opinions, analysis and interviews

interviste me gazeten shqip - 26.4.12

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7

 

Pasi i keni parë fotografitë e bocetit fitues për monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë, a mendoni se është një plagjiaturë e veprës suaj "The gates of Europe" realizuar në vitin 2009?

Për çudinë time, para dy ditësh ishin disa miq të mi nga Tirana e Vlora që më nisën disa foto të konceptit të veprës që ishte përzgjedhur si fituese e këtij konkursi, e nxitur nga ngjashmëria e madhe midis veprës sime "The gates of Europe", realizuar në 2009-n si pjesë përbërëse e konceptit tim "100 hapa drejt Europës" në Pogradec. E pashë me qetësi dhe ua nisa edhe disa miqve të mi, artistë ndërkombëtarë për të parë nëse edhe ata vinin re ngjashmëri mes të dyja veprave. Të gjithë ishin në një zë: veprat ishin të ngjashme.

Në fakt ka disa kohë që flitet për këto bocete. Ju nuk keni mundur ta shihni më parë ngjashmërinë e këtij boceti me veprën tuaj?

Unë jetoj në Vjenë dhe jam në lëvizje të përhershme nëpër Europë. Diku në media lexova për një konkurs për monumentin e pavarësisë, por nuk e mora seriozisht, pasi kohëve të fundit flitet vetëm për konkurse ndërkombëtare, për vepra arti, godina institucionale, sheshe, rrugë e varre etj. Ishin miqtë e mi që më sinjalizuan dhe e pashë pa u shqetësuar, sepse vepra ime është klasifikuar nga personalitetet më të larta të Europës si koncepti më i shkëlqyer në përmbushjen e sloganit "Ta bashkojmë Europën nëpërmjet kulturës".

A do ta prezantonit si një bocet për 100-vjetorin e Pavarësisë?

“100 hapa drejt Europës” kishte për qëllim të paraqiste historinë, rrugën, shpresat dhe perspektivat e vendit tonë, por edhe historinë e përbashkët europiane të Shqipërisë. Unë doja që në veçanti t’i drejtohesha rinisë së qytetit, Shqipërisë dhe rajonit, në një kohë që rinia ka pak personazhe frymëzimi, ku problemet e shoqërisë bëhen akoma më të vrazhda e të dukshme, ku e ardhmja nuk përmbush shpresat e tyre dhe realitetin në të cilin ata rriten. Se çfarë kanë menduar artistët që e kanë paraqitur atë bocet për 100-vjetorin e Pavarësisë, e dinë vetëm ata. Nëse unë do mendoja që këtë koncept të tyre ta paraqisja si një bocet për një ngjarje historike të kësaj madhësie, atëherë më duhet të them se nuk do të isha artist, por shtangist, në mënyrë që të më mbanin këllqet një peshë e barrë kaq të madhe siç është ajo e përgjegjësisë ndaj vetes, familjes, miqve e kolegëve ndërkombëtarë.

Do të bëheshit pjesë e këtij konkursi?

Më duhet të them me gojë plotë: Jo. Unë jam nga Vlora e me origjinë nga Kanina e Ismail Qemalit. Që në moshën 9-vjeçare kam përpara syve monumentin e pavarësisë në Vlorë, e cila tashmë është pjesë e ndërgjegjes kombëtare, e dashurisë dhe e ngazëllimit për veprën e atyre që sakrifikuan për atë ngjarje. Ajo është një vepër e realizuar me simbolika të forta që transmeton historinë, lavdinë, mundin dhe përpjekjet e shqiptarit për liri e pavarësi. Mund të kesh mendime e këndvështrime të ndryshme për atë vepër, por ajo është lavdia e kombit dhe është e paimagjinueshme që një ditë mund të ndërtohet një vepër tjetër, e cila mund të marrë pak nga shkëlqimi i saj. Asaj vepre mund t’i bëhet vetëm një cilësi e lartë bronzi, asgjë tjetër. Përpara disa kohësh unë pata idenë që me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të ridimensionoja këtë vepër, d.m.th. ta bëja koherente. Mendoja që së bashku me artistë nga trevat shqiptare të pikturonim me bojëra temporale të gjitha figurat e këtij monumenti, që nga Ismail Qemali me këmishë të bardhë, kravatë të kuqe e pallto të zezë deri te luftëtari me flamur sipër. Kjo do të kishte efekt koherent, pasi e bënte 28 Nëntorin 2012 si të ishte i gjallë. Një propozim për realizimin e një vepre me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë e kam paraqitur jashtë konkurseve. Ideja ime ishte që në malin e Shashicës, mbi detin e Vlorës, të ngrihej një shqiponjë me krahë hapur në përmasa të mëdha, e cila të ishte e ndriçuar natën. Kjo vepër do t’u thoshte mirëserdhët në “vendin e shqiponjave” të gjitha anijeve me turistë që do të hynin në gjirin e Vlorës. Një gjë të tillë do doja ta ndërtoja edhe në malin e Dajtit, me pamje nga Tirana. E paraqita këtë projekt në MTKRS dhe ia dërgova me shkrim edhe Kryeministrit, por nuk mora kurrë përgjigje.

Duhet të ketë një masë apo anulim në këtë rast?

Nëse duhet të ketë masa apo anulime, nuk është detyra ime ta mendoj. Ka mekanizma të shumtë që e rregullojnë këtë proces. Detyra e MTKRS-së është të bëhet serioze në punën e saj, të mendojë se si mund të realizohen vepra që në këto kohë janë të nevojshme për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare e të unitetit të vendit. Se çfarë roli ka pasur Tirana në 1912-n hajde e gjeje. Nëse duhej ngritur një monument i 100-vjetorit të Pavarësisë, unë do të thosha të ngrihet në Prizren, që ka qenë një tjetër djep i shqiptarizmit dhe ka luajtur rol të madh në zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare se sa në Tiranë, që atë kohë ka qenë një katund i madh.

A do të ndërmerrni një hap ligjor për ta konsideruar si plagjiaturë këtë bocet?

Unë nuk kam kohë të merrem më me procese gjyqësore të këtij lloji, pasi kam 18 vjet që më plasi buza e ngela gjyqeve për pronat e familjes sime dhe nuk po ia dal dot.