catalogues, brochures and greetings word

"...tra fate e fate" - midis fates dhe fates

  • tragjas
  • piktura
  • fjala
  • papa

Disa mendime mbi ekspozitën “...tra Fate e Fate”, qe do të paraqitet në disa qytete të Italisë.
Kuratore e expo’s : Giusy Caroppo
 
Nga Dr. Luan Topciu
Fate Velaj jeton, punon, guxon dhe ëndërron  si një artist. Hapësira e tij artistike popullohet nga piktura, fotografia, dhe sprova, manifestime këto të një artisti komplet (Art Total) ose siç quhet në gjuhën e vendit ku u krijua, “Gesamtkunstwerk” (sipas konceptit të Richard Wagner e Hermann Nitsch). Befasues në gjithçka që ndërmerr, Fate Velaj refuzon çdo lloj stereotipi, duke krijuar një dukuri artistike origjinale, të pangatërrueshme, duke lënë kudo gjurmë te personalizuara. Velaj është një udhëtar i përhershëm në vise, vende, shtete, qytete, udhëtar në ëndrra të panjohura, në kohë të panjohura, ndërkufitarë dhe kufij të rinj; ngado që shkel merr mbresa nga vendi në të cilin ndodhet, duke i mbartur dhe transmetuar ato në artin e vet. Por, gjithashtu, këta “dialogë” udhëtimesh do të lënë gjurmë të thella edhe në një lëmi tjetër, duke e shndërruar atë në ideatorin, hartuesin dhe zbatuesin e shumë projekteve origjinale, që mbajnë markën e tij, qofshin ato në fushat kulturore e politiko-kulturore europiane, urbanistike si dhe kurator ekspozitash internacionale, nismëtar politikash publike, komentues dhe analizues ngjarjesh politike dhe sociale, ilustrues mendimesh dhe qëndrimesh publike si dhe shumë aktiv në masmedia dhe në rrjetet sociale.
Por, për nga intensiteti, ritmi marramendës i veprimtarive të tij, i njohur dhe i vlerësuar nga të gjithë nëpër Europë, të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një institucion të tërë dhe jo me një njeri të vetëm.

