poetry, essays and narrativas (copyright ©)

RIP. per Vaçen

R.I.P për Vaçen[1]

 

E dëgjova para disa ditësh. Përsëri. Isha duke ardhur nga Vlora në Tiranë dhe duke kërkuar stacione në autoradio, kur doja edhe pak kilometra të shkoja në Lushnjë, një stacion që duhet të ishte i qytetit, po jepte një këngë të saj.

R.I.P. edhe për një pjesë të kujtimeve tona, kur prisnim festivalet në TV dhe qysh në fillim, akoma pa u kënduar këngët, thoshim se do e fitonte Vaçe Zela.

R.I.P. edhe për pritjet tona në radhët e gjata dhe të lodhshme për ushqime e vajguri. Kur, nën diellin përvëlues të beharit, diku rrotull, do të ishte një dritare e hapur e dikush që kishte ngritur zërin e radios në majë të qiellit, nga ku vinte zëri qiellor i Vaçes së bashku me rrezet përvëlonjëse të diellit, për të depërtuar thellë, për të ndriçuar dhe për të mbushur hapësirën boshe mes shpirtit e stomakut.

R.I.P. për Vaçen, vajzën nga Lushnja që iu dedikua shpirtit të shqiptarëve, duke e dërguar shpirtin e saj në përjetësinë e kujtimeve të tyre.

 

Tiranë,

e enjte, 6 shkurt 2014