më mirë të bisedonin më vonë, sepse në ato momente, ishte me një mikun e tij që e kishte ftuar në darkë në studio. Me sa kuptova, personi në anën tjetër të telefonit u bë kureshtar dhe e pyeti atë se me kë ishte mbasi dëgjova Sandrin t'i përgjigjej duke i thënë emrin tim dhe kjo do të shërbente që ai t'i thoshte se kishte dëshirë të takohej e ta njihte atë personalisht. Sandrit, ashtu i shkathët siç është, aty për aty iu dha që të ma jepte mua telefonin dhe kështu unë dëgjova zërin e një burri që më përshëndeti duke më thënë se quhej Përparim Kabo i cili, mbasi më uroi suksesin e ekspozitën së Vlorës, vijoi:

- ...pashë reportazhet që u dhanë nëpër televizione mbi paraqitjen tuaj dhe, nuk e di por, nga sekuencat që pashë si dhe nga imazhet mbi pikturat e tua unë vura re madje erdha në konkluzionin se ju, gjatë realizimit të veprave, duhet të frymëzoheni nga muzika e Ludwig van Beethoven-it.

Më habiti shumë ky konkluzion i tij dhe atë moment ktheva kokën nga Sandri dhe i tuna kokën si aprovim, kur ai vazhdoi se do kishte kënaqësinë të më njihte personalisht dhe më ftoi të takoheshim tek hotel "Rogner".

E pranova ftesën dhe i thashë shkurt se, në Vjenë por edhe nëpër udhëtimet e mia të pafundme nëpër Europë, dëgjoj muzikë klasike e veçanërisht, Beethoven dhe në më të shumtën e rasteve, "Romance no.2 për violinë dhe orkestër“.

Mbylla telefonin, i thashë Sandrit të nisej përpara dhe, mbasi takova shkurt dhe dikë tjetër, u nisa për te hotel "Rogner" ku në kafenenë e saj pashë një burrë tjetër që ma bëri me dorë.

U përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe ai filloi të më prezantohej. Zoti Kabo, që në momentin e parë më la përshtypjen e një njeriu që ishte i ndërgjegjshëm për zhvillimin e tij mendor e intelektin e tij të avancuar dhe që nga retorika dhe dijet që kishte duhej të ishte një erudit i cili intonacionit, forcës dhe peshës së fjalës i jepte edhe atë të interpretimit, gjë që bënte që biseda me të të bëhej akoma dhe më interesante.

E pyeta se si erdhi në idenë se unë duhet të jem një i frymëzuar nga Beethoven kur ai mu përgjigj se harmoninë dhe intensitetin e ngjyrave në pikturat e mia dhe në veçanti tek “Kujtime nga e ardhmja” dhe "Rapsodia e blusë së jugut” ai mund t'i gjente vetëm në muzikën e Beethoven-it.

I befasuar nga ky arsyetim dëgjoja retorikën e tij duke e shoqëruar atë me lëvizjet e dorës dhe të buzëve dhe, në momentin kur ai sapo kishte mbaruar, i hoqa sytë prej tyre duke i fiksuar ato matanë pemëve të dendura të kopshtit dhe me kokën akoma andej, fillova të tregoj i përhumbur në kujtime.

...ishte aty nga fillimi i shtatorit të vitit 2004 kur mbasi kisha vënë re se kisha një rënie të ndjeshme të dëgjimit, më në fund, vendosa të bëja një vizitë te doktori i veshëve, i cili pasi mbaroi kontrollin, u kthye nga unë duke më parë thellë në sy, më tha:

„... unë konstatova se ju keni humbur një pjesë të konsiderueshme të dëgjimit dhe se për mendimin tim do të ishte mirë që ju t'i nënshtroheshit një operacioni në mënyrë që të shmangej një humbje akoma dhe më e madhe e tij“  - duke u kthyer përsëri nga tavolina dhe filloi të mbushte një formular me anë të së cilit, rekomandonte spitalin universitar në Vjenë të më bënte një analizë akoma më të detajuar dhe të shikonte mundësinë e një ndërhyrjeje.

Pas disa ditësh shkova në spital dhe bëra analizat. Doktori, që ishte një burrë me një mjekër të bardhë e të qethur me kujdes e që në sy mbante syze me një skelet të trashë kaf, më tha se operacioni ishte i pashmangshëm dhe se do ishte mirë ta bëja atë.

Ramë dakord për datën dhe pasi më dha disa informacione mbi ndërhyrjen kirurgjikale dhe u ktheva në shtëpi.

Ato kohë isha në përgatitjet e fundit për hapjen në Angli, në Royal Leamington Art Gallery, të ekspozitës time "Kujtime nga e ardhmja" dhe, nën ethet e ngjyrave dhe konceptimit të veprave të mia dëgjoja Ludwig Van Beethoven duke shpërndarë ngjyrat nëpër telajot e shumta që i punoja njëkohësisht nën ritmin e muzikës së tij. Ashtu i përhumbur në veprat e artit përfundova gjithçka dhe u nisa ku në 13 Tetor, e hapa ekspozitën.

Ishte fundi i nëntorit kur, duke dëgjuar muzikën, dalëngadalë, po më kaplonte një si ndjesi frike dhe, sa më shumë afrohej data e operacionit, aq më shumë më bëhej një ndjenjë e brendshme se mbas tij, unë nuk do dëgjoja më dhe se do ngelesha i shurdhër, si Beethoven.

