poetry, essays and narrativas (copyright ©)

kecskemet

Kecskemét

Më ka rastisur shpeshherë  që lindjen e diellit ta përjetoj autostradave të Hungarisë.

E kam parë atë të lindë mbi kodrat e Tatabánya-s apo, akoma më tutje, horizonteve  të Albertirsa-s, por në të shumtën e rasteve e kam përjetuar të ngrihet si në një balet klasik fushave të Kecskemét-it, kur nga Vjena për Vlorë nisem mëngjeseve pa u gdhirë mirë. E kam parë dhe e kam shoqëruar nga dritarja e makinës të ngrihet i bardhë mbi dëborën e janarit në dimër, mbi ajrin e lagësht mëngjeseve të pranverës, duke zgjuar lopët fushave, të cilat nga dendësia e mjegullës kërkojnë njëra-tjetrën. E kam parë të verdhë behareve, më të verdhë se taksitë e Budapestit, të ngrihet mbi lulet e harlisura të diellit, më të verdha se ai vetë, apo duke u kacafytur mes leshrave të kallinjve të misrave nëpër fushat e pafundme.

Por s’e kisha parë kurrë të ngrihej kaq i ngrysur dhe kaq i drobitur si këtë paravjeshtë, pa make-up e me fytyrë meiti, mbi po të njëjtat fusha në të cilat lulet e diellit i ishin përshtatur si vetë ai ngjyrës së verdhë të fytyrave të drobitura nga lodhja, bashkuar me lotët dhe djersët e pathara nga vuajtjet e një jete të lënë pas dhe rruge shumë të gjatë të refugjatëve sirianë, që grumbuj-grumbuj i shihja nga dritarja e makinës të përshkonin në këmbë autostradën Szeged-Kecskemét, për të shkuar në Budapest dhe për të vazhduar akoma më tutje.

 

Autostrada Szeged-Kesckemét

E premte, 10 korrik 2015