poetry, essays and narrativas (copyright ©)

cafe rostand, paris

Mëngjes në kafe “Rostand

Publikuar më 04.12.2014 -  Gazeta Shekulli  

Mirel Sheme

Këshilltari i kryeministrit Rama për kulturën Fate Velaj në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon për takimin me Besiana Kadare, vajzën e shkrimtarit Ismail Kadare, njëkohësisht ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO. Velaj shprehet rreth vendit për të cilin Kadare u frymëzua për të shkruar librin e tij të fundit. Çfarë të veçantash ka ky ambient që krijoi një impakt aq të madh për shkrimtarin tonë sa ta bënte atë të shkruante një libër. Velaj tregon për shëtitjet e Ismailit me Helenën në ambientet e tij të preferuara në Paris dhe për faktin pse ky ambient, kafe “Rostand”, është ndër të preferuarit e tij.

Zoti Velaj çfarë mund të na thoni për bisedën me vajzën e Ismail Kadaresë, Besianën, gjatë takimit në kafenenë “Rostand”, vend për të cilin Kadare shkroi librin e tij të fundit “Mëngjeset në Kafe Rostand”?

Unë shkova në Paris për arsye të angazhimeve të mia të punës pasi kemi ndërmend që në datën 27 maj 2015, në selinë qendrore të UNESCO-s, të organizojmë ekspozitën “Shqipëria pa fotoshop”, ku në këtë institucion botëror të artit dhe të kulturës, të trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale botërore, ne të kemi mundësinë, që për herë të parë, të paraqitemi me një ekspozitë reale se si është gjendja e objekteve shqiptare që ne pretendojmë që janë autentike dhe t’i futim në UNESCO. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e këtyre materialeve pa retushim, pa fotoshop, pa “make up”. Ne do të mundo-hemi të sensibilizojmë të gjithë aktorët që janë kryesorë, si trupin diplomatik të akredituar pranë UNESCO-s, ambasadorët, vetë sekretarin e përgjithshëm Bukova, se kjo është gjendja e Shqipërisë dhe kjo është një trashëgimin e pasur, e papërsëritshme botërore, me anën e së cilës ne, në mënyrë të ndërgjegjshme, i paraqitemi botës, por që ka nevojë edhe për mbështetjen e UNESCO-s. Ambasadorja jonë pranë UNESCO-s është Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Gjatë vizitës dhe bisedave tona nëpër ambientet e selisë së UNESCO-s, Besiana më tha: “Fate, nesër do të jetë kohë e bukur. Dalim një shëtitje në “Jardin de Luxembourg”, (Kopshti i Luksemburgut)”. Normalisht që nuk mund të refuzoja një ftesë të tillë, pasi kam qenë edhe vitin e shkuar dhe ka ambiente shumë të bukura dhe çlodhëse. Në bisedë e sipër e pyeta për librin e fundit të Kadare. I thashë se: “Kam dëgjuar që babai ka shkruar një libër për këtë vend “Mëngjeset në Kafe Rostand”” dhe ajo më pohoi po aty ndodhet edhe kafeneja “Rostand” mund të shkojmë për një kafe. Gjatë paradites u takuam në kafenenë “Rostand”, e cila ndodhet në sheshin “Rostand”, “La place Edmond Rostand”. Është një fakt interesant se emri i sheshit dhe i kafenesë, së cilës shkrimtari jonë Kadare i ka kushtuar edhe një libër, është vendosur në nder të njërit prej shkrimtarëve më të njohur të Francës së shekullit XVIII, Edmond Rostand.

