catalogues, brochures and greetings word

100 hapa brenda Europës

  • 100

“100 hapa brenda Europës” është një libër i cili bazohet mbi ngjarje të zhvilluara nga viti 2001 deri në vitin 2016. Është historia e ngritjes së një personi i cili krijoi një grupim artistik e që kërkonte të merrte përsipër një rol tjetër në shoqëri, larg klisheve dhe etiketimeve se artisti është i “destinuar” të realizoj vetëm vepra arti por që, përsipër mori rolin e mendimtarit, të krijuesit të strategjive kulturore e politike për të korrektuar e përmirësuar marrëdhëniet midis artit, kulturës dhe politikës e veçanërisht, krijimin e arkitekturës për ndërtimin e urave midis kulturave dhe civilizimeve, atyre brenda si dhe jashtë kontinentit.

Historia e një Forum-i, "Forum Weltoffen International" i cili, qysh në fillim e kishte të qartë rrugën që donte të përshkonte e që e nisi atë nga Vjena për të bërë stacione nëpër kryeqytetet europiane duke inicuar ide e vizione të reja që fituan zemrat, mendjet dhe krijimtaritë artistike, kulturore e politike të aktorëve kryesor të kontinentit dhe akoma më tutje.

Në këtë libër, nuk do të përqëndrohem tek 100 aktivite të realizuara mbasi ato kanë qenë më shumë se aq por tek stacionet kryesore artistike e politike të këtyre viteve duke i trajtuar ato ashtu siç në të vërtetë kanë ndodhur e analizuar me ndjeshmërinë e kohës kur ato u zhvilluan duke ju bashkangjitur atyre fotografi e skica të kohës si dhe ç’mendonin e përse ju bashkangjitën atyre dhe personalitetet më të larta nga bota artistike, shoqërore e politike e vendeve ku ato u realizuan, mes tyre:

Imre Kertezs – Çmim Nobel në Letërsi, Vaclav Havel – Dramaturg, disident dhe ish president i Republikës Çeke, Hermann Nitsch – Artist, Heinz Fischer – President i Austrisë, Ion Iliescu – President i Rumanisë, Alfred Moisiu – President i Shqipërisë, Boris Trajkovski – President i Maqedonisë, Jose Manuel Barroso – President i Komisionit Europian,  Miguel Angel Martinez Martinez - Zv. President i EU Parlament, Johannes Hahn – EU Komisioner, Benita Ferrero Waldner – EU Komisioner, Alfred Gusenbauer – Kancelar i  Austrisë, Werner Faymann – Kancelar i Austrisë, Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë, Agim Çeku - Kryeminister i Kosovës, George Papandreou – Ministër i jashtëm i Greqisë, Benita Ferrero Waldner – Ministre e jashtme e Austrisë, Ursula Plassnik – Ministre e jashtme e Austrisë, Peter Balazs – Ministër i jashtëm i Hungarisë, Michael Spindelegger – Minister i jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz – Ministër i jashtëm i Austrisë, Stavros Lambrinidis – Ministër i jashtëm i Greqisë, Riccardo Illy - President  regionit Friuli-Venezia-Giulia, Dirk Niebl - Ministër gjerman i ekonomisë, Milva Ekonomi - Ministre shqiptare e ekonomisë, Elisabeth Gehrer – Ministre e kulturës së Austrisë, Claudia Schmidt – Ministre e kulturës së Austrisë, Farouk Hosny – Ministrër i kulturës së Egjiptit,  Bujar Leskaj – Ministër i kulturës së Shqipërisë, Astrit Haracija – Minister i kulturës së Kosovës, Elisabeta – Kancevska Milevska – Ministre e kulturës së Maqedonisë, Ioannis Patelis – Ministër i turizmit të Greqisë, Erhard Busek - President i paktit të stabilitetit për Europën Juglindore, Bernard Vogel – Ministerpresident dhe president i Konrad Adenauer Stifftung, Visar Zhiti – Disident dhe poet, Përparim Kabo – Filozof, Luan Topçiu – Filozof, Hannes Swoboda – Eurodeputet, Knut Fleckenstein – Eurodeputet, Josef Weidenholzer – Eurodeputet, Doris Pack – Eurodeputet, Christa Prets – Eurodeputete, Wolfgang Petritsch – ish  përfaqësues i lartë i OKB në Bosnje, Dora Bakoyannis - Kryetare e bashkisë Athinë, Michael Häupl  - Kryetar i bashkisë Vjenë, Hans Peter Haselsteiner - CEO STRABAG AG, Herbert Stepic - CEO Raiffeisenbank AG, etj deputet parlamentesh, ambasador, kryetar bashkish, artist të famës internacionale, mendimatar nga vende të ndryshme të europës.

