catalogues, brochures and greetings word

Vjollca Lubonja - Trilogjia Kreuztanne

Disa mendime të shpejta mbi trilogjinë KREUZTANNE të Fate Velaj

Nuk di përse kjo trilogji (1.KREUZTANNE; 2. NILKON; 3. ITAKA) m'u fanit si një mal ku, secili libër të përcjell ndjesi të ndryshme: ashtu siç ndryshon statusi shoqëror, gjendja shpirtërore e autorit ashtu ndryshon gjuha që evoluon nga libri në libër.
Por, vlera e saj, shpërfaqet në disa aspekte ku e para, dhe shumë e rëndësishme, është sinqeriteti, besueshmëria e tërë veprës dhe gjuha e lëvruar me një gërshetim të përmbajtur dhe elegant të letrares me dialektoren (ajkën e dialektit të qytetëruar lab që e lezeton shumë veprën).
Kultura e formimit dhe informimit të shkrimtarit, që shpaloset aq sa duhet, pa e bezdisur lexuesin, por duke e siguruar se vepra e tij ka brumë, ka vende dhe njerëz real, ka statusin e një vepre bashkëkohore, shumë më lehtë për t'u perceptuar dhe besuar.
Autori është sot shkrimtari më autentik, më elegant, sepse është personazhi-autor dhe lexuesit ai i afohet pa dritë-hije, pa të panjohura dhe, ai, lexuesi, e pranon, e do si një personazh hero, triumfues jo thjeshtë për karrierën e sotme, por për rritjen, metamorfozën e zhvillimit real të personazhit, njeriut (pse jo të modelit).
CV në 3 volume nuk besoj se ka njeri në botë të ketë. Në këtë triologji shkimtari-personazh shfaqet në 3D, madje edhe më tepër...si pas një skaneri të mendjes dhe të zemrës...
Një triologji autobiografike.
I qendroj mendimit që pikasa që te libri i parë, KREUZTANNE, m'u përforcua tek i dyti NILKON dhe e konkludova tek ITAKA se kjo triologji është jo vetëm dallëndyshja e parë e këtij lloji në letërsinë shqipe (dhe jo vetëm asaj shqipe), që përbën jo thjeshtë "një ngjarje letrare" siç thotë KADARE te kopertina e librit "ITAKA", por ajo shënon një ngjarje në historinë e letërsisë, një risi në formë e përmbajtje, në sjellje e qasje, në shprehje dhe ndijim...
Pra, trioligjia e Fate Velaj duhet studiuar nga kritikë letrarë me nivel!
Vlerat e saj e kapërcejnë letraren, sepse njëherazi ajo është edhe dokumentare po aq sa dhe psikologjike.
Triologjia duhet të përkthehet e plotë, të tri pjesët e saj, në të gjitha gjuhët e mundshme, sepse ngjarjet aty i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, Austrisë, Rumanisë, Greqisë, Egjiptit e kudo ku zhvillohen ngjarjet, sepse jeta e treguar aty, e autorit-personazh mund të ishe edhe e dikujt nga Kina, nga Nigeria, nga Australia, Amerika etj..
Por, sidoqofte, te Fate Velaj, artisti 3D, ka një ndryshim esencial të të shkruajturit të veprës së tij, në krahasim me të tjerët, ai nuk sjellë vetëm fjalën, dmth nuk e sjell atë vetëm me shkronja, por edhe me ngjyra (siç i shohim në telajot, apo në fotografitë artistike që ai sjell nëpër ekspozita), por hera-herës, fjala e tij merr edhe veshje muzikore që nga ajo e vendeve ku ngjarjet zhvillohen, deri te simfonitë e Bethovenit. (...)

Dr. Vjollca Lubonja
Tiranë, 18.11.2019