catalogues, brochures and greetings word

maska brenda dhe jashtë "vijës së verdhë"

Mbi expon e Fate Velaj me titull  "Saga e njerëzve brenda maskave" që u hap para disa ditëve në muzeun "Pino Pascali" në Itali. 140 fotografi të periudhes 2010-2014

Gazeta Shqiptare - 15.07.2015

NGA MIRA NIKOLLI

Me flokë të thinjura, i parruar, me fytyrë të rreshkur nga dielli, ky 60-vjeçar e sheh objektivin me sy që qeshin, duke e fshehur nën lëkurë gjithë trishtimin që ka hedhur penelata të forta në portretin e tij. Mundesh lehtazi t’i numërosh rrudhat. Mundesh përtej tyre të shohësh gjithë dhimbjen e viteve të shkuara në një qytezë, me pallate parafabrikate, katërkatëshe të thjeshta, ku dita lind e ngryset si në poemën e Migjenit. Me rroba të ‘dalaboje’, me duart e mëdha e të ashpra, mund të imagjinohet lirshëm me një lopatë në duar, ose një kazëm, ose me një karrocë, duke marrë udhën për në minierë, ose duke dalë prej andej, ose në minitregun e zonës, duke shitur zarzavate fshati, ose duke transportuar mobilie, ose duke pastruar rrugën, ose me të njëjtat duar lëkurashpra, duke mbështjellë fytyrën që nuk fsheh dot as skamjen, as vuajtjen. Ai është një nga shumë të tjerë: është një portret shqiptar, një portret dhimbjeje që mund ta gjesh edhe pa e kërkuar pasi kalon bulevardin e Tiranës. Ai është një portret i trishtë rrethinash ku mjerimi ulet këmbëkryq e vë përpara, ende sot, bukën, kripën dhe dhimbjen.
Në një fotografi të vetme, ia del të ‘ringresh’ historinë e një karakteri që në bardhezi fsheh shpirtin e tij. Është vetëm një prej fotografive të Fate Velajt, një ndër 140 të tilla, që prej datës 3 korrik ekspozohen në muzeun “Pino Pascali” (Poligniano al Mare) në Bari të Italisë.

“Saga e njerëzve brenda maskave” titullohet ekspozita dhe do të shfaqë imazhe shqiptarësh e italianësh, fiksuar rastësisht prej Velajt (piktor e fotograf) përgjatë udhëtimeve të panumërta, brenda e jashtë Shqipërisë, në metropole e rrethina, si dëshmi kohësh të ngelura ngrirë, si përshkruese e dokumentuese jetësh e historish njerëzore, njerëz rrethinash që qëndrojnë larg kamerave, larg revistave ku rehatohen kastat e një vendi pa kasta. Këto fotografi janë Shqipëria e vërtetë, ajo përtej ansamblit të ministrive, përtej shkëlqimit verbues ku ne, të gjithë rrekemi të zëmë një vend, pa e kthyer kokën pas. Fotografitë e Velajt sjellin portrete njerëzish të thjeshtë, dëshmojnë jetën e vërtetë të shumicës, në fshatra e qytete ku asgjë nuk ndodh dhe ku asnjë vendim e deklaratë e zyrave me kondicionerë nuk ndryshon gjë dhe as nuk përbën lajm. Portretet e Velajt sjellin para nesh jetën e atyre, ditët e cilëve krahasuar me tonat janë si të prera me thikë.

Qyteza të vogla, qyteza gri, pallate me ‘harta’ muresh të rëna, shëtitore të zbrazëta, ku nuk mbin as bar, fëmijë të ulur në sheshpushime ku nuk ka kënde lojërash, me gjasë edhe fëmijë pa fëmijëri, fëmijë me këpucë të grisura që shtrëngojnë në duar shkopinj druri në vend të lodrave; ose fëmijë që shohin përtej portash që zënë udhën; mandej, çobanë që ruajnë delet: burri i veshur me xhup, këmishë, pantallona doku e çizme (llastiku)- e gruaja, e veshur xhaketë të trashë, triko me kopsa përpara, një fund të leshtë e çizme (llastiku). Në kokë mban një shami të lidhur me një nyjë mbi ballë. Të dy, njëri në dorën e djathtë e tjetra në të majtën, mbajnë nga një shkop. Dhe shohin drejt aparatit, me një buzëqeshje që ravijëzohet së largu, s’dihet pse.

Prej fotografive të Fate Velajt zgjedhim ato që sjellin në vëmendje atë shtresë të shoqërisë që përbëjnë karakteret e dhimbjes: Shqipërinë e rrethinave përmes portreteve të trishta.
Faten, Luan Topçiu, e krahason me Steve McCurry-n. Amerikani McCurry njihet për fotografinë e tij “Vajza afgane”, që në fillim u botua në revistën “National Geographic” (ashtu si njihet edhe për portretet që ka fiksuar në zona lufte). Pikëtakimi i McCurry me Velajn duket të jenë portretet e rrethinave, karakteret e dhimbjes që gjenden larg prej metropoleve.
Ekspozita e Velajt, e kuruar nga Giusy Caroppo, çelur në dt. 3 korrik, në muzeun “Pino Pascali”, do të mund të vizitohet deri në 10 shtator. 

Në materialin prezantues shënohet se Fate Velaj (Vlorë 1963) është një artist që lëvron disa fusha të artit: piktor, fotograf, narrator, kurator e në fund edhe këshilltar i kryeministrit shqiptar për diplomacinë kulturore. Përtej të gjitha nismave publike të ndërmarra për ngjarje politike e sociale, ai është një udhëtar që dokumenton me fotografi portrete që të gozhdojnë me shikimin e tyre.
Secili imazh tregon një histori. Në Itali, fotot janë prezantuar si instalacion, që përshkruan shikime, grupe, situata, një sagë të vërtetë plot ngjyra, statuse sociale e objekte.

“Fotografia e tij është tejet konkrete, e prekshme, me mesazh të lexueshëm dhe të fton të zbulosh një rrëfim e një ngjarje, që fshihet pas imazhit të saj e që mund të krahasohen vetëm me ato të Steve MvCurry”, shkruan Luan Topçiu. Ai vëren se albumi fotografik i Fate Velajt është i mbushur me skena që tregojnë një ngjarje, apo akoma më shumë, që sugjerojnë një subjekt për të medituar: ato janë sinteza përjetimesh, të cilat ai me një “click” të vetëm tregon atë që një shkrimtari i duhet ta tregojë me përshkrime në faqe të tëra, kapituj apo në një libër të tërë.