Publications
STATEMENTS
April 12, 2019
Statements
“Ardhja në letrat shqipe e një autori origjinal si Fate Velaj është një ngjarje letrare, një risi e papritur dhe e gëzueshme për lexuesit.
Kemi të bëjmë me një autor tejet të veçantë, ndryshe në gjithçka, me një gamë të gjerë larushmërie përthithëse, plot freski dhe stil rrëfimtar të magjishëm.
Gjuha e shkrifët dhe plot kolorit e këtij autori është një grishje për lexim që duhet përshëndetur nxehtësisht”.
Ismail Kadare
“Zakonisht, pritet që nga shkurret e mëdha të dalë lepuri i madh apo, siç jemi mësuar të dëgjojmë, vetëm prej gjuhëve të popujve të mëdhenj mund të dalin vepra të mëdha. Rrjedhimisht, nga letërsia e të ashtuquajturve ‘popuj të vegjël’ e ‘gjuhë të vogla’ nuk mund të pritet e kundërta. Por, Kreuztanne i Fate Velajt vërtetoi thënien e vjetër paradoksale se: nga ferra e vogël del lepuri i madh”.
Boidar Prosenjak,
Shkrimtar, Zagreb
“Të flasësh për Faten, nuk është gjë e lehtë. Të lexosh Faten, duhet të jesh i qetë dhe ta kesh kohën vetëm për Faten. Krijimtaria e tij artistike lëviz sa nga piktura aq dhe nga fotografia e letërsia. Por, unë jam i bindur se kryevepra e tij është krijimi i figurës së vetë, Fate Velaj”.
Edi Rama,
Artist
“Emigranti që nga pjatalarës arriti te Kryqi i Artë i Republikës së Austrisë dhe këshilltar i një kryeministri. Fate Velaj është autor i romanit autobiografik Kreuztanne, që tregon historinë e njërit që ia ka dalë në jetë”.
Anna Maria de Luca,
“La Repubblica”, Itali
“Fatkeqësisht, nëpër Europë, por edhe nëpër botë, për Ballkanin flitet në mënyrë (ende) përçmuese, me klishe të vjetra, paragjykime e stereotipa. Sigurisht që Orhan Pamuk, Ismail Kadare, Emil Cioran, Mircea Eliade, Danilo Kish, Tzvetan Todorov apo edhe Kastoriadis, u bënë emra me prestigj ndërkombëtar, por diçka nga paragjykimet e vjetra mbetet. Por këtë herë kemi në dorë romanin Kreuztanne të shqiptarit Fate Velaj. Emrin nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Befasi e madhe. Një prozë e gjallë, me njerëz të sotëm, personazhe të konturuara saktë, teknikë shkrimi amerikane, ndodhi aktuale, pa qenë sensacionale apo zhurmë e bujë”.
Bedros Horasangian,
“Curierul National”, Bukuresht
“Fate Velaj na jep një rrjedhë të ndërgjegjes së tij, por që mund të përfshijë secilin prej nesh, dhe e përdor shkrimin si një mjet për ta drejtuar mendjen drejt një letërsie më të kujdesshme. Në fakt, është një letërsi e tillë, e cila lejon ndjeshmërinë e udhëtimit të një autori që nuk harron kurrë të jetë piktor, prandaj është edhe një udhëtim përmes pamjesh e ngjyrash, por që përmbajnë në vetvete trajta pamjesh fotografike, përkthime imazhesh, që rezultojnë të transformuara nga përjetësimet e tij ku, pikërisht, vjen edhe rilindja e “Ich-Erzählung” (zëri im, ndjenja ime, ndërgjegjja ime) i një romani formues, që e lejon autorin të braktisë kuptimin e brengave karakteristike dhe të udhëtojë përtej vetvetes dhe tjetrit, së brendshmes dhe së jashtmes, midis asaj që ka pasur dhe asaj që dëshiron të ketë, ndërmjet dëshirës dhe pasazhesh ëndrrash dhe këto të fundit, thellësisht frojdiane”.
Maria Sinatra, Psikologe,
Universiteti i Barit
“Një roman autobiografik dhe njëkohësisht, metaforik. Një leksion për përzgjedhjen e rastësive të një fati të mëvonshëm gati hyjnor, ku lumturia e shkrimtarit tërhiqet nga peneli i piktorit. Një roman si një zjarr shpërthyes ngjarjesh dhe që grish ushqimin e dyfishtë shpirtëror të autorit, shkrimtarit dhe njëkohësisht, fotografit e piktorit”.
Carmela Ferrandes,
Studiuese letërsie
“Si përkthyes i Kreuztanne në bullgarisht, kisha mundësi të njihesha nga afër me krijimtarinë magjike të Fate Velajt. Jam më se i bindur se jo vetëm lexuesit bullgarë do të frymëzohen nga letërsia e z. Velaj”.
