poetry, essays and narrativas (copyright ©)

MACKANGA

 

Mackanga

Ai ishte një “vlonjat” që këndonte me kitarë këngët e dashurisë; ishte një “shqiptar” që recitonte plot ndjenjë vjershat e Naimit. Ishte vlonjati më i përvëluar nga dielli i korrikut dhe shqiptari më i ngjyrosur nga ai i gushtit, por, mbi të gjitha, ishte djaloshi më i buzëqeshur që mbaj mend akoma nga fëmijëria ime e paqeshur.

Më kujtohet si tani kur pasditeve shkonim te dhoma e tyre te konvikti i shkollës mjekësore. Ai merrte kitarën në dorë dhe fillonte të këndonte këngët vlonjate, që as ne vetë nuk ua dinim tekstet. Nuk do kalonte shumë, kur pranë tij bashkoheshin edhe ata që, si ai, ishin bërë vlonjatë e shqiptarë dhe me zërin e tyre të dalë si nga oazat e fjetura shkretëtirave, si dielli që u kishte dhënë ngjyrën, këndonin për vajzat e bukura të bulevardeve të Vlorës dhe atyre në Kinshasa, që u mungonte aq shumë.

Një ditë, aty nga mesi i viteve 1990, ku me familjen ishim duke shëtitur buzë promenadës së Danubit pranë qytetit Ybbs an der Donau, më kapi një dhimbje therëse dhëmballe. Teksa po kërkoja një dentist, pashë tabelën Dr. Jacques Charles Man-Eng dhe duke menduar se duhet të ishte ndonjë doktor i huaj që, si shumë të tillë, kishin ngelur nëpër Austri mbas studimeve, hyra brenda, ku sytë më zunë dikë që më la përshtypjen e dikujt të ardhur nga Afrika, pa e specifikuar nga cili vend.

Filloi të më mjekonte. Një moment, ndoshta edhe nga ngjyra ime zeshkane, më pyeti se nga isha me origjinë. Me gojën plot pambuk, me një zë të përgjakur e aromë arseniku, iu përgjigja: “Nga Shqipëria.”

Nuk do të zgjaste sekonda kur ai me një shqipe të pastër do të më thoshte: “Domethënë flisni shqip.” Sytë e mi, me shikimin përhumbur te llamba sipër aparatit, mes dhimbjes që po më shqyente kokën, gati sa nuk dolën nga vendi.

Më tregonte Charly për Vlorën, ashtu siç m’u kujtua edhe mua ai, kur fundjavave kthehej nga Tirana për të takuar miqtë e tij më të vegjël në moshë. M’u kujtua kur e shihja pasditeve të shëtiste bulevardit Vlorë-Skelë, ashtu elegant si zebra me kostumin me vija apo atë me kuadrate të vogla ngjyrë bezhë, për t’u kthyer natën vonë te konvikti i mjekësores, për të kënduar deri në të gdhirë a për të luajtur basketboll te fusha e shkollës, ku llamburitnin dhëmbët e tyre të bardhë si drita në errësirën e fushës së qymyrtë, mes mes brohoritmave hynte brenda rrjetës.

E pyeta atëherë doktorin edhe për Jozef Mackanga-n.

- Jeton në Belgjikë, - më tha. - Jetonte, më saktë. Sepse sot vlonjati i mirë nga Kongo e largët, ai që u këndonte vajzave të bukura të qytetit dhe recitonte qetësisht Naimin si të ishte diku në qetësinë e avullt të oazave të shkretëtirave të verdha, pasi la amanetin e fundit – t’ia mbulonin arkivolin me flamurin shqiptar – mbylli sytë.

 

Tiranë,

e martë, 28 shtator 2015