poetry, essays and narrativas (copyright ©)
Mbusha duart me kujtime
Mbusha duart me kujtime
I dedikohet babait tim Melo Velaj (1928-1995)
Mbusha duart me gëlqere
dhe i fshiva në varr t’babait,
dua ta zbardh k’të gropë të errët,
k’të gropë në fushë të pjerrët.
Mbusha duart me kujtime
dhe i zbraza në varr t’babait,
dua ta mbush k’të gropë të errët,
ta sjell drejt k’të fushë të pjerrët.
Mbusha duart me këpucë
dhe i zbraza në varr t’babait,
dua të dalë nga gropë e errët,
nga kjo gropë në fushë të pjerrët.
Nga dritarja e dhomës sime,
pres babanë të vijë nga larg,
të tregojë ku kishte qenë,
të dëgjojmë se ç’ishte thënë.
Erdha prapë te varri i babait,
të marr vesh ç’e kish penguar,
erdha zbathur e po rri larg,
t’mos më shohë të hidhëruar.
Mbusha duart me të fala
dhe i zbraza në varr t’babait,
të përshëndes gropën e errët,
gropën e thellë në fushë të pjerrët.
Vlorë, varrezat e qytetit,
e hënë, 4 korrik 2011