Anton Panchev, Studiues letërsie,
Universiteti i Sofjes, Bullgari
“Origjinaliteti është një e dhënë që karakterizon gjithë krijimtarinë e artistit Fate Velaj. Si në gjithçka që ndërmerr në fushën e artit, Velaj nuk përfill modelet, as joshet prej tyre, as u nënshtrohet atyre, as i merr në konsideratë. Kjo duket e rrezikshme, por njëherazi sjell origjinalitet. Dhe origjinaliteti është pika e fortë e romanit të tij Kreuztanne. Liria fiton mbi modelin”.
Luan Topçiu,
Studiues letërsie
“Çfarë duhet t’i ketë kaluar nëpër mend piktorit Fate Velaj kur ka vendosur të lërë mënjanë për pak kohë identitetin e artistit si piktor e fotograf dhe të kthehet në një artist me identitet të trefishtë, si autor, rrëfimtar dhe hero i romanit autobiografik me titullin Kreuztanne? Ngopje nga arti, shpikja, trillimi, fantazia? Uria për realitetin real, autentik dhe të vërtetë? Gjatë gjithë librit vihet re tendenca e rrëfimtarit për të mos u ndalur në rrëfimin e tij. Kam përshtypjen se po të mundte, Fate Velaj do ta tregonte të gjithë jetën e tij me një fjali të vetme, të gjatë, pa asnjë pikë, mbushur me presje, sa për t’u mbushur shkurt me frymë. Teksa lexon narrativën e ngeshme dhe autentike të Fate Velajt, stacionet e qëndrimit të tij fizik e shpirtëror, e ndien se je infektuar nga efekti i saj psikologjik terapik duke krijuar një realitet të ri letrar”.
Gilman Bakalli,
Studiues letërsie
“Fate Velaj ka një dimension unikal të marrëdhënies me qenien e vet, me imagjinatën e vet, me ndjesinë e vet, me atë se si i artikulon ato në jetën e tij të përditshme. Por, më tepër unë do të theksoja dimensionet e jetës së tij artistike, ato në pikturë, në fotografi si dhe në letërsi, ku spikat me një narrativë e stil të magjishëm. Të flasësh për Fate Velajn nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për faktin se ai është një qytetar pa koordinata të përcaktuara, një udhëtar ndërkufitar dhe një artist jashtë kufijve. Pra, për fokusin që ka shoqëria jonë për individin, mund të themi se ai është një person atipik...”
Artan Shabani,
Artist
“S’ka forcë t’i vërë fre kureshtjes, aq më tepër kur stili joshës, sharmi gjuhësor dhe begatia figurative të tundojnë hovshëm drejt fundit. Drejt fundit të pafundmë gjatë të cilit rrjedha e veprimit nis dhe përvijohet gjithandej përmes rrëfimit autorial ose, siç njihet ndryshe, narracion në ICH (unë)form. Por mua më vjen më i saktë koncepti AI, tjetri. Vitin e kaluar në Prishtinë u mbajt një konferencë albanologjike po me këtë temë. Unë s’kam punë me konferencën, por me Borges-in dhe Velajn. Derisa Borges-i e gjen atë, tjetrin, Borges-in e letërsisë përballë vetes si një alterego, Fate Velaj e ndërton dhe e prezanton atë, tjetrin, kuratorin e ekspozitës Arti përmirëson kohën, Midis Danubit dhe Nilit dhe projeksionin e tij në telajo Kujtime nga e ardhmja. Analiza e kësaj proze që autori e quan roman, më shpie në tentativën e shmangies së teorisë klasike. Unë e shoh si një rrëfim eseistik autobiografik, diçka që në aspektin e modernitetit e tejkalon konceptin teorik të romanit. Këtë gjë do ta thosha edhe në planin e strukturimit të kësaj vepre. Kapitujt do t’i quaja pamje ose skena, terma të gjuhës së teatrit, pikërisht për faktin se secila njësi ka një bërthamë dramatike që në kuptimin asociativ ndërlidhet me kohë, vende, personalitete e hapësira të ndryshme përgjatë së tashmes e deri në muzgjet e kohërave të vjetra. Një karakteristikë e kësaj proze bie në sy edhe në ndërtimin e skenës, të situatës. Diçka nga teknika e filmit. Thjeshtësia e përshkrimit me fjali sa më të thjeshta e me detaje sa më të tëholluara gjatë së cilave s’ke asnjë rast e rrethanë, të të bëhet monoton dhe bezdisës. Sigurisht, në këtë plan ka punë e peshë dora prej mjeshtri e Fate Velajt”.
