poetry, essays and narrativas (copyright ©)

kartolina

 

 

Kartolina

Kur u nisa nga Lecco, ishte ora nëntë paradite. Ato 60 km deri në Bergamo vendosa të mos i përshkoja nga autostrada, sado që e dija që rruga kështu do të zgjaste më shumë, por që ky është një zakon i vjetër imi, mbasi më jep më shumë mundësi për të soditur dhe veçanërisht, për të ndaluar e fotografuar.

Më në fund, u bëra mbarë dhe gjeta kohën të vizitoja qendrën historike në Bergamo, të cilën kisha dëshiruar prej kohësh ta shihja, por sa herë që rruga do të më shpinte atyre anëve, ndodhte të ishte natën vonë ose të isha tej mase i lodhur nëpër autostradat e pafundme, kur qysh në mëngjes isha nisur nga Vjena. Kështu e vazhdoja udhëtimin për të mbërritur sa më shpejt pranë liqenit të Lecco-s.

Atë ditë udhëtimi ishte i qetë. Përveç zbritjes së ngadaltë nga Rancio Superiore, lagjes së bukur në faqe të malit ku nga vila në të cilën banonin miqtë e mi, si në pëllëmbë të dorës, shtrihej i gjithë qyteti buzë liqenit, mora Strada-n Statale dhe mbas disa ndalesave për të fotografuar, u ula në një bar anës rrugës, pa hyrë akoma në San Salvatore, një qytezë pak përpara Bergamo-s.

Ngaqë koha ishte me diell, preferova të qëndroja në një tavolinë jashtë. I dhashë kamerierit porosinë dhe në pritje të ardhjes së tij, hapa aparatin fotografik për të parë ato që kisha realizuar gjatë rrugës.

Kamerieri erdhi dhe ma la filxhanin e një gotë ujë mbi tavolinë. Në qetësinë e natyrës përballë, pija kafenë duke lexuar tabelat që orientonin rrugët. Njëra tregonte se djathtas shkoje për në Bergamo, 12 kilometra që aty, dhe tjetra, ajo për majtas, për në Sant’ Omobono - Valle Imagna, e cila ndodhej 11 kilometra larg.

Me filxhanin e kafesë akoma në dorë dhe sytë e qepur tek tabela e dytë, fillova t’u thërras kujtimeve se ku e kisha lexuar më parë këtë emër. Me shikimin akoma thellë tek tabela, i hodha një sy luginës që ishte në atë drejtim. Kërkoja të orientohesha nëpër kohë dhe me sytë e zhytur në thellësitë e pandriçuara nga dielli që s’e kishte kapërcyer malin përballë, m’u kujtua ajo kartolinë aq e dashur që mbajta për një kohë të gjatë në bufenë e dhomës së ndenjjes...

Në fakt, ajo kartolinë nuk më kishte ardhur mua, por Xhelës, burrit të Nafit, tezes sime, për Vitin e Ri 1980, nga një shok i tij mjek që bënte një specializim në Itali.

Për herë të parë, atë e pashë kur shkova për të takuar gjyshen në pushimet mbas Vitit të Ri. Një pasdite thashë të shkoja nga tezja dhe sa hyra brenda, akoma pa u rehatuar mirë në divan, hodha sytë te xhami i bufesë ku, vendosur mbi disa filxhanë që tezja i mbante si më të bukurit që kishte, pashë një kartolinë të huaj me gjashtë pamje.

U çova në këmbë dhe shkova ta shihja nga afër. Hapa kanatat, e mora në dorë dhe e ktheva nga pas për të parë se nga kishte ardhur ajo copë kartoni që, me shkëlqimin dhe lustrën e saj, e nxirrte gati jashtë loje llakun e zverdhur prej kohësh të asaj bufeje 11.000-lekëshe. Me kartolinën në dorë u ula përsëri te divani dhe s’ua ndaja sytë atyre gjashtë pamjeve të stampuara në të, duke kërkuar më kot të gjeja diçka të njohur apo se mos vallë i kisha parë gjatë netëve të gjata përpara stacioneve të RAI-t.

Me të akoma në dorë mora filxhanin e çajit që ma solli tezja dhe pa ia ndarë akoma sytë kartolinës, e pyeta se kush ishte ai që e kishte dërguar atë kartolinë.

