opinions, analysis and interviews

Gilman Bakalli - Kreuztanne

Shënime mbi romanin autobiografik “Kreuztanne” të Fate Velajt

Nga Gilman Bakalli

Çfarë duhet t’i ketë kaluar nëpërmend piktorit Fate Velaj kur ka vendosur të lërë mënjanë për pak kohë identitetin e artistit si piktor e fotograf dhe të kthehet në një artist me identitet të trefishtë si autor, rrëfimtar dhe hero i romanit autobiografik me titullin “Kreuztanne”? Ngopje nga arti, shpikja, trillimi, fantazia? Uria për realitetin real, autentik dhe të vërtetë? Kush mund ta dijë?! Ndoshta e para, ndoshta e dyta, ndoshta të dyja. Në dorë kemi gati 300 faqe libër, të cilat Velaj na fton t’i lexojmë si roman autobiografik. Me gjithë paradoksin që mbart ky togfjalësh. Nga njëra anë pra na fton ta lexojmë si roman, d.m.th. si sajesë letrare dhe, nga ana tjetër, ta lexojmë si autobiografi, si histori reale dhe autentike e vetë autorit, rrëfimtarit dhe heroit. Sidoqoftë mungesa e formulës tradicionale: “personat dhe ngjarjet e përshkruara në këtë libër janë thjesht shpikje artistike dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me persona të gjallë apo të vdekur” na bën të mendojmë se rrëfimtarit i intereson ta lexojmë më shumë si një autobiografi, sesa si roman. Paradoksi “roman-autobiografi” mbetet, megjithë kujdesin e autorit rrëfimtar për të paraqitur gjithçka, personazhet, rrugët, pemët, shtëpitë e deri tek ngjyrat në detaje të imta me besnikërinë e një aparati fotografik dhe larminë e nuancave të një piktori të rafinuar. Sepse paradoksalisht sa më shumë kujdesesh për detajet përshkruese të një ngjarjeje apo personazhi aq më të forta bëhen “dyshimet” për autenticitetin e dhe vërtetësinë e tyre. Megjithatë deri në fund të librit, autori, rrëfimtari dhe heroi na hedh sa andej këtej, herë tek elementet fiktivë të romanit e herë tek autenticiteti i një rrëfimi të pangatërrueshëm me atë të një individi tjetër.

Uria për realitet

Ka një uri për realitet te ky roman. Uri që reflektohet tek mania gati gati obsesive për të mos lënë asgjë jashtë përshkrimit.Paraditen e së shtunës së dytë të marsit të vitit 1993, si gati çdo ditë të asaj jave, e cila fillonte me një mjegull të dendur gri, por që nuk zgjaste shumë për t’ia lënë vendin ndriçimit të një dielli të ngrohtë, ne dolëm nga dyqanet ushqimore në Scheibbs, ku kishim qenë për të bërë pazaret e fundjavës dhe, mbas disa hyrjeve e daljeve nëpër butikët në qendër të qytetit, bëmë një shëtitje buzë lumit dhe u kthyem në shtëpi. Ka fjali që zgjaten deri në 15 rreshta, në të cilat ti dallon urinë e pashuar të heroit për të rrëfyer imtësisht detajet e jetës së tij. Rrëfimi si mënyrë e përsosur për të shuar urinë për realitetin. Kam përshtypje se kjo uri duhet të jetë në harmoni të plotë me lexuesin e sotëm, këtë banor realitetesh virtuale, të uritur gjithashtu për realitet, puro dhe pa përzierje trilluese. Më tepër se thjesht me lexuesin, kjo uri vjen në unison të plotë me një kulturë si kjo e jona, e cila pas një mbingopjeje me fiksion, kërkon gjithandej si e babëzitur realen dhe autentiken. Formatet e reja televizive (reality show) apo zhanret e reja filmike e dëshmojnë këtë. Edhe për letërsinë, në një botë artificiale e virtuale, malli për autentiken bëhet gjithnjë e më përvëlues. Bota po fiksionalizohet e tëra. Pse duhet të na interesojë fiktivja, e trilluara, kur realja është interesante? Pse mos t’i rikthehemi reales, asaj që ndodh, që na ndodh çdo ditë? Asaj së thjeshtës e banales, bri së cilës kalojmë çdo ditë pa e vënë re?