Piktura
Piktori Fate Velaj i është imponuar botës së artit përmes talentit të tij, përmes manifestimit artistik të befasishëm dhe tejet personal, përmes frymës së lirë e të shpenguar artistike. Mjeti më elokuent në veprat e artit të Fate Velajt është përdorimi i lirisë së shprehjes dhe i mjeteve artistike. Liria nuk është një atribut, por një e dhënë e lindur. Kësisoj, është e rëndësishme ta përdorësh lirinë që të ofrohet, të dish ta administrosh atë. Jo akëcili artist di të përdorë lirinë, jo të gjithë piktorët dinë të përfitojnë prej saj. Formimi skolastik  dhe akademizmi shterp shpesh sterilizojnë krijuesit, duke i orientuar drejt shabllonesh dhe, në rastin më të mirë, në imitues të përkryer të profesorëve të tyre. Fate Velaj di ta përdorë lirinë që të ofron arti, di të gëzohet prej saj dhe ta bëjë të frytshme - duke e materializuar në vepër arti. Ndaj në një përcaktim gjithëpërfshirës të gjithë paradigmës pikturore të këtij artisti mund të themi se: veprat e Velajt ndërtohen nën frymën dhe mjetet që të imponon liria. Ai di të jetë i shpenguar dhe i zhdërvjellët. Liria e shprehjes artistike merr forma e trajta nga më të beftat, merr zgjidhje konvencionale dhe jokonvencionale; liria e shprehjes tek pikturat e Fate Velajt nuk njeh stepje, kufizim skolastik, qëndrime e poza akademike, mëdyshje, hezitim, por di t’i japë krahë fantazisë së tij, di të shkelë skajet e fundmë të imagjinatës së tij.  Fate Velaj di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore të guximshme, duke na kapluar me gjetje artistike goditëse.
Në këtë hipostazë telajoja e Velajt fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me theksa e shkrirje të alternuara. Në veprën e piktorit fshihet shpirti i ndjeshëm i një poeti.
Përfytyrimi artistik, preokupimet artistike, vizioni i përgjithshëm, janë të afërta me cilësitë që mbart poezia moderne. Të gjitha këto shprishje të rendit të botës t’i lejon vetëm bota abstrakte që na ofron  Fate Velaj në pikturën e tij. Ai sheh në mënyrën e tij botën, sendet, magjinë, ëndrrat, zhgjëndrrën, kujtimet, misterin, natyrën. Ëndërrimi, trillet imagjinative, ndonjëherë rastësia në ekzekutim, injorimi i konvencioneve, e bëjnë sinonim me lirinë tërësore. Kompozimet ritmizohen herë-herë pothuaj në mënyrë muzikale, të mbajtura në një kolorit të qetë, duke hequr dorë nga kontrastet dramatike. Temat që dominojnë në pikturat e tij janë reflekse të një bote më pak të shqetësuar.  Në gjithë universin që na ofron piktori gjallon brishtësia dhe ngazëllimi.
Në një hipostazë tjetër, piktori bëhet më dramatik, ngjyrat bëhen më intensive, më agresive, në rrjedha të lira dhe, për pasojë, autori duket së jashtmi se nuk i interesojnë strukturat, por lëvizja e tyre, nuk i intereson objekti, por efekti që shkakton ai dhe dinamika e tij në raporte të caktuara hapësinore. Fate Velaj shkëlqen në sintaksën e pikturës së tij, pa neglizhuar aspak morfologjinë. Piktori ka një optikë të tij vetanake; ai nuk lihet i ndikuar nga asgjë e nga askush, sepse piktura e tij është më shumë një nevojë personale vetëshprehjeje: një vështrim personal dhe i pangatërrueshëm i botës së tij të brendshme dhe i realitetit ku jeton.
Artisti është formuar si personalitet në një nga kryeqytetet e artit europian-Vjenë, ndikimet e të cilit janë të dukshme, por ai ruan dhe mbart pashpëtueshmërisht në krijimtarinë e tij dritën ngazëlluese të viseve nga ai vjen, dritën mesdhetare të viseve joniane. Trajta nga fëmijëria, forma e ngjyra, shenja dhe ndjenja nga vendlindja, reflektohen jo vetëm në tablo, ku ky realitet pasqyrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dhe në tablotë më abstrakte të tij. Gjurmë të vendlindjes zbulohen në të gjithë krijimtarinë e Velajt, përfshi edhe forma të tjera të shprehjes artistike, poezi, fotografi artistike etj.

