poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Eneida

Eneida

 

Duke inspektuar nëpër zonën time elektorale, në oborrin e një shtëpie sytë më ngelën te një vajzë që futi kovën në një fuçi të madhe plastike dhe e mbushi me ujë. Këtu e pashë për herë të parë Eneida-n. Me kovën që e mbante me të dyja duart dhe këmbët që i dridheshin nga pesha e saj, hyri përsëri në shtëpi.

Kureshtja më shtyu të hyja edhe unë brenda dhe duke i hedhur një vështrim asaj pamjeje që m’u përplas syve, – dritaret ishin të mbuluara me plastmasë, dyshemeja gati e gjitha baltë, muret të çara e gri të errët, kabllot e zeza elektrike gjarpëronin mbi to dhe më dhanë përshtypjen se ishte radiografia e dimrit, tjegullat e çatisë një këtu e një atje më lejuan ta shihje qiellin matanë tyre, – tek një tavolinë, ulur mbi një karrige, pashë vajzën e vogël që po bënte mësimet e shkollës.

Ktheu vështrimin nga unë dhe pa më pyetur kush isha e kë kërkoja, uli kokën përsëri mbi libër.

Dola jashtë. Pas shtëpisë, diku në bahçe, vura re një kasolle me kallama e llamarina të ndryshkura dhe pranë saj, dy qen të mëdhenj që, sa më panë, filluan të lehnin. Me sytë akoma nga pjesa e pasme e shtëpisë, vrava mendjen nëse kisha parë apo jo një banjë brenda saj, por atë moment një zhurmë e çjerrë që më çori veshin më detyroi të kthej kokën, kur u hap dera e kasolles dhe prej saj doli një grua e cila, e habitur dhe tërë frikë, hyri në shtëpi.

“Duhet të jetë banja”, - thashë atë moment me vete tek shihja atë masë llamarinash dhe dy qentë që, sa panë që ajo u largua, më hodhën një shikim e tundën kokën si të donin të më thoshin: “Aq ishte! Tashti mund të hysh brenda.”

U riktheva përsëri te shtëpia dhe e pyeta vajzën se si quhej e sa vjeçe ishte.

- Eneida, - m’u përgjigj.

Dola përsëri jashtë. Nxora telefonin nga xhepi. Kërkova dikë dhe pas disa zileve, dëgjova zërin e tij. Nuk kaloi as një gjysmë ore dhe ai erdhi. E pa gjendjen.

Pas dy ditësh, punëtorët e tij filluan t’i hidhnin shtëpisë çatinë e re dhe pas tyre filluan të vinin të tjerët. Kush filloi dyshemenë e kush muret. Kush dyert e dritaret dhe kush instalimet elektrike. Kush banjën e kush orenditë elektroshtëpiake, për t’ia dhuruar Eneida-s shtëpinë e re në natën e ndërrimit të viteve.

 

Panaja,

 

e martë, 1 janar 2019