opinions, analysis and interviews

luan topciu - me merr dhe mua te deti jon

shenime te prof.dr. luan topciut mbi expon time me titull "me merr dhe mua te deti jon"  ku u paraqita si "artist of the month"  ne vjene me 14.06.2005

piktori fate velaj me  ekspozitën "më  merr dhe mua tek deti jon" i bën spektatorit austriak një ftesë për të parë dritën, ngjyrat, relievin, magjinë e detit jon. drita, ngjyrat, shenjat e magjia që ofron në këtë ekspozitë velaj bëjnë pjesë në identitetin e tij si njeri dhe si artist, në ontologjinë e tij, në muzën e fshehtë e të përhershme të artistit. artisti sjell para publikut austriak një realitet që i mungon atij personalisht, por që ai ka bindjen se do të gazmojë gjithkënd që do të ketë qasje në këtë realitet. dashuria për detin jon bën pjesë në dashuritë e thella për artistin, sepse ai mbart me vete dhe e shoqërojnë të gjitha imazhet e fëmijërisë, të gjitha nuancat koloristike të detit, të gjitha gjendjet e tij, të gjitha reflekset e dritës. deti shndërrohet në një pasqyrë të vetëdijes së tij artistike. do të ishte e zakonshme dhe mbase banale çdo lloj ftese, qoftë dhe turistike. ftesa që të bën një artist për të parë parajsën e vetëdijes së tij, për të parë dashurinë e vërtetë e të përjetshme të tij është më me vlerë se çdo grishje tjetër. ftesa e piktorit sot është e rëndësishme, sepse është një ftesë e vërtetë, e pashtirur. bukuritë e detit jon bëjnë pjesë në kredon e artistit, në bindjen e pagabueshme të tij se ai me anën e kësaj ekspozite po afron disa copëza peisazhi të përzjera me ëndrra të gatuara
nga malli.