Fotografia
Në qoftë se piktura e tij është abstrakte dhe në të gjen të pranishme vetëm simbole, nyja dhe shenja, që sugjerojnë interpretime të hapura, të krahasueshme me pikturën e ekspresionizmit abstrakt-amerikan, apo i çlirët, si në rastin e pikturës “action painting”, fotografia e tij është tejet konkrete, e prekshme, me mesazh të lexueshëm dhe të fton të zbulosh një rrëfim e një ngjarje, që fshihet pas imazhit të saj e që mund të krahasohen vetëm me ato të Steve McCurry.
Në qoftë se në pikturë, figura njerëzore është mungesore, fotografia e tij popullohet me njerëz, me portrete, në hipostaza të natyrshme, portrete, dyer, dekore, objekte plot me shenja nga koha. Foto që emetojnë gjithmonë një histori. Fotografia e Velajt na mundëson leximin e rileximin e natyrës dhe të “ngjarjeve” të atypëratyshme. Shënjimi i kohës, ngrirja e çastit, që është i padukshëm në një gjendje normale në rrjedhjen e kohës, mbetet synimi thelbësor dhe rezultat i fotografisë artistike. Në një reagim të parë, fotografia e Velajt shkakton ose një buzëqeshje ose të trondit e të bën të lëvizësh nga vendi, sepse pika e fortë e artistit Velaj është befasia, e papritura. Ai dëshmon mprehtësinë e një artisti plot intuitë, që di të gjejë këndin e vështrimit, elementët që i duhen për të dhënë mesazhin, di të ndalë atje ku duhet, atje kur duhet. Velaj arrin në një kohë shumë të shkurtër të gjejë e të rrokë atë që është e veçantë, e papërsëritshme. Këndi i fotografimit, kompozimi, spontaniteti  e bëjnë atë, ashtu si edhe në pikturë apo aq dhe në stilin e jetës, të ketë origjinalitet.
Në botën e fotografisë, flitet për të ashtuquajturën “Street photography” (fotografi e rrugës) por për Velaj-n, termi nuk do të ishte i përshtatshëm, më shumë do të shkonte “fotografi udhëtimesh”, në udhëtimet në kuptimin fizik dhe metaforik të fjalës. Fate Velaj është një pasionant udhëtimesh dhe njëkohësisht, një dokumentues i shkëlqyer i tyre dhe jo pa të drejtë, e kanë quajtur si një Evliya Çelebi apo Lord Byron i kohëve moderne. Ai nuk rreket vetëm të sjellë përshtypje përshkruese për viset ku udhëton, por sjell thelbin, subjektet që flasin për vendin, për njerëzit që e popullojnë atë, për “shpirtin e vendit”.
Kur shikon fotot e Fate Velajt, të kujtohet ajo që thoshte Alfred Hrdlicka "Mir fällt nichts ein. Mir fällt was auf" pra, Fate Velajt “nuk i shkon në mendje, por i shkon mendja” tek ajo që ka nevojë të gjejë e në fund ta realizojë për t’ia paraqitur publikut të gjerë. Duke qenë fjala për fotografinë e rrugës, Velaj lundron në “ujërat e tij” në çdo mjedis urban, pavarësisht nëse flasim për qytetet e Europës apo akoma më tutje, të SHBA-së.
Albumi fotografik i Fate Velajt është i mbushur me skena që tregojnë një ngjarje, apo akoma më shumë, që sugjerojnë një subjekt për të medituar. Ato janë sinteza përjetimesh të cilat ai, më një “click” të vetëm tregon atë që një shkrimtari i duhet ta tregojë me përshkrime në faqe të tëra, kapituj apo në një libër të tërë.

Fjala
Piktura nonfigurative dhe gjestuale, fotografia plot me personazhe dhe vendngjarje, duken se te artisti Velaj lënë ende një boshllëk që duhet mbushur, dhe në këtë rast ai i beson fjalës. Kur ndjen kufijtë e fundmë të imazheve, tejngopjen e tyre, ai apelon te forca e fjalës, ndjen nevojën e rrëfimit përmes fjalës, ndjen nevojën e fabulës, nevojën e ludizmit përmes fjalës. Kështu, Velaj do të krijojë një serë sprovash, tekstesh, vargjesh, përshkrime udhëtimesh e ngjarjesh vetjake nëpër udhëtimet e tij të pafundme apo dhe në momente delikate të gjendjes së tij të kapluar nga emocioni e malli, duke zhdukur cdo element të letërsisë akademike, shenjat e pikësimit, duke mohuar rregullat gramatikore, duke prishur skemat, sipas parimeve të tij, që e udhëheqin si në pikturë dhe në  fotografi apo dhe në jetë dhe përfton kështu disa tekste atipike, të tejngopura emocionalisht, të shkruara me shumë delikatesë, intuitë dhe mprehtësi. Dhe këtu Velaj refuzon tekste të përpunuara,  të ftohta dhe akademike, por lë diçka bruto, duke i  mëshuar forcës së mesazhit, freskisë, papërsëritshmërisë.  Herë shkruan me tone lirike të forta, nën  temperaturën e lartë të mallit, siç janë poezitë dhe prozat e shkurtra për humbjen e prindërve, të miqve, për vjenën, për vendlindjen, për mallin e fëmijërinë, herë plot humor, ironi dhe autoironi si në gjithë letërsinë posmoderne. Tekstet e Velajt është vështirë t’i klasifikosh nga pikëpamja teorike: termi sprova u përgjigjet më mirë se çdo klasifikim. Në gjithçka që krijon Velaj krijon profilin e një artisti nonkonvencional. Klasifikimi i tyre duket se është gjëja e fundit që i intereson autorit, si në gjithë performancat e tij, atij i intereson rezultati, efekti, impakti mbi receptorin. Tekstet janë pjesë e artit total të Fate Velaj, janë pjesë e vetëshprehjes totale. Sprovat, së bashku me pikturën dhe fotografinë strukturojnë arkitekturën e “Gesamtkunstwerk”-ut të tij.