Kuptimi i të zakonshmes

A duhet ta kërkojmë artin vazhdimit tek gjërat sublime, tek temat e mëdha e të fundme? Jo detyrimisht. Ndoshta ka të drejtë Ibsen kur thotë se “estetika mundet me qenë po aq mallkim për artin sa edhe teologjia për fenë”. Jeta personale që na paraqet Fate Velaj është krejtësisht e zakonshme. Është jeta e secilit prej nesh. Merita e Velajt qëndron në guximin për ta nxjerrë të përditshmen e mërzitshme të një emigranti, që endet brenda një hapësire tmerrësisht të kufizuar nga velloja e së zakonshmes, për ta përshkruar atë në detaje si për të na treguar se, vetëm duke e përshkruar banalitetin e përditshmërisë, ajo merr kuptim. Si për të na thënë se jeta pushon së qeni banale kur shkruhet për të. Autori, rrëfimtari, heroi na shfaqet i fiksuar pas detajeve të jetës së tij si emigrant. Shikoni se me çfarë imtësie ia përshkruan punëdhënëses së ardhshme austriake largimin nga Shqipëria për në Austri: vazhdoja t’i tregoja historinë time duke i thënë se tërë jetën kam pas ëndërruar të jetoja në Romë, e se ëndrra më la po ato ditë kur anijet mbusheshin me ëndërrimtarë të tjerë, por fatin do të ma sillte pranë një tjetër rrugë për të përshkuar, atë të ardhjes në Austri dhe fillova t’i tregoja për peripecitë e ikjes sime nga Shqipëria, atë shtatëmbëdhjetë korrik të po atij viti, kur hyra në Kosovë dhe vajta në Pejë, te miqtë e një kushërirës sime, e cila ishte e martuar me një pejan, të cilët, të nesërmen,  qysh në mëngjes, më nisën me autobusin e linjës Pejë-Göteborg, duke përshkuar kështu gjithë Jugosllavinë, ku sapo kishte filluar lufta, për të kaluar në Sentijl-Spielfeld kufirin slloven me Austrinë, ku, pa u gdhirë mirë e nesërmja, mbas gati 20 orësh rrugë, do të mbërrija në Salzburg dhe po aty, mora trenin për të ardhur në Vjenë e më tutje, atë tjetrin për në Traiskirchen, që siç më patën thënë, ishte vendi që duhet të paraqitesha, për të kërkuar azil.

Gjatë gjithë librit vihet re tendenca e rrëfimtarit për të mos u ndalur në rrëfimin e tij. Kam përshtypjen se po të mundte, Fate Velaj do ta tregonte të gjithë jetën e tij me një fjali të vetme, të gjatë, pa asnjë pikë, mbushur me presje, sa për t’u mbushur shkurt me frymë. Përshkrimi në detaje i të gjitha elementeve duket sikur është një lloj ri-pushtimi i atij realiteti malor. Gjithçka e vërtetë në një fjali të vetme. Fjalia e jetës. Si një akord simfonik me të gjitha notat njëherësh. Luftë fiksionalizimit të jetës. Vetëm një shqetësim patologjik për të mos harruar mund të realizojë me saktësi detaje të tilla…

Paniku për të mos harruar

Pasi e kam lexuar “Kreuztanne”, e kam pyetur autorin, nëse libri tij bazohet mbi ndonjë ditar të mbajtur gjatë viteve të para të emigrimit në Austri në vitin 1991. Ma ka mohuar. Nëse është kështu, nëse libri është një lloj “derdhjeje shpirtërore”, autori rrëfimtar duhet të ketë një kujtesë fenomenale. Prej asaj kujtesës, e cila nuk kujton asgjë, sepse nuk ka harruar asgjë. Një kujtesë, e cila e ka marrë rob të shkuarën dhe tani pas 25 vitesh po e çliron nga subkoshienca, duke e lëshuar si një kafshë të harbuar brenda 300 faqeve të librit. Kjo  kujtesë gati-gati e pavullnetshme ka një parakusht për të qenë kujtesë letrare: harresën. Përmes harresës kujtesa kthehet në një instrument zbulimi. Fate Velaj e shmang me shumë finesë riprodhimin gati-gati të automatizuar të kujtesës duke krijuar një realitet të ri letrar. Në ç’mënyrë? Nga njëra anë duke i shtuar përshkrimit të ngjarjeve dhe personave reflektimin psikologjik dhe, nga ana tjetër duke luajtur me elementin kohë. Në këtë pikë, rrëfimi autobiografik merr trajtat e romanit si fiksion. Kronologjia kohore nuk ruhet më si e tillë, por në romanin e Fate Velajt ajo shfaqet në regresione e digresione dhe mbivendosje që përputhen jo më me kohën fizike, por i binden logjikës subjektive të kujtesës. Kalimi nga njëri kapitull në tjetrin nuk është një kalim temporalisht progresiv, por herë rikthim në kohë e herë kapërcim në të ardhmen.

Narrativa si akt çlirues

Psikologjia na mëson se një life review, një rikthim në të shkuarën tonë personale mund të marrë trajtat e një terapie tejet të shëndetshme për forcimin e identitetit njerëzor dhe kuptimdhënien e jetës. Teksa lexon narrativën e ngèshme dhe autentike të Fate Velajt, stacionet e qëndrimit të tij fizik e shpirtëror, zhvillimin e tij si person larg vendlindjes,  e ndjen se je infektuar nga efekti i saj psikologjik terapik. Kthimi në historitë e së shkuarës mund ta kthejnë këtë nga një  barrë të rëndë në një ushqim të domosdoshëm për shpirtin. Në një përvojë, prej së cilës mund të ushqehesh përgjatë udhëtimit të gjatë të jetës. Pasi ke mbaruar “Kreuztanne”, mendon se shkrimi i një libri nuk mundet të jetë veçse një akt autobiografik dhe se përpjekja për distancë midis autorit dhe rrëfimtarit – rrëfimi si produkt i imagjinatës – është në fakt një përpjekje tërësisht autobiografike. Në fakt, çdo akt narracioni buron nga vetja jonë, nga mënyra se si funksionon ajo, nga vendet ku kalon vetëtimthi mendja jonë. Disa romancierë preferojnë t’i fshehin me mjeshtëri të sofistikuar ngjarjet, personat, pershtypjet, eksperiencat e tyre brenda faqeve të romaneve. Ndryshe prej tyre, Fate Velaj zbulon gjithçka të tijën, çdo pikë ndjeshmërie pa u kujdesur aspak për distancën autor-rrëfimtar. Tek “Kreuztanne”, rrëfimi dhe jeta janë një.