poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Mall i dyfishtë

Mall i dyfishtë

 

Më rastis shpeshherë që ëndrrat të më përsëriten. Madje, ka pasur edhe raste kur një ëndërr, të cilën e kam lënë përgjysmë një natë më parë, ta vazhdoj të nesërmen apo të pasnesërmen. Më ka ndodhur gjithashtu që në ëndërr të shoh pamje dhe persona të cilët prej shumë e shumë vjetësh nuk i kam parë, por që të nesërmen, si t’i kisha porositur gjatë këtyre netëve, më dalin përpara dhe i takoj.

Por ende nuk e kam kuptuar atë që m’u paraqit përsëri këtë fillim tetori, kur duke qëndruar pas perdeve të dritares së dhomës së ndenjjes dhe duke pritur që shiu të pushonte, në momentin që dielli nxori kokën pas perdeve të reve dhe mbi asfaltin e trotuareve filluan të krijoheshin shtëllunga avulli, vendosa të dal në të përditshmen shëtitje timen. 

Akoma nuk kisha shkuar në fund të rrugicës sime, kur mes asfaltit do të vija re një njollë shiu gri të errët akoma të patharë, që pothuajse më shtangu me formën e saj gati-gati të njëjtë me hartën e Shqipërisë, për të më mbajtur akoma edhe më të lidhur në mendime e për të më risjellë nëpër mendje formën e hartës së Austrisë, që më ishte shfaqur pas shiut trotuareve të Vlorës pak muaj më parë.

Me të dyja pamjet e grijta plumb shpërndarë syve, njërën nga i majti e tjetrën nga i djathti, ndjeva që këmbët më shkelën gjethet e verdha të saporëna nga pemët në parkun e Schönbrunn-it.

 

Vjenë,

e hënë, 6 tetor 2014