Shkrimtari ynë Ismail Kadare jeton shumë pranë kafenesë “Rostand”, në një apartament në krah. I gjithë sheshi aty është i mbushur me kafene, por Kadare nuk kishte sesi të zgjidhte një kafene tjetër, duke pasur aty pranë kafenenë “Rostand”, pasi besoj se vetë emri i kësaj kafeneje e ka tërhequr Kadarenë, duke pasur parasysh dramaturgun francez, Rostand. Tek kjo kafene, Kadare ka një tavolinë disi të preferuar ku ai shkon gjithmonë. Ajo ditë ishte shumë e bukur me diell dhe kafeneja ishte e tejmbushur, jo vetëm në ambientet e saj të jashtme, por edhe brenda saj. Duke ditur faktin që këtu vinte shpesh Kadare po përpiqesha me vëmendje të shikoja me detaje gjithçka, të bëja një perceptim të njerëzve që janë aty dhe të bëja një lidhje me personazhet e librit. Përpiqesha të zbuloja se mos ndoshta ndonjëri prej klientëve të kafenesë mund të më përngjante me përshkrimin që u ka bërë Kadare personazheve të tij. Sigurisht që aty mund të kishte edhe njerëz që janë klientë të përhershëm dhe pse jo ndonjë prej tyre mund të ishte personazh i librit të Kadaresë. Duke u intriguar edhe nga romani i Kadaresë gjtihmonë mundohesha të “kërkoja” me sy ndonjërin prej personazheve. Pimë kafenë bashkë me Besianën, biseduam për artin, letërsinë, kulturën, për projektin që kemi në plan së bashku dhe më pas dolëm një shëtitje në “Kopshtin e Luksemburgut” i cili ndodhet 10 metra larg. Gjatë shëtitjes në njërin prej parqeve më të bukura të Parisit, i bukur jo vetëm nga dora e njeriut, por edhe për peshën që mban mbi supe, më bënë përshtypje njerëz të lirshëm, stola, gjithçka tipike vjeshte. Gjatë bisedës, Besiana më tregonte se Ismaili dhe Helena, pasi pijnë kafenë në “Rostand”, gjithmonë dalin shëtitje në “Kopshtin e Luksemburgut”.

Besiana më tregonte se shëtitjet në “Jardin de Luxembourg” janë ato që e mbajnë Kadarenë të lidhur me Parisin, duke pasur parasysh edhe moshën e tij pak të thyer. Për mua ishte mbresëlënëse që të shkoja në kafenenë “Rostand” menjëherë pas daljes së librit. Ismaili është pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe të shkosh në vendet ku frymëzohet për të shkruar Kadare normalisht që është diçka e veçantë. Edhe në Vjenë, kur u përmend emrin e Kadaresë, shprehin një vlerësim të madh për figurën e tij. Vetë ministrja e Kulturës së Austrisë, Elisabet Gerar, kur e kam pyetur dikur se çfarë do u dërgosh miqve për Krishtlindje, më tha se do t’u dhuronte libra nga shkrimtari i preferuar i saj, Ismail Kadare. Një vlerësim i tillë vjen nga ministrja e Kulturës së Austrisë dhe kjo nuk është pak. 

Tradita

Rostand”, një shembull edhe për ne

Unë isha dëshmitar i suksesit që pati ky libër gjatë promovimit të tij në panairin e librit. Si u shpreh Besiana Kadare rreth suksesit të librit?

Prej vitesh, Besiana jeton në Paris dhe nuk ka pasur mundësi ta ndjekë promovimin e librit të fundit të të atit, por duke u rritur në një familje letërsie, kulture, ku kanë hyrë dhe kanë dalë njerëz të famshëm të këtij vendi, e imagjinon se çfarë mund të ndodhë gjatë promovimit të librit të fundit të të atit. Ne admiruesit e letërsisë dhe të artit i lutemi perëndisë që njerëz të tillë si Kadare të na japë sa më shumë. Tashmë Kadare nuk shkruan për vete, sepse çdo gjë e shkruan për ne. Tashmë çdo kryevepër e tij, më shumë se karrierës së tij na mbetet ne dhe pasurisë letrare botërore. Çdo gjë që do të dalë nga Kadare, nga  mendja, nga dora, nga pena e tij, është pjesë e historisë kombëtare dhe botërore. Çdo gjë që ne do të marrim nga ai do t’i jemi mirënjohës perëndisë që i dha akoma më shumë jetë.

Përpos asaj që ju përmendët, çfarë elementesh të tjera mund të na tregoni, të cilat e kanë bërë Kadarenë që të ulet dhe të shkruajë një libër për këtë kafene?

