Opinions
Bujar Nishani dhe Shqipëria, e parë ndryshe
September 18, 2014
botuar ne shtyp
Nga mediat u informuam për pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në “European Forum Alpbach”, në Tirol të Austrisë. Mediat
reflektuan gjerësisht panelin ku merrte pjesë dhe presidenti shqiptar, i përfshirë në një monolog jashtë kontekstit të panelit. Por, jo vetëm kaq. Bujar Nishani, fliste për gjendjen politike në Shqipëri, por Shqipëria të cilës ai i referohej qe një vend tjetër, një kohë tjetër, një sistem tjetër, diçka tjetër…
Në fakt unë mund të quhem “i brendshëm” i këtij forumi qysh prej vitit 2004 kur marr pjesë si i ftuar gati për vit. Kam pasur mundësinë të asistoj në shumë referate presidentësh, kryeministrash dhe dialogje të tyre me filozofë e intelektualë të shquar pjesëmarrës në seksionin e debateve politike të këtij forumi. Gjatë kësaj ekperience intensive mëse 10 vjeçare në Albach Forum, nuk kam dëgjuar, dhe padyshim do ta mbaja mend, asnjë president të flasë siç foli Presidenti i Shqipërisë Nishani për vendin e tij. Asnjëherë.
Vitin e shkuar në të njëjtin panel ishte i ftuar Heinz Fischer, Presidenti i Komisionit Europian Barroso dhe Presidenti i Tanzanisë. Ky i fundit nuk zgjodhi të fliste aspak për problematikën e Tanzanisë, por foli për vështirësitë me të cilat përballet një kontinent i tërë. Ai foli për sfidat politike dhe ekonomike të kontinentit, por për asnjë moment nuk përmendi të “zeza” të vendit të tij.
Në fakt as ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, paçka se në vendin e tij po përballej me një proces gjyqësor, nuk foli për politikë autoritare e makinacione politike. Padyshim, ai mund të kish zgjedhur të shfajësohej për procesin, që disa kohë më pas do ta sillte nga Austria në Zagreb në pranga, por nuk e bëri.
Në ditë mjaft të vështira për atë vetë si individi e si politikan, Sanader në një platformë ndërkombëtare, zgjodhi të ishte as më shumë e as më pak, se Kryeministri i vendit të tij.
Kam qenë referues dhe organizator aktivitetesh në këtë forum. Aktiviteti më i rëndësishëm për mua, për shkak të asaj ç’ka solli tek audienca, ka qenë ai me titull “Shqipëria-e parë ndryshe”. Bëhej fjalë për një ekspozitë me fotografi, të mijat dhe Ardian Fezollarit dhe një seri bisedash të titulluara “Good Morning Balkan”.
Jo pak presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm e ministra kulture kanë vizituar këtë ekspozitë dhe kanë asistuar në biseda, të zhvilluara në një atmosferë përtej politikës dhe brenda një këndvështrimi tjetër për realitetin ballkanik. Ishte këndvështrimi i një artisti që u largua pa punë, e pa shpresë në vendin e tij, por që tashmë, e shihte të ardhmen e Shqipërisë veçanërisht, por edhe të gjithë rajonit në Bashkimin Europian.
Aspak nuk ka artisti detyrim të ketë një vizion shprese. Ashtu siç dhe presidenti nuk e ka detyrim. Gjithsesi, artisti ka privilegjin ta shohë Shqipërinë ndryshe, por mesa kam vënë re unë në këtë forum, këtë privilegj nuk e ka përdorur asnjë përfaqësues shteti. Në Alpbach Forum presidenti Nishani zgjodhi ta shihte Shqipërinë ndryshe, por jo me shpresë si një artist shqiptar që la vendin para shumë viteve, por thjesht ndryshe; në një kohë tjetër, një vend tjetër, diçka tjetër…
Kjo do të qe e kuptueshme në rastin e një artisti, por jo në atë të presidentit të cilin e la, në Albach Forum, të pangjashëm me asnjë tjetër, për raportin që kishte me vendin e tij, për Presidentin qartazi një vend larg Europës dhe jo në drejtim të saj, pra një Shqipëri tjetër…