Prolog

Në vitin 1991, në Korrik, mbas gati 1 vit e gjysmë i papunë, i pa shpresë dhe pa asnjë rrugëdalje nga gjendja ku ndodhesha, vendosa që, si shumë bashkëmoshatarë të mi, të cilët mbas rënies së sistemit komunist ishin larguar nga vendi, të ndërmerrja dhe unë rrugën e emigracionit.

Nga porti i Vlorës, anijet e mega eksodit ishin larguar por, pikërisht në momentin kur po mendoja se po më ngushtoheshin mundësitë e largimit, rastësia e solli të gjeja një vizë për ish Jugosllavi dhe, nga Peja e Kosovës, mbas një nate bujtur tek familja Tigani, me anën e një autobusi të linjës Pejë-Goeteborg, u nisa për Austri ku, mbas gati 28 orë udhëtim nëpër Jugosllavinë në të cilën sapo kishte filluar lufta, mbërrita.

Si çdo fillim, dhe ai imi ishte i mbushur plot të papritura e që vinin në jetën time jashtë çdo imagjinate mbasi, deri atë kohë, nuk më kishte shkuar mendja se mund të jetoja diku, majave të maleve të Austrisë por, në mes të qyteteve mbushur me parqe e lulishte, bulevardeve e salloneve ku, zonja dhe zotërinj, qetësisht, shëtisnin.

Ngjarjet e viteve të para të jetës time në Austri, për nga dinamika e tyre do të ngelen të pashlyeshme nga kujtesa dhe, mbi të gjitha, disa momente ku më është dashur të përballoj dhe dramaticitetin e jetës e të ringrihem përsëri, ndoshta dhe më i fortë kur, fenomene të pa imagjinuara, të pa shkruara e të pa lexuara ndonjëherë as në mitologjinë greke, fati, mi kishte rezervuar mua t’i përjetoja.

Viteve të para, ju dedikova mësimit të gjuhës, leximit të çdo gjëje që më binte në dorë, thellimin e njohurive të mia mbi vendin që kisha zgjedhur si atdhe të dytë e veçanërisht, kërkimit të punës dhe ngritjes së familjes.

Nuk do zgjaste shumë dhe punët i gjeta por jo ato që kisha ëndërruar. E para punë ishte si pjatalarës. E dyta si çarrësh drush dhe e treta, si punëtor fabrike,  me tre turne, ku ndenja gati 6 vite e gjysmë, por që, asnjëra prej tyre nuk më pengoi ta mbaja ndezur pasionin tim për pikturën e kështu, në mënyrë autodidakte, ta zhvilloja atë për t’ia paraqitur fillimisht, i ndrojtur miqve e më vonë, botës së artit duke hapur ekspozitat e para të cilat patën dhe jehonën e duhur mediave për të më thelluan bindjen se, rruga ime kishte marrë një tjetër drejtim.

Jo më atë të punës fabrikave, por të paraqitjes artistike, futjes brenda hapësirave artistike vjeneze dhe thellimit të artit tim sipas koncepteve bashkëkohore.

Në vitin 1998 vendosëm përfundimisht të largoheshim nga Kienberg-Gaming, zona ku banonim dhe u nisëm për Vjenë.

Vitin e pare aty nuk kërkova punë, por kontakte me rrjetet dhe grupimet artistike të kryeqytetit. Me pikturat që kisha sjellë me vete nga zona ku kisha banuar si dhe me ato të rejat që kisha realizuar gjatë asaj kohe qëndrimi në Vjenë, mora guximin të hapja një ekspozitë personale dhe, ia arrita qëllimit duke hapur “Pikturoj në thellësi të dritës” në galeritë në qendër të qytetit të cilën më vonë e hapa dhe diku tjetër.

Ftesat kishin filluar të më vinin dhe çdo të tillë e merrja seriozisht duke shkuar nëpër debate, dialogë apo ekspozita që hapeshin nëpër qytet.

