opinions, analysis and interviews

Professor - fjala ime gjate ceremonise

 

 Fjala ime gjatë ceremonisë në Kryeministrënë e Austrisë (Bundeskanzleramt-Palais Niederoesterreich) me rastin e marrjes së titullit “Profesor” nga presidenti i Austrisë.
Vienna, 13.12.2019

Shumë të nderuara zonja dhe zotërinj,
të dashur miq.
Nëse unë do t’i referohesha Mathias Claudius-it, i cili thoshte se, “kush ka bërë një udhëtim, ka se çfarë të tregojë” kjo fjala ime falenderuese sot, do të zgjaste shumë. Ndoshta më shumë se ç’e kam menduar unë pasi, rruga që kam përshkuar për të ardhur deri te kjo sallë, është e gjatë.
Madje, shumë e gjatë.
Unë jam i bindur se sejcili prej jush, të paktën një herë në jetë ka menduar se vendi ku po jeton, nuk është ai që normalisht duhet të jetë dhe nëpër fatnazinë e tij ka thurrur plane diku, në një tjetër vend e një tjetër të ardhme të përjetojë.
Nese do t'i referohemi përvojës së jetës, fare mirë do të vinim re se me të vërtetë ka një të ardhme të cilën, një ditë, me nostalgji, do e kujtojmë. Gjeneratat e prekura nga pesimizmi i ka munduar thënia se „Dikur, madje dhe vetë e ardhmja ka qënë më e mirë" ndërsa ato optimiste ndiqnin urtësisht rrugën e shpresës, ashtu siç bënte Ernst Bloch.
E ardhmja ka qënë gjithmonë e panjohur por, mbi të gjitha ajo ka qënë një hapësirë e lirë dhe e bardhë për fantazi krijuese, siç do shprehej kancelari Alfred Gusenbauer tek meditonte mbi ciklin tim në pikturë me titull "Kujtime nga e ardhmja"
Kështu ka qenë dhe për mua, nisur plot ëndrra për një të ardhme më të mirë nga Shqipëria, duke përshkuar permes Jugosllavinë, ku sapo kishte nisur lufta por që, mëngjesin e 5 gushtit të vitit 1991, pa pasur asnjë ide se ku ndodhesha, u gjenda në udhëkryqin pranë Gasthaus Kreuztanne, maleve të St. Anton Jeßnitz, duke parë tabelat e tri rrugëve që të shpinin në tri vendbanime të ndryshme, të cilat, për herë të parë në jetë, i lexoja.
Njëra zbriste poshtë, në një rrëpirë të thellë që të çonte për Sankt Anton/Jeßnitz, i cili nga ai vend ishte pesë kilometra. Tjetra ngjitej sipër, për në Frankenfels, po pesë kilometra dhe tejtra, për djathtas në një të përpjetë të fortë për Puchenstuben po aq, pesë kilometra.
Atë moment, ndenja njëfarë kohe aty si për të vënë re se nga cili drejtim do të vinin më shumë makina, për të kuptuar kështu se në drejtimin e cilës nga këto tri rrugë ishte dhe qyteti më i banuar, më i madh.
Pas një qëndrimi me vështrimin drejtuar thellë, duke parë faqet e maleve dhe luginave rrotull, mes një qetësie reanimacioni, vura re se kishte kaluar gati gjysmë ore dhe asnjë makinë nuk po kalonte.
Shpejt do ta kuptoja se fati nuk kishte qenë shumë bujar me mua dhe se enderrat e mia për një jetë në qytete të mëdha, me kinema, teatro e jetë të bujshme nëpër rrugët e gjera me makina ngjyra-ngjyra, parqe, lulishte e skulptura pranë të cilave zotërinj me frak e zonja me kapele me pupla shëtisnin, do të fshiheshin si me gomë atë ditë të 5 gushtit dhe se s’do të kalonte shumë kohë e do të më bëhej akoma më e qartë se aty, në majë të malit, mundësia për t’u rregulluar ose për të gjetur punë, do të ishte e vështirë ose thjesht një rastësi e momentit.
Atë moment, unë nuk dija se matanë atyre maleve, kishte vërtet një rrugë. Një rrugë të mbushur plot të panjohura, e cila, një ditë, do të më sillte këtu. M’u desh mua dhe gruas sime Klara t’i ndërtonim urat mbi lumenjtë e vrullshëm të viteve të para të jetës, pa u ankuar e pa u dekurajuar nga lotët e nga plagët. Nga vështirësitë e shumta që na dolën përpara, duke e filluar si pjatalarës e më vonë, për gjashtë vite, si punëtor fabrike me tre turne por që, çdo mëngjes, me mendjen te rruga përtej maleve, e mbaja shikimin tek majat e tyre, duke pritur përditë