catalogues, brochures and greetings word

KREUZTANNE - roman

KREUZTANNE
ROMAN - 300 faqe


i dedikohet babait tim Melo dhe vajzës Helena

 Një histori e vërtetë, e tij, por që mund të ishte dhe jotja, e vëllait tënd, e fqinjit tënd, e kujtdo prej atyre që në të largëtin e të tashmin vit 1991 u larguan nga Shqipëria me një qese mbushur plot ëndrra... historia e tij, që kishte ëndërruar të jetonte në metropole, por që fati i rezervoi një hotel të vogël në majë të maleve të Austrisë e që aty, kërkoi të rigjente veten e të ristrukturonte ëndrrat duke u përplasur, ulur e ngritur për të mos rënë kurrë në momente hidhërimi, drame e gëzimi, që fati ia kishte "shkruar" t'i përballonte i vetëm, larg. Një histori e shkruar në një stil vetjak, të pangjashëm, si piktura të realizuara me mish e me gjak dhe si fotografi të realizuara  me germa e fjalë për ta bërë këtë libër, një vepër që nuk duhet të lihet larg syve dhe matanë shpirtit.

☆☆☆☆☆

Ideja për të shkruar këtë libër më lindi në 24-vjetorin e ardhjes sime në Austri. Atë ditë të vitit 1991, pas një udhëtimi të gjatë e të rrezikshëm nëpër Jugosllavinë ku sapo kishte filluar lufta, i vetëm e me një qese me pak rroba me vete dhe me 100 marka gjermane në xhep, mbërrita më në fund, mbas 28 orësh, në “Lager”, në Traiskirchen, një qytet 20 kilometra larg Vjenës. 

Edhe këtë përvjetor, së bashku me familjen, vendosëm të bënim një vizitë te kjo “Adresa” ime e parë, të cilën e gjeta të tejmbushur me refugjatë nga Siria. I thashë familjes se përpara 24 vjetësh isha unë njëri prej tyre, pasi ky kamp, si sot, ishte plot e përplot me refugjatë nga ish-vendet komuniste. 

Aq shumë ma trazoi kujtesën ajo që pashë, sa fillova t’u tregoja çdo moment të atyre dy javëve qëndrimi aty, deri më datë 5 gusht 1991, kur më hipën në një mikrobus dhe më çuan në malet e Sankt Antonit, në Gasthaus “Kreuztanne” – “Udhëkryqi”, emërtim të cilin e kishte marrë të tillë mbasi ai ndodhej në kryqëzimin e tri rrugëve që të çonin në tre fshatra, nga pesë kilometra secila larg që aty. Njëra ngjitej përsipër në një të përpjetë të fortë. Rruga përbri zbriste teposhtë në një tatëpjetë po aq të fortë dhe e treta, në një rrëpirë, dhe ajo shumë e fortë.

Ishte dëshira e familjes që, në fund të asaj jave, qysh në mëngjes, të niseshim për te vendet që kisha shkelur e jetuar fillimisht. 

Për në Wieselburg, Scheibbs, Kienberg, Gaming, Sankt Anton/Jeßnitz për të ndaluar në Gasthaus “Kreuztanne”, aty, ku dhe filloi jeta ime e re, kujtimet e të cilave më detyruan të shkruaja këtë libër.