Në fund të nëntorit të vitit 2000, në kutinë time postare kishte mbërritur një ftesë nga “Shoqata austriake për politika kulturore”, (Österreichische Gesellschaft für Kulturpolitik) një union në të cilin merrnin pjesë personalitete të larta të kulturës e politikës austriake e që drejtohej nga Hilde Hawlicek, ish ministre e kulturës.

Ftesa ishte për pjesëmarrje në një dialogforum që do të zhvillohej në datë gjashtë dhjetor, një e diel, në orën 10.00 si një Matinée midis intelektualëve e prodhuesve të kulturës së qytetit dhe Alfred Gusenbauer, i porsazgjedhur kryetar i grupit parlamentar të socialistëve austriakë në parlament e që do të ishte dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Të dielën e gjashtë dhjetorit, me mëdyshjen në kokë të shkoj apo jo, instinktivisht, u bëra gati dhe u nisa.

Me të mbërritur në Theatre Ensemble në Petersplatz, aty në qendër të Vjenës, hapa portën e jashtme dhe zbrita disa shkallë për të mos iu besuar syve. Vendet ishin të zëna dhe në pritje që dialogu të fillonte, u ula në një parvaz, diku nga fundi.

Nuk zgjati shumë dhe Alfred Gusenbauer erdhi e filloi të paraqiste idetë dhe konceptet e tij për artin, kulturën dhe politikat kulturore. Ishte hera e parë që dëgjoja analiza të tilla dhe veçanërisht, dikë që, sado politikan, kishte njohuri të mëdha nga këto fusha dhe i trajtonte ato si të kishte dalë nga sallat e operave, teatrove, muzeve apo atelieve të artistëve.

Mbas analizës së tij, filluan dhe debatet dhe veçanërisht pyetjet nga të pranishmit e shumtë që kishin pushtuar sallën të cilët ishin të interesuar të dinin prej tij seç mendonte ai mbi këtë e mbi atë problematikë e shqetësim të tyre me të cilat ata përditë konfrontoheshin por që për mua, ishin gati surrealiste mbasi, deri atë kohë, nuk isha përballur me to.

Dëgjoja analizat e atyre burrave në mosha të ndryshme, të rinj  e të moshuar, me mjekra të zeza e të bardha, me syza me xhama të trashë, të cilët, disa i njihja nga televizori, disa nga aktivitetet e mëparshme, por që shumicën prej tyre nuk i njihja e i dëgjoja për here të parë për të më ngelur mendja tek personi që ishte ulur një rresht përpara meje e që, me një zë kumbues u paraqit të ishte Gerhard Ruiss, përfaqësues i interesave të autorëve austriakë në lidhjen e shkrimtarëve.

Dëgjoja argumentet e tij me atë zërin e plotë dhe të ngjeshur me fakte si dhe përgjigjet që Gusenbauer i ktheu.

Mbasi kisha dëgjuar gati të gjithë diskutantët dhe përgjigjet e Gusenbauer, diku nga fundi, doja që ta merrja unë fjalën dhe, me mëdyshjen nëse ato që do të parashtroja mes atyre burrave e grave, personalitete të larta të kulturës vjeneze do të humbitnin si sheqeri në ujë, ngrita dorën për të kërkuar fjalën.

Moderatori më vuri re dhe tha se pas dikujt që  kishte kërkuar më parë të fliste, do e merrja unë fjalën. Parafolësi nuk zgjati shumë dhe moderatori drejtoi dorën nga unë, si të më thoshte, e ke fjalën ti.

Salla kthehu kokën kur unë, i ngritur në këmbë artikulova emrin tim që, në krahasim me parafolësit, tingëlloi i huaj.

Në fjalën time u përqendrova tek disa ide dhe mendime që kisha shkëmbyer me miq e kolegë artistë, vendas e të huaj e që prej disa muajsh, më kishin pushtuar mendjen dhe kërkoja tu jepja zgjdhje.

