poetry, essays and narrativas (copyright ©)

I LOVE SCOTLAND

 Scotland

Duke udhëtuar nëpër Scotland, në kërkim të gjurmëve të King Robert the Bruce, William Wallace (Braveheart) dhe Rob Roy, diku mes maleve e kodrave pa fund, ku të qeta mes një gjelbërimi të lagësht nga shiu e mjegulla kullosnin disa lopë, kuaj e dele, sytë më kapën një tabelë që tregonte se shtëpia pranë rrugës ishte studio e një piktori.

Ndalova makinën.

Hapa portën e jashtme të kopshtit dhe pasi nuk më dëgjoi njeri kur thirra “A ka njeri brenda”, i rashë disa herë borisë dhe hyra brenda.

Nga shtëpia pranë doli një burrë i gjatë e me mjekër të bardhë i cili, duke më parë i çuditur, më pyeti nëse më duhej ndihmë apo po kërkoja diçka. I thashë se jam rrugës për te Drumlanrig Castle, matanë atyre maleve, dhe lëviza dorën në drejtim të tyre. Pashë tabelën që informonte se këtu jeton një kolegu im piktor dhe mendova t’i them: “Hello.”

Ai, duke m’u paraqitur se ishte Edwin Charles Slater, një piktor nga Edinburgh-u, por që muajve të verës jeton aty, u gëzua dhe u habit akoma më shumë kur pa targat e makinës dhe dëgjoi se jam nga Vlora, Albania...

 

Glasgow,

e diel, 26 gusht 2018