poetry, essays and narrativas (copyright ©)

une dhe komisar moldovani

  • fate+miklovani
  • fate+miklovani 1
  • fate+miklovani 2
  • fate+miklovani 3
  • salla 1
  • salla 2
  • salla 3
  • fate
  • jashte 1
  • jashte
  • fate,lani,erwin,klaus

Unë dhe komisar Moldovan

Shënime nga takimi me aktorin e famshëm rumun Sergiu Nicolaescu

 

S’e kisha menduar se, pas kaq vjetësh, një vizitë në Bukuresht do të më privilegjonte me rikthimin si përjetim tek një fragment i veçantë i së shkuarës së largët. Shkak u bë një takim i veçantë me aktorin e madh rumun Sergiu Nicolaescun ose "Komisar Moldovan”, siç e kemi njohur në shqiperi, tek filmat "Fisheku i fundit", "Me duar te pastra" apo dhe tek “Mihal trimi" etj.     
Hollë-hollë, ishte vajza ime, Helena, që insistoi t’i vendosja në player nje videokasete me kujtime nga sezonet e veres ne Vlorë. Duke rrëmuar tek etazheri, më ndërmendën kasetat që më dhuroi në Bukuresht gjatë takimit me të, i madhi Sergiu Nicolaescu. 
Ia plotësova dëshirën vajzës, ndeza laptopin dhe vendosa një CD ku ruaja fotot nga organizimi dhe hapja e expos-internacionale "Good morning Balkan" që kisha hapur në datën 24.qershor 2004 në muzeumin Nacional “Cotroceni” në Bukuresht. 
Robër, siç jemi, të fragmenteve të bukura të së shkuarës, e gjeta vetën të përhumbur mes fotove të asaj ngjarjeje artistike. Po i kaloja një nga një dhe bëja lidhjen me kohen se kur, se çfarë ditë mund të kish qenë apo se çfarë kishte ndodhur në ndërkohë...
Nga rumania dhe bukureshti kam kujtime të bukura që ku e ku shkojnë e radhiten tek të paharruarat. Atje u njoha me shumë shqiptarë, rumunë, artistë dhe intelektualë, njerëz të thjeshtë etj.
Bukureshti është një qytet që të bën për vehte. I ndarë në dy zona ndërtimi, duket se nuk kish provuar akoma atë marramendjen e ndërtimeve të mbas '90 që „lulëzoi“ në shqipëri. Njëra zonë ishte Bukureshti i vjetër, me ndërtimet e para komunizmit, që tregonin për një stil e zhvillim europian dhe nga ana tjetër ishin pallatet e mëdha me parafabrikat e ndërtuar me qëllim "zgjidhjen e sistemit të strehimit" nga Nicolae Çaushescu.      
Ishte hera e dyte që shkoja në Bukuresht. Kisha qenë edhe në nëntor 2003, si zakonisht herëve të para bashkë me mua dhe Klara.  Qëndruam shkurt atëherë, vetëm nja dy ditë. Më duhej vetëm të takoja ambasadorin austriak, zotin Christian Zeileisen, t'a informoja dhe të kordinonim për aktivitetin që kisha në plan. M’u desh të shkoja edhe në muzeum, për tu takuar me zonjën Carmen Florian, drejtoreshë e muzeumit kombëtar të rumanisë ku do të hapja dhe ekspozitën. Mbaj mend qe u rehatuam në një hotel diku aty tek qendra e Bukureshtit.  
Herën e dytë u nisa vetëm, me makinë duke kaluar nga Vjena në Budapest, Seged, Arad, Sibiu për të mbërritur në Bukuresht. Përshkrova gjithë vargmalet e Karpateve rreth 1000 km deri aty. Ora tregonte diku tek 13.00. 
Në Bukuresht më priste Luan Topçiu, intelektual i shquar shqiptar me banim ne rumani. Vazhdoja të shikoja fotografitë ne laptop dhe më kujtoheshin ngjarjet dhe personat. Mariani, Aureli, Mironi, Renata, Radu e Stefania, dhe padyshim Bakiu, që e kishte shndërruar shtepinë në një muzeum të vërtetë, ku ruante në mënyrën më fanatike materiale me vlerë të rallë nga rilindja shqipetare dhe brezat e shumtë që jetuan e jetojnë në Rumani.
Dhe pas tyre, më doli përpara një foto që më mbajti pezull, dhe që më ktheu vite të tëra pas.  
"…Ishte një ditë e nxehtë qershori në Bukuresht saqë dukej se ndizej asfalti dhe betoni. Çdo mëngjes, aty nga ora 09, nisesha për në muzeumin kombëtar të rumanisë. Atë ditë Luani (Topçiu) ishte krejt i lirë dhe kishte ardhur të mbetej tërë kohën me mua. Muzeumi Kombëtar Cotrocen, ishte një ndërtesë mahnitëse ku nje pjese sherbente njekohesisht edhe si presidencë e rumanise. Aty ishte edhe selia e presidentit Ion Iliescu.  
Atë mëngjes, si çdo herë tjetër, hyra natyrshëm tek zyra e drejtoreshës znj. Carmen Florian, një zonjë mondane aty tek 50-at. Si gjithmonë, u përqafuam dhe pyetëm njëri-tjetrin se si e kish kaluar mbrëmjen ose se cilat ishin më të rëndesishmet për ditët në vijim.

