poetry, essays and narrativas (copyright ©)
Gjysma e limonit
GJYSMA E LIMONIT
Kur për herë të parë shkova tek lokali i âVila 60â, aty pranë âUra e Tabakëveâ ku kisha marrë dhe shtëpinë me qera, isha tejet i fokusuar tek mendimet e mia dhe nuk ju hodha vështrim atyre që gjeta brenda.
Ditët në vazhdim, fillova të ambientohesha me orenditë si dhe me njerëzit që gati çdo mëngjes, i gjeja ulur nëpër karrige apo dhe tek kolltuket pranë dritareve.
Fakti që lokali gjendet pranë Gjykatës, bënte mos të interesohesha shumë për ta në një kohë që disa prej tyre, më dukeshin rastësor në lokal, si hallexhinj që në pritje të seancës gjyqësore, pinin kafe pas kafesh aty.
Por, gati përditë, sa hyja brenda, shihja tre burra të moshuar që në bisedën e tyre të qetë e të shtruar, gjerbnin kafenë.
Nuk di sa kohë kaluan deri tek buzëqeshja e parë me njeri-tjetrin, por një ditë, tek u bëra gati të paguaj, kamarieri më tha se ata, e kishin paguar dhe kafen time.
Të nesërmen, shkova dhe i falenderova por, me buzëqeshjen e përditshme, më ftuan të ulem pranë tyre. I pyeta nëse ishin shok lagje e diku, pranë lokalit, i kishin banesat por i çuditur sa sâka më, dëgjova se puna e përpara 30 viteve, i kishte sjellë pranë njëri-tjetrit dhe, për të pirë kafen si kohë më parë së bashku, prej gati 10 vitesh, niseshin sejcili nga lagja e tij dhe takoheshin këtu, si në një kompromis për në "Terra incognita" të cilin, asnjëri prej tyre, mos ta kishte afër shtëpisë lokalin.
Kështu, herët e tjera, tek i shihja ulur, nuk mjaftohesha me një buzëqeshje por dhe me përshëndetjen e zakonshme tashmë mbasi që të treve, jo vetëm që ja u mësova emrin, por edhe historinë, madje dhe hallet.
Ndodhte të isha unë i pari që hyja në lokal dhe i shihja të vinin një e nga një dhe sa hynin brenda, po me të njejtën buzëqeshje të përditshme, më përshëndesnin ata mua.
Aliu, që në krahasim me dy të tjerët ishte më rinori, nëse mund ta them për dikë që po i afrohet të 70ve, sa ulej, nxirrte nga xhepi një limon dhe nuk zgjaste shumë kur Monda, banakierja, i çonte një pjatë të vogël, një thikë dhe dy gota. E priste limonin në mes, një gjysmë e mbante për vete ndërsa tjetrën, ja jepte Fair-it, shokut, dhe sejcili, pasi e shtrydhte në gotë gjysmën e tij, e pinte pas kafes.
Ky proçes ishte i përditshëm dhe unë u mësova me të.
Të hënën e datës 9 Nëntor, shkova vonë tek lokali dhe nuk i gjeta por, tek tavolina e tyre, vetëm një gjysmë limoni ishte shtrydhur.
Të nesërmen, gjeta vetëm Aliun me Fiqon ulur. Sa hyra brenda, vura re se një heshtje e mermertë, ju ishte pllakosur fytyrës. Nuk shkova tek vendi im por ju bashkova atyre.
I pyeta për Fair-in që prej disa ditësh mungonte por, me buzët që i mblodhën, më thanë se nuk ishte kthyer akoma nga fusha e betejës ku prej dy javësh, po luftonte dhëmbë për dhëmbë me COVID-in.
Sytë më shkuan tek gysma e limonit që priste në pjatë.
Në datë 12, ata u ngritën më shpejt se herët e tjera dhe, përpara se të largoheshin, erdhën tek unë. Me zërin e shtrydhur si gjysmën e limonit, Aliu më tha se sapo u informuan se COVID-i, e kishte fituar luftën me ish drejtorin e shkollës âSkënderbejâ, Fair Demiraj.
U larguan syulur ndërsa unë, tek shihja gjysmën e limonit që priste Fair-in ta shtrydhte, shtrydhja kujtimet e mia kur ai, më flsite për romanin tim âNILKONâ të cilin e kishte shtrydhur më shumë se vetë limonin e trazuar në gotë me kujtimet e tregimeve të babait që aty nga vitet '30, kishte studiuar në Kairo.
Fate Velaj
Tiranë, 13 Nëntor 2020