Një prej të shumtave mund të jetë që Kadare jeton shumë pranë dhe përzgjedhja e kësaj kafeneje nuk mund të jetë rastësore, më shumë se i ngacmuar nga emri i kësaj kafeneje, për të cilin folëm më sipër. Sapo mbërrita në kafenenë “Rostand” ajo që më bëri përshtypje ishte numri i madh i njerëzve, si në ambientet e jashtme dhe të brendshme të saj. Aty nuk mund të shijoje vetëm kafenë, por ishte një jetë që “vlonte”, kishte një dinamikë për të cilën jam i bindur që e ka ngacmuar dhe e ka frymëzuar Kadarenë. Ndoshta Kadare vetë mund të ketë përjetuar ngjarje aty. E them këtë për vetë faktin e thjeshtë të shkrimit të një libri të tërë për atë kafene. Kjo gjë më bën të mendoj se ajo është më shumë se një kafene për Kadarenë. Mund të them edhe nga eksperienca ime se nëpër botë kafenetë nuk janë thjesht ambiente për të pirë kafe, vende gjerbeje kafeje, por pika takimi të artit, kulturës dhe letërsisë. Në kafe “Central” të Vjenës, në vitet ’30, Stefan Cvajg takohej me shkrimtarë të tjerë botërorë dhe bënin biseda letrare. Kafenetë kishin rolin e një pike takimi, ku ata shkëmbenin krijimtarinë e tyre. Kjo traditë fatkeqësisht mungon në vendin tonë, ndaj do ishte më mirë, se sa të merreshim me fjalë, t’i shfrytëzonim këto ambiente për krijimtari letrare.

Sa i shijonte Besiana Kadaresë kafeja në “Rostand”?

Besiana vinte shpesh në këtë ambiente. Shpeshherë vinte dhe me të atin, por ishte shumë modeste. Ka gjithë jetën që jeton me faktin që është vajza e Kadaresë, por është një person që ka kultivuar profilin e vet si diplomate dhe ambasadore e Shqipërisë në UNESCO. Ajo ka angazhimet e veta dhe nuk mund të themi që i kushton aq shumë rëndësi kësaj kafeneje për të cilën babai i saj ka shkruar edhe një libër.

Kafeneja

Zhurma që frymëzoi shkrimtarin

A mund të na jepni një informacion nëse lagjja apo kafeneja aty ishin njohur me faktin që për ta ishte shkruar një libër?

Kjo që thoni ju është diçka e bukur për të cilën nuk më shkoi në mendje të pyesja qoftë edhe kamerierët e “Rostand”. Edhe Besiana vetë nuk ka dijeni për një informacion të tillë, por ajo kafe e shkurtër nuk na la shumë kohë për të menduar për këtë gjë dhe për shumë të tjera. Unë isha disi i papërgatitur për këtë pjesë për vetë faktin se dëshiroja të njihja ambientin rreth së cilit Kadare shkroi një libër të plotë. Ka shumë vende në Paris për të pirë kafe, por, duke pasur parasysh faktin se një nga shkrimtarët tanë më të mëdhenj ka shkruar një libër për këtë kafene, nuk mund t’i rezistosh tundimit për ta vizituar.

Zoti Velaj edhe një pyetje të fundit. Gjatë bashkëbisedimit më Besiana Kadare në kafenenë “Rostand” çfarë ju ngacmoi rreth jetës së Kadaresë në Paris?

Gjatë bisedës më Besianës, më kujtohet një moment kur kafeneja ishte plot me njerëz dhe ajo më thotë si ka mundësi që babai im është frymëzuar në një vend kaq të zhurmshëm. Si ka mundësi pasi kur unë ndonjëherë dëgjoj muzikë me pak volum të lartë ai më thotë: Të lutem ule, ule se nuk përqendrohem dot. Pikërisht në këtë vend kaq të zhurmshëm ai ulet dhe mban shënime. Unë kam përshtypjen se në këtë moment Kadare, kafenesë “Rostand” i ka bërë një “piedestal”, një “monument” me këtë libër, edhe pse kjo kafene mban emrin e një prej dramaturgëve më të njohur francezë, por jam i bindur se kjo kafene tashmë është më e “pasur” se çfarë ka qenë.