Tezja, një grua shumë e pashme dhe me modelin e flokëve si në filmat Hollywood-ianë, si të thuash, partnere e Humphrey Bogart-it te Casablanca, në të tilla raste ta shtonte adrenalinën e pritjes. Atë moment mori pamjen sikur ta kishte dërguar Papa i Romës atë kartolinë. Mbasi bëri sikur s’më dëgjoi, si për të më tërhequr vëmendjen që duhet ta formuloja ndryshe pyetjen, me reverenca, kur pa që unë nuk e lëviza kokën dhe sytë nga kartolina, u ul te cepi i divanit, si për të lënë të kuptohej se pak do rrinte mbasi kishte gjithë ato punë nëpër duar.

Pa i lëvizur sytë nga ato gjashtë pamje, dëgjova të më thoshte se atë kartolinë ia kishte dërguar një shok i ngushtë i Xhelës që kishte qenë në Itali përpara një muaji dhe kur ishte kthyer që andej, u kishte sjellë një kuti letrash bixhozi dhe një sapun “Camay”.

I thashë tezes të më tregonte sapunin dhe ajo, sikur atë pyetje të priste, u çua dhe së bashku shkuam te dhoma e gjumit, ku hapi një sirtar te komoja në të cilën mbante çarçafë e këllëfë jastëkësh, nga ku flegrave të hundës m’u përplas një fllad i çuditshëm arome, i pandier më parë hundëve të mia, dhe mbasi lëvizi disa çarçafë, nga mesi i tyre nxori sapunin mbështjellë me një karton ngjyrë vjollcë.  

E mora në dorë sapunin.

E vendosa te hundët dhe me aromën që më depërtoi deri në qelizën e fundit të shpirtit, u hodha një sy çarçafëve prej kambriku që, siç dukej, tezja e kishte vendosur jo për ta fshehur mes tyre, por më shumë për të depërtuar deri në thurjen e fundit të pambukut aroma e atij sapuni aq të bukur, futur në një kuti me karton të lustruar, ku pasqyroheshin lule të verdha e vjollcë, kapaku i së cilës ishte hapur qëllimisht, si për të dalë që andej kundërmimi i nektarit i atyre luleve të cilat duhet të ishin përdorur për të bërë sapunin.

E afrova dhe një herë te hunda, si për t’i marrë për herë të fundit aromën sapunit, dhe e futa përsëri në mes të çarçafëve.

Mbylla sirtarin dhe akoma me kartolinën në dorë, shkova përsëri në dhomën e ndenjjes.

I thashë tezes të ma jepte mua kartolinën.

Ajo u vu në pozitë dhe ngaqë s’dinte ç’të më thoshte, mbasi i hodhi një sy bufesë që pa atë ngjante si rraqe, akoma edhe më e vjetër, më tha se Xhela nuk do që t’ia ngacmojë njeri sendet e tij.

E vendosa kartolinën përsëri te filxhani ku ishte më parë dhe u ula te divani derisa erdhi Xhela nga puna. Me sytë një herë nga ai dhe herën tjetër nga kartolina brenda bufesë, prita momentin derisa ai të vinte në qejf. Kur pashë që qeshi, që shpeshherë ishte pa arsye, duke e lëvizur dorën si të bëhej fjalë për diçka të pavlerë, i thashë të ma jepte mua atë kartolinën në bufe. Xhela, si për t’u kujtuar se për çfarë bëhej fjalë, ktheu kokën nga bufeja dhe në vend që të më thoshte po ose jo, filloi të më tregojë se kush ia kishte dërguar atë kartolinë si dhe gati gjithë historinë e vjetër të miqësisë së tij personin që e kishte dërguar.

E pashë që ai u harrua nëpër kujtime. Pas pak u çova dhe u ktheva te gjyshja.

Rasti do ta sillte që në pushimet e verës të shkoja përsëri në Tiranë dhe si gjithmonë, do të shkoja tek tezja, por kësaj here në bufe, mbështetur te filxhanët, ndodhej përsëri një kartolinë, por që nuk ishte e para. Më la përshtypjen se duhet të kishte ardhur nga Franca, mbasi në ato tetë pamje vura re Kullën Eifel.

U çova nga vendi dhe hapa kanatat e bufesë. Mora në dorë kartolinën dhe u ula te divani pranë derës duke shikuar pamjet e saj.

Nuk zgjati shumë dhe Xhela erdhi nga puna. Në njërën dorë mbante gazetën dhe në tjetrën një bukë 40-lekëshe, korrja te cepi i së cilës ishte këputur.