E dija se pas këtyre “kredencialeve”, znj. Florian, si gjithmonë e qeshur, do t’i lutej sekretares së saj, znj. Ofelia, të na bënte nga një kafe. 
-Ofelia, Ofelushka, na bëj nga një kafe. Një për mua, një për domnul(zotin) Velaj dhe një për Dr. Topçiu’n. Dihej gjithashtu se pas pak minutash Ofelia do të gjendej para nesh, me tabakanë në dorë!
Kaluan pak çaste dhe, si zakonisht, filluam të tregonim për kohën para viteve '90. Znj. Florian kishte punuar në disa lloj postesh drejtuese institucioneve kulturore qyteteve të rumanisë duke më treguar për to e së fundmi, më tregoi për burrin e saj, regjizor me emër.

Kur më erdhi radha, s’mund të mos tregoja për Vlorën dhe detin, por nuk di pse m’u dha të tregoja diçka që ia rrëmbeu kureshtjen asaj gruaje përgjithësisht të vëmendshme.  
" ...më kujtohet aty nga vitet '74-'76, (atëhere isha vetëm 11 vjeç) shkoja shpesh në kinema. Asokohe shfaqeshin jo pak filma rumunë. Më kujtohen filmat "Ultimul cartus" (fisheku i fundit), "Cu mîinile curate" (me duar te pastra) etj. Nuk di pse, por atëhere këta filma ishin më të pëlqyerit në shqiperi, kinematë mbusheshin plotë. Me sa mbaj mend, aktori quhej Sergiu Nicolaescu, një aktor i pashëm dhe i talentuar. Nuk di se çfarë bëhet me të dhe se ku është ky aktor i madh që ka qenë idhulli i fëmijërisë time?!”, po i thosha zonjës Florian.
Ajo, normalisht kishte dy sy të bukur, të mëdhenj, por në ato çaste m’u duk se iu zgjeruan edhe më, a thua po dilnin fare nga vendi!
Luani, që më rrinte pranë, më tha: " Ti s'duhet të jesh normal që mban mend të gjitha këto hollësira...!" 
Zonja Florian vazhdoi të mos e fshihte befasimin e saj dhe tha: " Kjo eshte e pabesueshme. Domnul senator Nicolaescu jo vetëm që është gjallë e shëndoshë, por edhe kryetar i komisionit të mediave dhe kulturës në senat. Ai është sot më i madhi artist rumun, personalitet i madh në rumani" 
“Atehere t'a marrim në telefon, tëe takohemi!”, - i thashë. 
“Domnul Velaj! Kjo është e pamundur. Zoti            Nicolaescu është shume i zënë dhe gati i pakapshëm. Ai është një personalitet i madh…”
“Të lutem, bjeri ziles…!” Thuaji se domnul Velaj të ka pasur idhullin e fëmijërisë së tij dhe se kërkon të takohet!”
Zonja Florian, ashtu e kapur ngushtë prej rastit të shfaqur si mbret i domosdoshmërisë, ngriti telefonin dhe kërkoi në senat z. Nicolaescu. 
Ashtu siç pritej, në fillim doli sekretarja që, si gjithë sekretaret,  kërkoi të sqarohej për imtësira. Pastaj kërkoi kohë të fliste me senatorin që, vetëm pas pak sekondash, u dëgjua ne anën tjetër të aparatit. 
Znj. Florian, edhe më tej plot emocione, madje duke u dridhur prej tyre, filloi t'a pyeste për shëndetin, punën e pastaj nisi atë frazën paksa zyrtare "domnul senator Nicolaescu, pranë meje është domnul Velaj - president i “Forumului o lume deschisa” (Forum Weltoffen) e treguar nga cv-ja ime dhe në fund shtoi që isha me origjinë shqiptare, por që jetoja në Vjenë. Domnul Velaj po më thotë se në fëmijërinë e tij, ju, shumë i nderuari senator, keni qenë ‘idhulli’ i tij. Madje, domnul Velaj mban mend dhe gjithë emrat e filmave që ju keni luajtur dhe emrin e personazhit tuaj nëpër to”
Duket se senatori u çudit, mbase do të ketë thënë "çfarë, çfarë?!", që zonja Florian iu përgjigjë: "…posi, posi. Ashtu është. Ai i mban mend të gjitha." 
"Dëgjo, - i tha ai. Ose do të vij z. Velaj në parlament, ose do të vij unë në muzeum. Edhe sa do të rrijë ai në Bukuresht?”. 
Pasi mori përgjigjen se në datën 24 hapej expo dhe se unë do të  rrija edhe 2 ditë të tjera ai premtoi se “do të mundohej të organizonte diçka pa u hapur ekspozita.”
Ditën e hapjes së ekspozitës, nga muzeumi më morën në telefon. Ishte ora 13 kur në aparat dëgjova zërin e znj. Florian. E gëzuar më tha se duhet të jem në muzeum në orën 17.00 mbasi Senator Sergiu Nicolaescun do të vinte të takohej me mua.

