poetry, essays and narrativas (copyright ©)

orakulli i delfit

Orakulli i Delfit

 

Mund të jem gabim, por s’mund të ma heqë njeri nga mendja atë që tashmë më është tiposur thellë në kokë, se një nga perënditë e Olimpit nuk do dhe bën ç’është e mundur që unë të mos e shoh dot Orakullin e Delfit. Ndoshta mund të jetë vetë Orakulli që, jo hapur e me zë të lartë, ashtu siç e ka zakon, ka biseduar fshehtas me ndonjë prej perëndive për të bërë ç’është e mundur të mos më lejojë t’i qasem pranë, mbasi nuk ka si të shpjegohet ndryshe që unë jam nisur tri herë për ta parë dhe të tria herët nuk më është mundësuar ta shoh.

Ishte fillimi i qershorit të vitit 2003 kur në Athinë i thashë Piros, Ornelës dhe një mikut të tyre se të shtunën dua të shkoj në Delfi të shoh Orakullin. Ata shprehën dëshirën të vinin me mua dhe në orën 8.00 të mëngjesit u nisëm për atje, 200 km larg Athinës.

Rruga filloi e qetë dhe në CD player kisha vendosur një album të Antonis Remos, blerë dy ditë më parë. Në qetësinë e muzikës dhe bisedës, kur sa donim edhe tre kilometra të hynim në qytetin e Thiva-s, 100 km përpara se të shkosh në Delfi, në një kthesë makina rrëshqiti në një rrëke vaji nuk arrita ta kontrolloj timonin dhe u përplasa me shinat mbrojtëse të rrugës.

Dolëm jashtë dhe pamë se gjithë pjesa e djathtë e makinës ishte dëmtuar. Mora në telefon shoqërinë ku kisha siguruar makinën në Vjenë dhe mbas një ore erdhi karotreci dhe na kthehu përsëri në Athinë. Java më kaloi te servisi i Jorgos aty në Pangrati dhe të premten makina ishte gati.

Fiksimi ngelet fiksim dhe tiposja po ashtu.

Të shtunën tjetër, qysh në mëngjes, u nisëm për Delfi të shihnim Orakullin. Fiksimi im iu fiksua edhe të tjerëve dhe u bëmë gati 15 veta.

Kaluam Thiva-n, pimë kafenë te fshati i çobanëve në Arahova, aty në majë të maleve të Delfit, dhe mbas 10 kilometrash mbërritëm atje.

U afruam te kangjellat e portës, pranë të cilave prisnin turistë të shumtë. Na thanë se është i mbyllur, mbasi përpara 2 orësh të gjitha muzeumet e Greqisë kishin shpallur grevë. I shikoja turistët të pezmatuar. Disa mbështetur te porta, më tutje disa me aparatet fotografike, rripat e të cilave u ishin ngatërruar nëpër rrudhat e qafës burrave dhe nëpër gjerdanët e varëset plot gurë e flori zonjave, ku vihej re se si Minolta dhe Konica po përqafoheshin, Fuji po merrte një sy gjumë, ndërsa Nikon dukej i inatosur që Canon i kishte kthyer krahët. Ndenjëm aty derisa na u tha se, përfundimisht, muzeu arkeologjik i Orakullit të Delfit nuk do të hapej.

U largova i habitur nga kjo rastësi e dytë dhe së bashku zbritëm për ta kaluar ditën në Itea, aty pranë detit, ku mijëra vjet më parë anijet e mbushura plot ushtarë prisnin të dëgjonin parashikimet e ngjarjeve, të cilat Orakulli ua thoshte nga maja e malit.

Rasti do ta sillte që në mesin e majit 2012 të hapja një ekspozitë në Athinë dhe nga Vlora të merrja përsëri rrugën me makinë. Kësaj radhe me vete kisha edhe Egon-in. Mbasi hëngrëm drekën diku, po i afroheshim Urës Andirio-Rio.

Ndalova të furnizohesha në një pikë karburanti. Pashë që në mur ishte varur një hartë e Greqisë. Fillova ta shihja. U nisëm.

Përpara se të futesha në urë, ktheva timonin për majtas dhe vazhdova. Nipi që ishte bërë gati të paguante taksën, më pyeti se ç’kisha ndër mend të bëja.

- Sipas hartës, kjo rrugë të çon në Delfi. Është rasti më i mirë të shohim Orakullin e Delfit, - i thashë.

Rruga filloi të gjarpëronte. Diku, në qafën e njërit prej atyre maleve që të çon në Delfi, ndoshta edhe nga shpejtësia që isha duke ngarë makinën a ndoshta ishte një kontroll rutinë, na ndaloi policia.

E filloi duke kontrolluar dokumentet.

- Sprechen sie Deutsch? - e nisi bisedën njëri prej tyre, kur pa patentën dhe dokumentet e makinës në gjuhën gjermane.

- Ja sicher, - iu përgjigja.

- Për ku jeni duke shkuar?

- Për në Delfi. Duam të shohim Orakullin.

Ai pa orën në celular dhe si të llogariste nëse na dilte koha apo jo, m’i ktheu dokumentet.

- Ku banon në Austri? - e rifilloi ai bisedën me dorën mbështetur te dera e makinës.

- Në Vjenë.

- Ky do të shtyjë kohën, - tha Egon-i që nuk po kuptonte gjë nga biseda.

- Kam më shumë përshtypjen se do të freskojë njohuritë e gjermanishtes, - iu përgjigja.

- Po pse, të gjithë në Gjermani kanë punuar këta? Edhe Lambrinia, ajo policja në Mavromati, në kufirin me Qafë Botën, sa pa dokumentet në gjuhë gjermane filloi bisedën si ta njihnim prej vitesh e na mbajti një orë me muhabet.

Pas gati gjysmë ore me ta, vazhduam rrugën për të mbërritur në Delfi, tek Orakulli i tij.

Ishte ora 17.50.

Dyert i gjetëm mbyllur. Pritëm mos dilte njeri, por tek tabela shkruhej se hyrja brenda lejohej deri në orën 17.30.

Me sytë qepur tabelës dhe me inatin që nuk kisha pyetur më parë nëse në Delfi shkonte apo jo e famshmja shprehje “e treta e vërteta”, mendjen ma përshkoi mendimi se mos vallë Orakulli e kishte parandier ardhjen time dhe kishte bërtitur aq fort sa i kishte zgjuar nga gjumi i drekës perënditë e Olimpit, të cilat më nxorën përpara policin për të më vonuar.

 

Athinë,

e mërkurë, 27 maj 2012