Vjollca Dibra,
Studiuese letërsie
“Kreuztanne është rasti i një krijimi për të cilin, metodologjikisht, mund ta kemi plotësisht të vështirë të përcaktojmë zhanrin apo gjininë letrare... Një roman i arkitekturuar në një mënyrë të tillë që mund të ngjitesh në pretendime sipërane krahasimi e që përbën variantin atipik të krijimit të një autori-personazh që ia del të surprizojë si personazhi-autor...”
Aleksandër Çipa,
Poet
“Fate Velaj e mban penën rrafsh me veten, me të përditshmen, me imazhet që duket sikur edhe ti i ke diku aty rrotull teje, duke të bërë pjesë të atij mjedisi, asaj natyre, atyre njerëzve, shtëpive dhe një hop të harrosh e të thuash: Edhe unë paskam qenë këtu!”
Josif Papagjoni,
Dramaturg
“Kreuztanne është një pikënisje tredimensionale. Fate Velaj e nis rrëfimin e tij në vitin 1991, pa asnjë informacion se ku ndodhet, diku maleve të Austrisë, nga një udhëkryq me tri drejtime, për të mbërritur sot në një artist të famshëm internacional me tri gjini krijimtarie: piktor, fotograf, shkrimtar. Ai u pranëvendos ngjyrave bashkëndijime me tinguj, shije, aromë, lëvizje, për të arritur shpejt te sinestezia, ku ndjesia e ngjyrës evokon atë të tingullit, ose anasjelltas për ndjesi të tjera”.
Laureta Petoshati,
Studiuese letërsie
“Një histori e shkruar thjesht, por që mbart brenda kujdesin e një piktori që duke i shndërruar ngjyrat në rreshta, ta bën leximin sikur je duke u endur nga një tablo në tjetrën... Ky libër nuk është thjesht një roman autobiografik, i cili mund të lexohet në një fundjavë, por një leksion i madh jete”.
Alda Bardhyli,
Studiuese letërsie
“Bota artistike tejet komplekse e Fate Velajt (piktor, fotograf, shkrimtar, kurator) i ka dhënë mundësinë atij për të aplikuar një hartim të ri të librit, duke e formuar dhe harmonizuar shkrimin në atë mënyrë që në fund të rezultojë një vepër sa autentike, aq edhe koherente. Fate Velaj është një mjeshtër i ndërtimit të frazës. Ai shquhet për rrjedhën e vazhdueshme të ideve që, ndonjëherë fshehur dhe herën tjetër hapur, i transporton nëpërmjet fjalive të gjata ku shpeshherë i tejkalojnë hapësirat e tyre relativisht të kufizuara, por që janë më se të nevojshme, mbasi ato janë të kapluara nga dëshira legjitime e tij për ta analizuar deri në detajet më të imëta subjektin e trajtuar. Është pikërisht ky stil i tij letrar si dhe përbërja e këtyre frazave jashtëzakonisht të gjata e të tejmbushura plot artifice gjuhësore që, normalisht, duhet të ishin disa fjali, ajo që e bën atë të ngjashëm vetëm me William Faulkner-it”.
Șerban Tabacu,
përkthyesi i Kreuztanne në rumanisht
“...Sipas mendimit tim, është akoma e paqartë se cili është sekreti që i ka dhënë këtij libri linjën e tij unike, formën idividuale letrare si dhe natyrën e tij misterioze. Është e vështirë ta klasifikosh këtë liber, t’i gjesh vendin e tij të duhur dhe akoma më saktë, në cilin zhanër të letërsisë hynë. Ti, si lexues, ndonjë herë mund të ndjesh se po lexon një autobiografi të ngjeshur dhe voluminoze për një periudhë të caktuar të jetës mbushur plotë me pasion e entuziazëm të një artisti të zjarrtë dhe kuratori ekspozitash mbreslënëse. Por, kur kalon përmes përshkrimesh të mrekullueshme, të kujdesshme dhe plotë detaje të njerëzve dhe vendeve të përmendura në libër, bëhesh ekstremisht i sigurt se po shtrëngon në duar një roman madhështor të qëndisur me kujdes dhe realizuar profesionalisht nëpërmjet penës së një romancieri realisht tejet të aftë dhe të talentuar.
Pra, kjo është një lloj letërsie e re e cila nuk është as krijimtari e pastër (roman) e as më pak jo krijimtari (një autobiografi). Autori ynë i talentuar dhe i veçantë e ka bërë këtë libër sipas recetës dhe përbërësve të tij vetanak.
Më shumë se kurrë, “NILKON” i Fate Velaj nuk mund të shihet vetëm si një autobiografi ose një roman, por duhet të vlerësohet si një libër i paarritshëm që i përket Letërsisë së Udhëtimit.
Sherif Abdel Hamid
Kritik letrar, Kajro-Egjipt mbi romanin NILKON