Së bashku me Luanin, Mironin, djalin e tij, si dhe dy artistët e ardhur para tre ditesh për hapjen e ekspozitës, gjermanin Klaus Joachim Keller dhe austriakun Erwin Maria Hafner, dhe u nisëm drejt muzeumit. 
Në pritje të ardhjes së Nicolaescut, dhashë disa intervista për mediet rumune dhe pastaj u ngjita për tek zyra e znj. Florian. Ishim atje kur na lajmëruan se tek porta kryesore kishte mbërritur eskorta e senatorit Nicolaescu. 
Mbas 5 minutash erdhi dhe ai që e kisha parë vetëm në kinema. Para meje u shfaq një burrë i moshuar, trupgjatë, i thinjur por tejet simpatik.

U vështruam sy më sy.
“Mirserdhe në muzeum, i dashur komisar Moldovan…!” - i thashë.
M’u afrua dhe më perqafoi. Vazhduam të shiheshim sy më sy.

U ulëm në kolltuk dhe e ndjeva se ishste radha e kujtimeve të mia.
"…aty nga vitet "70, në Vlorë, qytetin tim, shfaqeshin filmat rumun "Me duar të pastra" dhe "Fisheku i fundit". Kinemaja mbushej plotë dhe nuk të binte rasti të gjeje bileta.
Biletat i shiste "Teze Sanija", nëna e një shokut tone. Ajo ishte grua shumë e dashur sa ne të gjithë e thërisnim teze. 
Vlora asokohe kishte vetëm një kinema dhe,  sa herë që dilte ndonjë film i huaj, bëhej nami. Në rastin e filmave të Moldovanit ishte gati e pamundur të gjeje bileta. 
Njëherë na futi brenda teze Sanija por filmi ishte aq i bukur sa nuk na bëhej të iknim. Të nesërmen u gjendëm përsëri tek dera e kinemase. Ishte e shtunë dhe e pamundur të gjeje bileta. Turma e njerëzve tek biletaria ishte bërë mullarë. Pritëm mos dilte teze sanija të na fuste, por ajo nuk doli nga dera. 
Të mërzitur u kthyhem në shtëpi. E lamë të shkonim të hënën në orën 15-17, kohë ku shumica e njerëzve s’kishte dalë akoma nga puna. Shkuam dhe e pamë lirshëm filmin. Nga që na pelqeu shumë, nuk ikëm dhe u mbëshyem nëpër stolat dhe ndejtëm edhe nga ora 17-19. 
Ishim të mrekulluar, i mbanim mend gati të gjitha skenat dhe i imitonim. Ne atë kohë unë si "bythlëvizur" që isha, i ndërroja dendur kurset që ndiqnim në shtëpinë e pionierit. Mbasi kisha ndjekur kursin për fizarmonikë, shkova në kitare dhe, sa merrja kitaren në dorë filloja të luaja melodinë e Moldovanit, siç e quanim ne atëhere.

"Mi,mi, sol, la - mi, mi, sol, la…”duke e kënduar edhe në ate moment dhe vura re se Senator Nicolaescut, i cili po dëgjonte me sy të shqyer rrëfimet e mia, iu mbushen sytë me lot kur dëgjoj interpretimin tim të muzikës së filmit. 
“Oh, sa më preke!”, tha. “Më kujtove edhe mikun tim që shkroi muzikën e filmit dhe që tani, nuk jeton më”
Më perqafoi.
Në shqipëri, i thashë, populli thuri edhe një këngë për filmin e tij, dhe aty për aty ia fillova atyre vargjeve që djelmuria e vlorës i përsëriste papushim, madje edhe vend e pa vend, me zë të lartë:
"…Ti që vrave Moldovanin, ke punë me Romanin...." 
Aktori ngeli pa gojë. Më tej më tregoj për shumë filma të tjerë, për miq e dashamirës që kish bërë nëpërmjet tyre dhe një numër të madh njerëzish që kish njohur nëpër botë.
“I dashur mik…”, mu drejtua përsëri ai. “Më gëzove dhe u preka shumë nga të gjitha këto që më tregove. Të kam sjellë si dhuratë 6 kaseta të filmave të mij si dhe këtë fotografi të Moldovanit, të nënshkruar për ty….”
Znj. Florian, Luani dhe Mironi ngelën të gjithë të prekur nga ky gjest fisnik i tij. 
Pas pak, unë, mbasi i dhurova  katalogun e bërë për ekspozitën, tërë kënaqësi i bëra një prezantim të sallës dhe veprave paraqitur në të.