Mbasi filloi përsëri të më tregojë historinë e miqësisë së vjetër me personin që ia kishte dërguar kartolinën nga Parisi, prita rastin dhe e pyeta se ku e kishte atë të vjetrën, me pamje nga Valle Imagna e Italisë. Ai u çua nga vendi, hapi një sirtar të bufesë poshtë televizorit dhe ma dha.

Pa e marrë mirë në dorë, e pyeta nëse do të ma jepte mua atë. Ai, pa më kthyer përgjigje, me lëvizjen e dorës më la të kuptoja se mund ta merrja.

Mbas dreke ika nga shtëpia e tezes dhe në fund të javës mora trenin dhe u nisa për në Vlorë. E vendosa kartolinën te bufeja 11.000-lekëshe në dhomën e ndenjjes, aty në mes të dy xhamave të saj, dhe herë pas here nga kolltuku u hidhja një sy pamjeve të saj në të cilat ishte paraqitur qyteza e Sant’ Omobono-s në Valle Imagna, e cila as që e kisha idenë se nga mund t’i binte në gjithë atë Itali të madhe, por që, nga peizazhi rreth e rrotull, më jepte përshtypjen se duhet të ishte diku mes maleve.

Sytë i mbaja akoma mbërthyer te njëra nga ato gjashtë pamje, aty ku tregohej një rrugicë dhe në mes të saj një burrë e një grua që, siç më linin të kuptoja, sapo kishin dalë nga psonisjet, mbasi në dorë kishin nga një si zymbyl dhe diku më tutje, tek tabela, sipër lexohej “Alimentari”.

Në pamjen tjetër paraqitej një urë dhe në fund të saj dukej një godinë katërkatëshe ngjyrë bezhë në të cilën, çuditërisht, të gjitha dritaret ishin të mbyllura me qepena ngjyrë kafe, ndërsa nëpër ballkone nuk pipëtinte gjë.

Ia hidhja sytë herë pas here bufesë dhe, sa herë që në “Intervallo”, midis emisioneve, në pritje të fillonte filmi apo lajmet, me sytë fiksuar te pamjet magjepsëse që jepeshin në ekran, kërkoja mos vallë mes atyre qyteteve të Italisë që paraqiteshin në ekran, shoqëruar nga tingujt e notave të “Toccata-ve” të Pietro Domenico Paradisi-t, si blegërimat e deleve lëndinave me aromën e luleve nga të cilat mund të ishte prodhuar edhe sapuni që tezja ime mbante mes çarçafëve, do të dilnin edhe pamjet e kartolinës sime.

Me filxhanin e kafesë akoma në dorë, shihja kryqëzimin. Nuk prita sa të vinte kamerieri. U futa brenda dhe pagova kafenë për të vazhduar udhëtimin, jo për Bergamo, por për Sant’ Omobono, duke iu ngjitur maleve nga ku shtrihej lugina “Valle Imagna”.

Mbas disa ndalesave për të fotografuar, më në fund, mbas gati gjysmë ore mbërrita te vendi i kartolinës së 25 vjetëve më parë. Parkova makinën dhe me aparatin në dorë dola qytetit për të kërkuar ato pamje që u bënë aq magjike për mua. Doja të hyja tek “Alimentari” që të blija edhe unë diçka si ai burri e ajo gruaja atëherë, të kaloja atë urën përballë atij pallati ngjyrë bezhë, me shpresën se ndonjë nga dritaret do ishte hapur apo mos vallë në ballkon kishte dalë dikush për të më shuar kureshtjen e atëhershme se kush duhet të banonte brenda atyre qepenave. Të shëtisja edhe unë në atë rrugicën ku ishte parkuar një motor i kuq “Vespa”, që më dukej më e bukur se Viale Mazzini në Romë, ku ndodhej vetë godina e RAI-t.

Mbas njëfarë kohe, duke lëvizur andej-këndej u futa në një Tabaccaio dhe kërkova se mos vallë gjeja atë kartolinë, por më kot.

U ula diku në një bar në Piazza dhe i thashë kamerierit të më sillte një birrë të madhe, që të kaloja sa më shumë kohë duke risjellë nëpër mendje kujtimet e dashura të asaj kohe me kartolinën nëpër duar dhe shikimin qepur tek ato gjashtë pamje...

 

Lecco, e diel, 29 nëntor 2009