rrezet e para të diellit që do të shpërndanin mjegullnajat e luginës, e do t’na ndriçonin mendjen gjatë rrugëtimit të gjatë fillimisht për në Vjenë e, që aty, u nisa për të përshkuar “100 hapa brenda EUropës” dhe matanë kufijve të saj. Për në Bruksel, në London e Birmingham, në Romë, Athinë, Bukuresht, Kairo, New York, Boston, Trieste, Bari, Sanremo, Wels, Salzburg, Linz, Skopje, Prishtinë, Tiranë, Ohrid, Berlin, Zagreb...e deri te kjo sallë, për të cilën, presidenti Alexander Van der Bellen, qeveria e Austrisë si dhe Universiteti i Vjenës, më nderuan sot.
Shumë të nderuara zonja dhe zotërinj.
Unë vërtetë bëra rrugën time por, pa mbështetjen e disa personave, ajo mund të kishte qenë ndryshe.
- Unë dua të falenderoj prindrit e mi, posthum, që më bënë e edukuan kështu siç jam.
- Unë dua të falenderoj këtu në sallë Rupert e Manuela Krischek nga Scheibbs për miqësinë e thellë nga nëntori 1991 deri sot.
- Unë dua të falenderoj Lily Claire und Theodor Reitlinger, posthum, që në nëntorin e vitit 1991 më morën në punë.
- Unë dua të falenderoj ish presidentin e Parlamentit si dhe më vonë të Republikës, Heiz Fischer që në shkurt 2001 më hapi portat e parlamentit për të themeluar organizatën Forum Weltoffen si dhe në vitin 2013 më akordoi titullin “Kryqi i Artë i Kalorësit”
- Unë dua të falenderoj eurodeputetin Hannes Sëoboda që në prill 2001 më hapi portat e Parlamentin Europian në Bruksel për të paraqitur ekspozitën time “Vlora, Vienna and Brussels” por dhe MEP Josef Weidenholzer për kush e di sesa projekte nëpër Europë.
- Unë dua të falenderoj kryetarin e bashkisë së Viennës, Michael Haupl i cili, në shkurt 2002 më hapi portat e mëdha të bashkisë për të iniciuar dhe organizuar “Arti përmirëson kohën.”
- Unë dua të falenderoj ty, i dashur Emil Brix. Mua më kujtohet si të ishte dje ajo telefonata jote e fundshkurtit 2002 kur, i sapo kthyer nga Shkupi, më thirre në ministrinë e jashtme dhe më the sesa e çmuar do të ishte organizimi i “Arti përmirëson kohën” në Maqedoni ku akoma vazhdojne mosmarrëveshjet ndëretnike dhe, qysh pas suksesit në Shkup, mbështete dhe nxite në emër të Republikës së Austrisë çdo ide e platformë timen nëpër Europë e matanë kufijve të saj.
- Unë dua të falenderoj ALAR në Rumani. Ty i nderuari Alin Bogdan Stoica-deputet në Parlamentin e Rumanisë si dhe ju Radu Savulescu, Geo Marica e Luan Topçiu për projektet shqiptaro-europiane që kemi organizuar.
- Unë dua të falenderoj gjithë ata politikanë që më dëgjuan, më besuan dhe më mbështetën në këtë rrugëtim. Qofshin ata presidentë shtetesh. Kryeministra e ministra, deputë, eurodeputetë apo kryetar bashkish.
- Unë dua të falenderoj gjithë ata artistë nga Austria, Gjermania, Franca, Anglia e Italia. Nga Rumania, Greqia e vendet e tjera të Ballkanit. Nga Egjipti, Iraku e Irani. Nga Japonia, Kina e Koreja e deri nga Peru që u entuziazmuan nga fillozofia ime e “Arti përmirëson kohën” dhe e bënë një pjesë të rrugëtimit të tyre artistik me mua.

I dashur Eno Peci, unë të falenderoj që në 26 tetor 2014, ti, së bashku me kolegët e tu të baletit shtetëror të Austrisë, pranove ftesën time dhe, si një deklaratë dashurie për qytetin tonë të dashur, Vienna, organizuam për herë të parë “Vienna Night in Tirana”. Unë jam i mendimit se gjesti ynë i të punuarit pa honorare në organizim si dhe ajo që të ardhurat nga biletat e koncertit t’ia dhuronim fshatit të fëmijve SOS, ishte i duhuri dhe për këtë, ne duhet të jemi krenarë.
- Së fundmi, jo për nga rëndësia, unë dua të falenderoj familien time që më mbështeti gjatë gjithë këtij rrugëtimi të lodhshëm dhe e mbajti gjithmonë një pjatë supë të ngrohtë mbi tavolinë me idenë se mos befas, pa lajmëruar, kthehesha.
Faleminderit Klara.

Faleminderit Helena dhe Romel