Telefoni s’e linte rehat Komisar Moldovanin. 
E shoqërova deri tek porta kryesore, ku ai më kujtoi përsëri që, sa herë të vija në Bukuresht, ta kërkoja e të rrinim përsëri bashkë. 
Kështu u ndava me mikun tim të ri dhe të vjetër, aktorin e shquar rumun Sergiu Nicolaescu. 
Po afronte ora e hapjes së ekspozitës. Dalë nga dalë po mbushej dhe salla.
Zonja Florian mbajti fjalën e hapjes, duke përshëndetur miqtë e shumtë qe kishin ardhur. Më pas e mori fjalën kritiku i njohur rumun Marian Constantin, me origjinë nga Korça, i cili i bëri një analizë të përpiktë çdo vepre arti dhe artisti.
Kishte ardhur koha e fjalës time.
Ju afrova mikrofonit, lëviza kokën duke përmbledhur në një të vetme sallën e mbushur përplot dhe e fillova duke thënë se nuk kishte përse të përsërisja rëndësinë që kishte ky aktivitet për  ballkanin dhe të ardhmen e tij europiane. Ato i kisha vendosur të shkruara në katalogun përkatës dhe secili prej pjesëmarrësve mund t’i lexonte. Më dukej më interesante për ta perse, mbas hapjes së kësaj ekspozite vitin e shkuar në Athinë, kisha gjykuar t'a hapja në Bukuresht. Nga radhët e publikut u dëgjua artikulimi i kureshtjes së rastit: "po hë, pra…!"
 „...Im at, Melo Velaj, mbasi kishte mbaruar studimet e larta për naftë në universitetin Gubkin të Moskës, punonte në ndërmarrjen e çpim-kërkimit të naftes në shqiperi, por që gjithmonë, na tregonte për një specializim dy mujor në Rumani, diku aty ne vitin '67.

Na rrëfente gjithmonë për rumaninë e për bukureshtin e bukur.  
Më vonë, aty nga vitet 1970, kinematë e shqipërisë u mbushën me filma rumunë (vazhdova të përmendja titujt e tyre) dhe pikërisht sot, të dashur zonja dhe zotërinje, unë pata kënaqësinë e madhe të takoj pikërisht ate që ka qenë idhulli i fëmijërisë time por jo vetëm times por dhe tuajës, të madhin Sergiu Nicolaescu. 
Në shkollë, mësuam se shumë intelektualë shqiptarë, dijetarë, poet dhe shkrimtarë të viteve 1900 e më pas, erdhën në Bukuresht dhe që këtu i përkushtoheshin shqipërisë dhe ëndrrës së saj për pavarësi e dije. Rumania ua dha mundësinë atyre të ndërtonin jetën por njëkohësisht të paraqesnin dhe identitetin e tyre kulturor, fetar e intelektual duke ju dhënë mundësinë të krijonin shoqatat dhe gazetat e tyre.

Salla oshëtinte nga duartrokitjet e shumta.
Këto, si dhe shumë miq që kam këtu dhe që bëra këto ditë, më bënë mua të vij këtu tek ju.
Ishte një vapë e madhe në Bukuresht. Zonja Florian vendosi që koktailin t’a jepte përjashta, në kopështin plot lule e skulptura të muzeut, njëkohësisht të pallatit presidencial.

Pata rastin të takoja edhe shumë intelektualë rumunë dhe mes te tyre, aktorin e njohur Nicu Constantin, i cili, edhe pse i lindur ne Bukuresht dhe nuk fliste shqip gjithmone thoshte "unë jam Shqiptar".
Rrugës për kthim, dëgjuam Mironin, djalin e Luan Topçiu‘t, që po  bisedonte artistit gjerman Klaus Joachim Keller të cilit së fundmi i tha:
"... Degjo! Kur të bëhem unë kryetar i bashkisë së Bukureshtit, këtij bulevardit që quhet "Armata popullore", do t'ja heq emrin dhe do t'ja vendos "bulevardi Fate Velaj"!
Artisti gjerman mbeti pa mend me arsyetimin e Mironit 12 vjeçar, ndërsa për mua e Luanin kjo nuk përbënte befasi. Thjesht ngaqë sapo e kishim përjetuar fëmijërinë në takimin me komisar Moldovanin!

 

Vjenë, e diel, 10 Shtator 2006