poetry, essays and narrativas (copyright ©)

…pranë shtëpisë sime

…pranë shtëpisë sime

Tashmë vizitorët ishin larguar dhe unë gjendesha akoma përballë pikturës “Pranë shtëpisë sime” të Shpend Qeriqi’t. Dalë nga dalë, filloi të më rikthehej nëpër mendje takimi im i parë me të. Ishte fundtetori i kaluar kur, në zyrën e drejtorit të galerisë kombëtare në Prishtinë, sytë më ngelën tek një pikturë në format të madh brenda së cilës, e zeza, ishte derdhur pa kufi.
U bëra kurioz të dija më shumë për autorin dhe kërkova të takohesha me të. Më ftoi të shkoja tek shtëpia e tij, në Shtime, një qytet aty tek 50km larg nga Prishtina. Hyra brenda një godine akoma të pa ringritur dhe ai filloi të më tregonte pikturat. Me sytë nga pikturat që m’i nxirrte sa herë i thosha tjetrën, vrisja mendje përse të gjitha ishin të zeza dhe hera-herës, brenda tyre, viheshin re nuancat e së kuqes që duke u shpërndarë nëpër telajo, humbisnin forcën dhe ktheheshin në një kafe të pistë.
Ai nuk foli dhe as nuk më tregoi arsyen madje, as unë nuk e pyeta.
Pasi i pashë të gjitha, më ftoi të shkonim në Reçak.
Tek varrezat.
Aty ku policia serbe, gjatë luftës në Kosovë, kishin hedhur brenda një grope të madhe dhjetra burra e gra…si dhe shumë fëmijë. Vendi ndodhej vërtetë afër shtëpisë së tij. Prita më kotë që ai të fillonte të tregonte si për ngjarjen ashtu dhe për përjetimet. Me shikimin hedhur vjedhurazi sa nga varret dhe sa nga Shpendi që nuk e hiqte sytë nga mermeri i zi, mu bë e qartë ajo që ai kishte përjetuar atë 16 janar të vitit 1999 kur, pranë shtëpisë së tij a fshehur diku kodrave pranë saj, me sytë e veshët mbyllur me duar duke u munduar mos të shihte flakën dhe tymin e shtëpive. Ndoshta mos dëgjonte së fundmi e mos të numëronte në mendje, gati deri në 100, krismat e pushkëve serbe atë mëngjes ngricash kallkan dhe kur heshtja ra, u rikthye përsëri tek rrugica e shtëpsië për të pritur një kohë të gjatë a akoma deri më sot, nëse të afërmit apo shokët do të dilnin të luanin me të.

Fate Velaj,
Trieste,  4 korrik 2006

Ps: me ftesë të Riccardo Illy, president i krahinës Friuli-Venezia-Giulia,  hapa në Trieste edicionin e pestë të ekspozitës ndërkombëtare “Good morning, Balkan” të cilën, më parë, e kisha paraqitur në Athinë, Bukuresht, Tiranë e në Prishtinë