opinions, analysis and interviews

Alda Bardhyli - Kreuztanne

Alda Bardhyli ,
në gazetën "Shqip", në një analizë mbi romanin tim "Kreuztanne" ndër të tjera shkruan:

"...me një guxim për t’u vlerësuar Fate Velaj, ka vendosur ta tregojë historinë e tij si para një pasqyre. “Kreuztanne”, quhet romani autobiografik, botuar nga shtëpia botuese “Saras”, me autor Fate Velaj, i cili të bën të udhëtosh në një histori e cila mund të ishte e secilit prej nesh. Një histori e shkruar thjesht, por që mbart brenda kujdesin e një piktori që duke i shndërruar ngjyrat në rreshta, ta bën leximin sikur je duke u endur nga një tablo në tjetrën. Autori të ndihmon imagjinatën, duke të dhënë deri në detaje personazhe apo ndjesi që e kanë shoqëruar në këtë rrugë jo të lehtë. Velaj ka vendosur të tregojë gjithçka, deri tek trishtimin e madh të një çifti të ri kur humb fëmijën e parë. Ai ka vendosur të tregojë të vërtetën e tij, që është shembulli më i mirë sesi vetëm me besim mund t’i arrijmë gjërat që duam. Ky libër nuk është thjesht një roman autobiografik, i cili mund të lexohet në një fundjavë, por një leksion i madh jete. Është historia e një shqiptari të mirë, i një artisti të veçantë, i një babai të kujdesshëm, dhe i një bashkëshorti që ka me vete në këtë udhëtim gjysmën e tij më të mirë, Klarën. Ajo është personazhi kryesor i këtij rrëfimi, që dëgjonte me ëndje në ato shëtitje që përfundonin në liqenin ku vallëzonin rosat. Me intuitën e një gruaje të mençur, ajo i dha besim burrit të saj, e bindur se në vendin e lirive ku kishin mbërritur ata, kishin për t’ia dalë. “Kreuztanne” është një rrëfim që ti e lexon shpejt, por që do të lërë tek ty shijen e një leximi që nuk do të humbë asnjëherë nga kujtesa. Kjo, pasi në fund të leximit, ti ndien se mund t’ia dalësh me jetën tënde, ashtu si çifti shqiptar më shumë se dy dekada më parë, mundi t’ia dilte, i gjendur në një hotel të thjeshtë të Austrisë. Velaj e shkroi këtë libër në 24-vjetorin e mbërritjes së tij në Austri. Bashkë me familje, në këtë përvjetor ata vendosën të bënin një vizitë tek “adresa e tyre e parë”, e cila ishte e mbushur me emigrantë nga Siria. “I thashë familjes që para 24 viteve isha unë njëri prej tyre, pasi ky kamp si sot, ishte plot e përplot me refugjatë të ish-vendeve komuniste. Aq shumë ma trazoi kujtesën ajo që pashë, sa fillova të tregoja çdo moment të atyre dy javëve qëndrimi aty, deri më datë 5 gusht 1991, kur më hipën në një mikrobus dhe më çuan në malet e Sankt Antonit, në Gasthaus ‘Kreuztanne’ (Udhëkryq), emërtim të cilin e kishte marrë të tillë mbasi ai ndodhej në kryqëzimin e tri rrugëve që të çonin në tre fshatra, nga pesë kilometra larg që aty”, shkruan Velaj në prologun e librit. Njëra ngjitej përsipër në një të përpjetë të fortë. Rruga përbri zbriste teposhtë me një të tatëpjetë po aq të fortë dhe e treta në një rrëpirë dhe ajo shumë e fortë…E në mes të këtij udhëkryqi, ai zgjodhi rrugën ku e drejtoi zemra, për të na e sjellë ne kaq vite më vonë në një libër, i cili të bën të tejkalosh çdo udhëkryq..