Qetësia kishte kohë që ishte arratisur nga brendësia ime dhe së fundmi, kërkoja ngushëllim te miqtë duke u folur për këtë ndjesinë time që po më bëhej obsesive, duke i lidhur ato me kujtime të hidhura nga e kaluara kur këto lloj ndjesish e ato ëndrra, më kanë shoqëruar në momente kulmore të jetës e së fundmi, më kanë rezultuar të vërteta.

Në datën 9 dhjetor, në orën 10.00 hyra në sallën e operacionit. Mbaj mend, që më veshën një si përparëse të bardhë të cilën ma kapën vetëm rreth qafës me një sustë duke e lënë pjesën tjetër të hapur dhe u shtriva në krevatin që të çonte në sallën e operacionit. Aty, pasi më matën tensionin, më bënë një gjilpërë kur, nuk do zgjaste shumë dhe m'u mbyllën sytë vetiu duke rënë në një gjumë të thellë, i cili më doli mbas disa orësh ku do të vija re se kokën e kisha të fashuar. Jashtë sallës më prisnin të shtëpisë e miqtë të cilët më thanë se kisha ndenjur gjatë në operacion në një kohë që të tilla ndërhyrje kirurgjikale, rutinë siç ma kishte thënë doktori, nuk zgjasnin më shumë se 45 minuta.

S'kaluan dy-tri ditë pas operacionit dhe te dhoma ime u duk përsëri doktori, i cili më tha të shkoja në ambulancën e spitalit që ishte në të njëjtin kat e të hiqja fashimin e më vonë të bëja një kontroll dëgjimi me anën e tingujve. Shkova dhe pasi më hoqën fashon u futa në dhomën e kontrollit. Doktoresha, një vajzë bionde dhe shumë simpatike, duke më buzëqeshur filloi të më pyeste se si e ndieja veten mbas operacionit e instruktonte seç duhet të bëja gjatë testit që do të kryenim. Pasi më vuri kufjet në vesh u kthye me fytyrë nga aparaturat duke filluar të më dërgonte tinguj e zhurma, e pritur reagimin tim. Ajo vazhdonte punën e saj dhe unë prisja të dëgjoja diçka. S'kaloi shumë dhe ajo u ngrit nga vendi i saj dhe, me mendimin se unë nuk i kisha vënë mirë kufjet, m'i vendosi ato edhe njeherë e filloi të më sqaronte përsëri se si duhej të reagoja kur ato t'i dëgjoja dhe u ul përsëri. Filloi të më dërgonte prapë tingujt dhe vura re se kthente kokën nga unë duke më parë në sy e duke u bërë nervoze kur shihte se nga ana ime, nuk merrte asnjë reagim. Ashtu e habitur dhe tronditur siç ishte bëri një audiogramë të shpejtë dhe doli nga dhoma duke më lënë vetëm. U kthye prapë dhe bashkë shkuam tek një doktor tjetër, që siç më tha, kishte asistuar në operacionin tim. Pasi më sqaroi se operacioni kishte qenë i vështirë dhe se për ta përbënte diçka që ata nuk e kishin hasur më përpara, filloi të më informonte se audiogrami që sapo kisha bërë nuk kishte dhënë rezultatin e dëshiruar dhe se mua në të ardhmen, do të më duhej të familjarizohesha me faktin se nga veshi i djathtë, nga ai i operuari nuk do dëgjoja më, por që vështirësohej edhe nga fakti se dhe në veshin tjetër, dëgjimi nuk ishte optimal.

Një e dridhur më përshkoi trupin dhe ndjeva të përlotem ku nga buzët shqiptova "ohhh mein gott" duke humbur në vetvete e thënë: “...pse, o i mallkuari Beethoven? Pse? Pse ma punove kështu? Apo ngaqë të dua aq shumë!”

Doktori, që me sytë akoma nga audiogrami dëgjoi atë që unë gati si e dalë nga thellësia e notave dhe pentagrameve të simfonive të Beethoven-it thashë, nuk po e kuptonte lidhjen e bisedës së tij me ato që dëgjoi nga unë dhe kthehu kokën nga doktoresha duke bërë një shenjë mimike sikur donte të thoshte: kuptove gjë, ti?

U ngrita dhe u largova. Me sytë e përhumbur mes kuadrateve e rombeve të pllakave të korridorit shkova përsëri në dhomë dhe u mbështeta te parvazi i dritares duke kërkuar nëpër muzgun që sapo kishte rënë mbi qytet e nëpër bardhësinë e dëborës që binte e që kishte mbuluar tarracat e godinave e tavanet e makinave të Vjenës së zbukuruar për Krishtlindjet që ishin tek porta se përse duhej të më ndodhte pikërisht mua kjo.

Me sytë akoma nëpër thellësitë e pangjyra të qytetit, mes avullit që krijohej nga oxhaqet e nxehta dhe ftohmës që u qëndronte atyre mbi kokë, ndjeva që dikush më kapi nga shpatulla dhe ktheva kokën ku pashë Joachim-in, mikun tim piktor nga Gjermania, i cili më tha se më kishte folur aq e kaq herë, por që s'e kisha dëgjuar dhe unë, duke e parë në sy, fillova t'i tregoja ç'më kishte “dhuruar” për festat e fundvitit gjermani i tij, i dashuri im, Beethoven dhe, mbasi ai iku, ashtu siç isha, me sytë nga qyteti që ishte zhytur në errësirën gri plumbi të natës, u mbylla në vetvete,në vetmi, në më të madhen vetmi timen.

...vazhdoja t'u tregoja Sandrit dhe Përparimit lidhjen time me Beethoven dhe ashtu siç ishim, për disa momente, humbëm të tre në mendime...

Tiranë, e mërkurë, 17 Gusht 2005