“…ky debat zhvillohet në një kohë, kur shoqërinë e shqetësojnë problematika të ndryshme, kur dialogu mes kulturave dhe veçanërisht, asaj vendase dhe atyre të ardhura nga vende të largëta nuk ka gjetur akoma besimin reciprok e që së bashku përbëjnë një pasuri e cila duhet zbuluar dhe vendosur në evidencë për t’ia paraqitur shoqërisë si një e mirë e përbashkët. Por, ky debat zhvillohet edhe në kohën e ringritjes së ndjenjave të ksenofobisë dhe e elektoratit ekstra të djathtë, që si ideologji të saj ka fryrjen e zjarrit të frikës mbi humbjen e vendeve të punës, pasigurisë që vjen nga ardhjet e të tjerëve e që lidhen me frikën e “asimilimit” të vendasve nga të huajt. Koha e sotme e kërkon një rishikim të rolit të artistit dhe kulturprodhuesit dhe ngritjen e tyre në një dimension të ri.

Krijuesit e sotëm, nuk janë “zanatçinjtë” e djeshëm.

Nësë deri përpara disa kohëve, ngjarjet, për nga mungesa e mjeteve të informacionit bëheshin të vjetra, por sot, mjetet moderne të komunikimit na e kanë afruar realitetin dhe çdo gjë që ndodh në botë, me një shpejtësi që më parë ishte gati e paimagjinueshme të vjen përpara syve dhe mendjes e në këtë mënyrë, me dashje apo pa dashje fillon dhe krijon opinionin tënd mbi ngjarjen dhe faktin. Këtë opinion, ne, artistët dhe krijuesit në përgjithësi, duhet ta vendosim mbi të përveçmet tona dhe ta kthejmë në një dialog shoqëror dhe mbi të gjitha, të parashtrojmë dhe alternativat tona mbi zgjidhjen e problematikave që dalin përpara shoqërisë dhe në të njëjtën kohë, të hapim perspektiva të reja.

Pra, ideja ime qëndron në rolin e ri të artistit dhe krijuesit, të cilin, si mendimtar e korrektues i shoqërisë ta ngremë në një nivel tjetër, në atë të promotorit të një rilindjeje të re shpirtërore ku ai, artisti, të mbaj peshën, përgjegjësinë dhe mbi të gjitha të ngrejë ura bashkëpunimi midis kulturave dhe civilizimeve…”

E ndjeja që isha skuqur.

Ndjeja shikimet brenda dhe jashtë syzave të trasha me skelet metali apo kauçuku të të pranishmëve, buzëqeshjet e disave brenda dhe jashtë mjekrave të bardha e të zeza, tundjet e kokës së dikujt disa radhë përpara apo dhe të ndonjërit që këto arsyetime të miat iu dukën demagogji, për t’u ulur përsëri tek vendi im dhe, nuk zgjati shumë kur takimi mbaroi.

Të pranishmit iu drejtuan një sallë tjetër ku ishte shtruar një si katering dhe, me filxhanin e kafesë në dorë, ndjeja që disa nga të pranishmit më afroheshin duke më shtrënguar dorën e shprehnin aprovim me ato që thashë disa minuta më parë.

Nuk zgjati shumë kur Alfred Gusenbauer erdhi tek unë, më vendosi dorën tek shpatulla e më pyeti:

- Si e mendon në praktikë arsyetimin tënd?

- Momentalisht nuk e kam thelluar shumë por, ideja qëndron në krijimin e një forumi me përbërjen e artistëve dhe krijuesve nga vende të ndryshme e me ta, të krijojmë strategji e nisma të cilat, nëpërmjet ekspozitave, prezantimeve dhe dialogëve të thërrasim aktorët kryesorë dhe vendimmarrës të artit e kulturës e t’i ballafaqojmë ata me publikun e interesuar rreth një teme të caktuar që për ne, është e rëndësishme.

- E organizon dot një ekspozitë arti me miqtë e tu në Parlament, këtu në Vjenë?

- Kuuuu? Në Parlament?

- Po. Në Parlament. Do të ndihmoj unë ta realizosh.

- Ty s’të gjej dot më por, më thuaj me kë të qëndroj në kontakt.

- Kërko Dr. Marion Knapp, është sekretare e klubit parlamentar dhe tregoji për bisedën e sotme me mua. Unë, nga ana ime, do e informoj.

Qëndrova dhe njëfarë kohe aty duke biseduar me të pranishmit, shkëmbeva numrin e telefonit dhe e-mail me ta për t’u larguar nga aktiviteti në Theater Ensemble në qendër të Vjenës e kthyer në shtëpi duke ndaluar më parë tek parlamenti, për të parë dhe njëherë nga jashtë atë godinë impozante në të cilën nuk kisha qenë ndonjëherë më parë brenda.